Policia e Tiranës vijon hetimet për vrasjen e ish-efektivit të policisë, Ajet Zeqaj, ngjarje kjo e ndodhur një javë më parë në rrugën “Nikolla Tupe”, në kryeqytet. Burime pranë grupit hetimor bënë me dije se janë marrë në pyetje disa të afërm të viktimës si dhe disa miq të tij. Ndërkohë, hetuesit e kësaj çështjeje pritet të marrin në pyetje edhe motrën e 41-vjeçarit.

Burimet e sipërpërmendura sqaruan se dëshmia që vajza me iniciale L.K. pritet të japë në polici, mund të hedhë dritë mbi konfliktet që mund të ketë pasur Zeqaj. L.K. është edhe personi ku Ajet Zeqaj ka qëndruar gjatë 20 ditëve të fundit që kishte ardhur nga Franca në Shqipëri. Mësohet se në portofolin e viktimës, grupi hetimor ka gjetur në mes të pasaportës së tij dhe të sendeve të tjera personale edhe një vizë amerikane.

Është pikërisht kjo pikëpyetja që kanë ngritur tashmë hetuesit e ngjarjes, për sa i përket aplikimit të vizës që viktima kishte bërë për t’u larguar drejt SHBA-ve. Gjatë dëshmive që miqtë e viktimës kanë treguar para grupit hetimor, kanë sqaruar se Zeqaj nuk u ka treguar për konfliktet që ai mund të ketë pasur me persona të tjerë. 41-vjeçari nga Tepelena u ekzekutua me 2 plumba në kokë, vetëm 5 metra pasi doli nga ambientet e një loto-sporti. Autori, i veshur me të zeza, me doreza në duar dhe me një kapele në kokë, e kreu vrasjen me armë me silenciator.

Pas krimit, ai u largua nga vendi i ngjarjes nëpërmjet tunelit të një pallati, duke hedhur disa metra larg trupit të viktimës edhe armën e krimit. Në vendin e ngjarjes, policia sekuestroi pistoletën tip “Bereta”, me 6 fishekë me silenciator. Nga hetimet paraprake dyshohet se krimi mund të jetë kryer nga vrasës me pagesë, për prishjen e hesapeve të drogës, gjatë kohës që Zeqaj ka jetuar në Tepelenë. Por, nuk përjashtohet edhe mundësia që 41-vjeçari të jetë ekzekutuar për shkak të ndonjë konflikti që mund të ketë pasur në Francë, apo edhe për çështje hakmarrjeje, pasi në shkurt 2013, blutë e kryeqytetit arrestuan tre persona me 100 kg ha-shash, ku mes tyre ishte edhe Fatmir Zeqaj, vëllai i viktimës.

(m.k/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: