TIRANE – Viktima e sotme në restorantin në Dajt, 30-vjeçari Enton Nikaj njihet si person me precedent penalë, pasi rezulton të jetë dënuar në vitin 2006, për vrasje me paramendim dhe armëmbajtje pa leje. Në profilin e tij në “Facebook” duket se Nikaj bënte një jetë luksoze, pasi ka publikuar fotografi të shumta me makina të shtrenjta, apo pushime në resorte të njohura në botë.

VRASJA NE VITIN 2006
Në korrik të vitit 2006, Enton Nikaj është marrë në cilësinë e të pandehurit për një ngjarje kriminale, si pasojë e së cilës kishte humbur jetën shtetasi Erlin Shepllo. Nikaj dhe Shepllo ishin të njohur të njëri-tjetrit, por mes tyre kish lindur një konflikt në lidhje me shitblerjen e jashtëligjshme të një arme tip pistolete. Duke pretenduar se viktima, si hakmarrje për mosdhënien e pistoletës, kishte djegur pjesërisht automjetin tip BMW, me targa të Fierit që posedonte shtetasi Enton Nikaj, ky i fundit së bashku me shokët e tij kanë organizuar vrasjen e shtetasit Shepllo. Kështu në datë 25.02.2006, pasi e kanë thirrur nëpërmjet celularit viktimën, e kanë takuar dhe së bashku me makinë janë drejtuar për në Shish-Tufine, ku Enton Nikaj e ka qëlluar disa herë me armë tip pistolete shtetasin Erlin Shepllo.

SHERRI PER PARAKALIMIN
Ndërkohë dy vite më parë Enton Nikaj bashkë me shtetasin Gramoz Tota u konfliktuan me shtetasin Albert Çeliaj, pasi ky i fundit i parakaloi në rrugën që të çon për në Sanatorium. Përplasja verbale më pas u shndërrua në konflikt me armë. Enton Nikaj u dënua me 2 vjet e 6 muaj burg për shkatërrim prone ndërsa Tota me 15 vite burgim për vrasje me paramendim të mbetur në tentativë.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb