NGA FATMIR POPJA*

ELBASAN- Në mbledhjen e radhës të këshillit bashkiak të bashkisë Elbasan këshilltarët e grupimit të djathtë kanë ngritur si shqetësim serioz çështjen e strehimit dhe atë të respektimit të të drejtave të komunitetit rom në këtë qytet. Sipas këshilltares së PD, Albana Nuredini, çështja e strehimit të familjeve të komunitetit rom është një nga problemet më serioze me të cilin duhet të merret pushteti vendor.

“Gjendja në të cilën jetojnë familjet rome janë skandaloze dhe në një situatë të tillë jam e detyruar t’i kërkoj këshillit bashkiak dhe kryebashkiakut Qazim Sejdini që ta shohin me prioritet çështjen e strehimit të familjeve rome pasi edhe lagjja ku ata jetojnë është ndër më të varfrat dhe me infrastrukturën më të prapambetur në këtë qytet”, tha Nuredini.

Edhe kreu i grupimit të këshilltarëve të opozitës, Blendi Himçi ka shprehur të njëjtat shqetësime për situatën me të cilën përballen familjet rome në Elbasan. Por nga ana e tij kryebashkiaku Qazim Sejdini u është kundërpërgjigjur akuzave të këshilltarëve të djathtë me shifra dhe fakte. Sipas tij, gjithçka thuhet nga opozita janë spekulime. E vërteta sipas Sejdinit është krejt ndryshe. “Bashkia ka bërë dhe do të bëjë gjithçka është e nevojshme për të garantuar një jetë normale për fëmijët romë. Në lagjen “Rrapishtë” është në funksion jo vetëm kopshti por dhe shkolla 9-vjeçare ku në bazë të një projekti të MAS studiohet edhe gjuha rome. Jo vetëm kaq por mjaft banesa janë rikonstruktuar me fonde qeveritare dhe donacione dhe të paktën 36 familje rome kanë përfituar strehim me Bonus”, tha Sejdini.

Ndërkaq gjatë mbledhjes së fundit të këshillit bashkiak të Elbasanit u diskutua edhe rreth eliminimit të pasojave të shkaktuara nga moti i keq. “Ato do të eliminohen brenda disa javëve”, deklaroi kryebashkiaku. Sipas tij do rindërtohen tri ura tip “bejli”. Njëra prej tyre do të ndërtohet në fshatin Broshkë mbi Shkumbin, ku pas shkatërrimit të urës ekzistuese  kanë mbetur të izoluar mijëra banorë dhe disa qindra nxënës pa mësim.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb