TIRANE- Më 17 janar 2018, Muzeu i Bankës së Shqipërisë, në përkujtim të 550-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeut, çeli ekspozitën e përkohshme “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në monedhën dhe kartëmonedhën shqiptare”.

Kjo ekspozitë u hap në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastrioti Skënderbeut, vit i cili do të kremtojë veprën e heroit deri më 28 Nëntor 2018.

Muzeu i Bankës së Shqipërisë ia kushton ekspozitën figurës së Gjergj Kastrioti Skënderbeut të shprehur në monedhën dhe kartëmonedhën shqiptare, prej vitit 1921 deri në vitin 1996 si dhe elemente të ndryshme të shtypit të këtyre prerjeve.

Ndër të tjera, kjo ekspozitë synon të sjellë në kujtesën e publikut, se ashtu si gjatë Rilindjes Kombëtare, edhe në ditët tona, figura e Gjergj Kastrioti Skënderbeut është personaliteti më i hasur në monedhën kombëtare gjatë rrugëtimit të saj thuajse 100-vjeçar.

Banka e Shqipërisë përmes një ftese të hapur në rrjetet sociale hapi dyert e muzeut të saj dhe mirëpriti përfaqësues të medias, sistemit bankar, edukimit, artit dhe kulturës, si dhe të apasionuar pas numizmatikës, koleksionistë etj.

Kjo ekspozitë e përkohshme do të qëndrojë e hapur edhe gjatë muajve në vazhdim, ku vizitorët do të kenë mundësi të shohin dhe ekspozitën e përhershme të Muzeut të Bankës së Shqipërisë i cili synon të kthehet në një qendër edukimi të historisë monetare e financiare të vendit që nga lashtësia e deri në ditët e sotme.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb