ELBASAN- Shëndetësia elektronike do të sjellë një shërbim sa më transparent për pacientët shqiptarë, por do të ngushtojë edhe hapësirat për korrupsion. Kjo ka qenë deklarata e bërë nga Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, dje gjatë një vizite që ka kryer në Spitalin Rajonal të Elbasanit ku ka mirëpritur Nëndrejtorin e Përgjithshëm të USAID-it për Evropën dhe Euroazinë, Thomas Melia dhe Drejtorin e Programit të USAID-it për Shqipërinë, Marcus Johnson.

Ndërsa ka theksuar se shërbimi i Telemjekësisë ka shkurtuar distanca dhe barriera, Beqaj bëri me dije se investimet në sektorin e shëndetësisë do të vazhdojnë si në infrastrukturë, ashtu edhe në burime njerëzore.

“Shëndetësia Elektronike, Telemjekësia na bën të mundur të rrëzojmë apo të shkurtojmë barriera financiare apo distanca gjeografike, dhe padyshim bëjmë të mundur që edhe mjekët specialistë në Spitalin Rajonal të Elbasanit të mund të vendosin diagnoza më të sakta, në mënyrë që të përcaktojnë edhe terapi më efektive. Unë besoj se Shëndetësia Elektronike na ndihmon që të rrëzojmë ca barriera administrative, të ofrojmë shërbim më transparent. Ky aktivitet sot përkon edhe me Javën e Inovacionit që po zhvillohet nga qeveria shqiptare, dhe praktikisht sot, shërbimet online për të qenë më pranë qytetarëve, për të shmangur radhë, për të administruar radhë më transparente janë sot shumë më të përhapura. Por besoj se të gjitha së bashku do të na bëjnë që shpejt të mund të kemi rezultate të frytshme për të ofruar një kujdes shëndetësor më të mire, sepse në radhë të parë qytetarët tanë e meritojnë një gjë të tillë”, ka pohuar Ministri i Shëndetësisë.

Nga ana tjetër ai nuk ka harruar të theksojë edhe rolin e infermierëve në sektorin e shëndetësisë, duke pohuar se përgjatë këtyre dy viteve të fundit ata nuk janë më vetëm shkrues dhe referues për pacientin, por janë profesionistë të vërtetë në përdorimin e teknikave modernë në shëndetësi.

“Programi kombëtar i Kontrollit Bazë Shëndetësor e ka bërë praktikisht infermierin nga një njëri që vetëm shkruante dhe referonte, e ka bërë një person që sot bën kujdes shëndetësor. Infermierët sot në Qendra Shëndetësore përdorin teknika moderne të marrjes së gjakut, dinë të përdorin një EKG dhe përdorin të gjithë teknologjinë e informacionit. Apo nga ana tjetër, infermierët të cilët punojnë në sallat e operacionit fillimisht në Tiranë prej javës së kaluar, por deri vitin e ardhshëm në të gjithë vendin, do të punojnë në salla kirurgjikale me pajisje të reja, me instrumenta të rinj, me procedura komplet moderne pune, dhe me jë ndryshim të zinxhirit se si funksionon trajtimi i pacientit”, ka theksuar Beqaj duke kujtuar se këtë vit në të gjitha institucionet arsimore do të zbatohet edhe ligji i ri për Arsimin e Lartë.

Sa i përket Telemjekësisë, kreu i shëndetësisë pohoi se gjatë katër viteve të fundit, përdorimi i kësaj teknike për vendosjen e diagnozave apo konsultave në distancë ka sjellë edhe një kursim të parave në sektorin shëndetësor. “Ne jemi angazhuar për Mbulim Universal, dhe kjo është një e drejtë që u jepet qytetarëve, ai është i domosdoshëm të arrihet me Cilësi Universale dhe Akses Universal. Dhe pikërisht, Telemjekësia rrëzon barriera apo shkurton kohë në distancë. Siç edhe e shpjeguan shumë mirë mjekët specialistë edhe në Spitalin e Elbasanit, duke konsideruar një rast traume të ditës së djeshme, pas telekonsultimit me Shërbimin e Neurokirurgjisë në QSUT në Tiranë, u vendos që nuk qe e nevojshme që të transportohej pacienti, por u dhanë këshillat e nevojshme për mënyrat që ai duhet të ndiqet në ditët e ardhshme. Është bërë një vlerësim së fundmi që nga zbatimi i programit të telemjekësisë nga 2012-2015, pra në katër vjet, kostoefektiviteti i këtij programi ka qenë rreth 3 milionë dollarë” ka pohuar ministri Beqaj.

Gjatë vizitës në Qendrën e Telemjekësisë Ministri Beqaj pohoi për gazetarët se “Tashmë e dini që edhe këtu funksiononin Qendra e Telemjëkësisë dhe sigurisht nendrejtorit për Evropën të USAID i bënë prezantimin e zbatimit të këtij projekti, duke shprehur në radhë të parë falënderimin për ndihmën bujare që USAID ka dhënë për shëndetësinë shqiptare në 25 vjet dhe janë praktikisht 44 milionë dollarë të shpenzuara për shëndetësinë. Në mënyrë të veçantë projekti i telemjekësisë prej disa vitesh është zbatuar në mënyrë të suksesshme dhe tashmë është në mbyllje të ciklit të tij. Janë 2.5 milion dollarë investime shumë të rëndësishme, dhe padyshim që ky projekt i telemjekësisë ndihmon shumë edhe në zbatimin e angazhimeve që ka qeveria në shëndetësi.

Sepse nëse ne jemi angazhuar për mbulim universal, dhe kjo është një e drejtë që u jepet qytetarëve, ai është i domosdoshëm të arrihet me cilësi universale dhe akses universal. Dhe pikërisht Telemjekësia rrëzon barriera apo shkurton kohë në distancë. Siç edhe e shpjeguan shumë mirë mjekët specialistë edhe në Spitalin e Elbasanit, duke konsideruar një rast traume të ditës së djeshme, pas telekonsultimit me Departamenti ne Traumës në Spitalin e traumës në Tiranë u vendos që nuk qe e nevojshme që të transportohej pacienti, por u dhanë këshillat e nevojshme për mënyrat që ai duhet të ndiqet në ditët e ardhshme. Është bërë një vlerësim së fundmi që nga zbatimi i programit të telemjekësisë nga 2012-2015, pra në katër vjet, kostoefektiviteti i këtij programi ka qenë rreth 3 milionë dollarë”.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: