Masakër në Elbasan! Persona ende të paidentifikuar dhe të veshur me uniforma policie kanë qëlluar me breshëri automatiku drejt një lokali. Në shënjestër të sulmit thuhet se kanë qenë 11 persona.

Ngjarja është regjistruar mbrëmjen e sotme pranë stadiumit “Elbasan Arena”, ku kanë mbetur të vrarë të paktën 3 persona. Ndërkohë, burime zyrtare nga Policia e Shtetit deklarojnë se ka dyshime që 8 persona kanë mbetur të plagosur, dy nga të cilët janë në gjendje të rëndë për jetën.

Ndërkaq, mësohet se gjendja e të plagosurve paraqitet kritike për jetën, ndërsa 6 prej tyre janë transportuar drejt spitalit të Traumës në kryeqytet me helikopter të Ministrisë së Mbrojtjes, që është ulur në stadiumin ‘Elbasan Arena”. I gjithë Elbasani është si në shtetrrethim, ndërsa kjo regjistrohet si ngjarja më e rëndë në këto 25 vitet e fundit për këtë qytet.

Dyshohet se ngjarja ka ndodhur për hakmarrje, ku të përfshirë janë fiset Çapja dhe Mema.

Burime zyrtare bënë me dije se është rrethuar lagja “Krastë” si dhe zona pranë stadiumit për të bërë të mundur lokalizimin dhe kapjen e autorëve të ngjarjes. Sakaq, forcat e rendit kanë ngritur postblloqe në disa rrugë hyrëse-dalëse në qytet. Menjëherë në ndihme të policisë së Elbasanit janë nisur forcat speciale ‘Renea’, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë e Tiranës si dhe FNSH e Fierit. Po ashtu, në gatishmëri janë vënë dhe forcat policore të komisariateve Lushnjë, Fier, Berat si dhe Durrës.

DREJTORI I SPITALIT TË TRAUMËS: 3 TË PLAGOSUR NË RREZIK PËR JETËN
Ora 23:00- Drejtori i Spitalit të Traumës, Gjovalin Bushi deklaroi se 3 prej të plagosurve që kanë mbërritur nga Elbasani janë në gjendje të rëndë dhe rrezikojnë jetën. Bushi tha se ata mund t’i nënshtrohen operacionit. Sipas tij, të plagosurit kanë plagë pothuajse në të gjithë trupin.

“Aktualisht mendohet që 3 janë në gjendje të rëndë, 3 në gjendje të stabilizuar. Do t’i nënshtrohen ekzaminimeve. Njëri nga të plagosurit ishte me puls të dobët, të tjerët të stabilizuar. Nga plagët e mëdha kanë dhimbje. Dy ishin në gjendje shoku. Këta 3 në gjendje të rëndë janë çdo moment të rrezikuar, 2 prej tyre mund t’i nënshtrohen ndërhyrjeve kirurgjikale. Kanë plagë në të gjithë trupin, kokë, gjoks, etj”, deklaroi Bushi.

TAHIRI DHE ÇAKO NË ELBASAN
Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri ka mbërritur në Drejtorinë Vendore të Policisë në Elbasan, pas ngjarjes së rëndë ndodhur pak orë më parë në këtë Qark. Ministri Tahiri dhe Drejtori Çako ndodhen në ambientet e Drejtorisë. Ndërkohë forcat speciale RENEA dhe FNSH kanë nisur kontrolle në banesa dhe akse rrugore, në kërkim të autorëve të krimit.

MBËRRIJNË NË SPITAL 6 TË PLAGOSUR
Ora 22:20- 6 prej të plagosurve të masakrës së Elbasanit kanë mbërritur në Qendrën Spitalore të Traumës, ish-ushtaraku në kryeqytet. Ata janë transportuar me helikopter nga Elbasani. Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj ndodhet në QST, ndërsa më herët ka deklaruar se gjithë stafi mjekësor ndodhet në dispozicion. Nga momenti në moment, ngjarja merr përmasa edhe më të frikshme.

tirane-mberrin-i-plagosuri-2-jpg

EMRAT E VIKTIMAVE
Agron Capja
Ardit Sinakoli
Eno Bedalli.

TE PLAGOSURIT
Ardian Zharri
Fjzulla Çapja
Ferit Muça
Luan Muça
Bujar Reshka
Florenc Çapja
Arnold Çapja.

IDENTIFIKOHEN DY VËLLEZËRIT E VRARË
Ora 21:30-Dy nga viktimat dyshohet se janë me mbiemrin Çapja, njëri prej të cilit quhet Florenc, të afërm me biznesmenin Sokol Çapja, të vrarë në vitin 2004. Ndërsa viktima tjetër dyshohet se është Florian Muço. Kjo ngre dyshime se masakra e Elbasanit mund të ketë lidhje me vrasjen e Sokol Çapjes, ish-pronarit të lokalit “Univers” të vrarë disa vite më parë në të njëjtën mënyrë për motive hasmërie. Po kështu, thuhet se personat që qëlluan me armë ditën e sotme ndaj lokalit lëviznin me një automjet ngjyrë gri dhe hapën zjarr nga automjeti. Dyshohet se ata kanë lidhje me fisin Mema, prej kohësh në hasmëri me fisin Çapja.

POLICIA: DYSHOHET PËR HAKMARRJE
Policia e Shtetit ka reaguar për ngjarjen që ka tronditur jo vetëm Elbasanin. Policia thotë se është krijuar perimetri rrethues ku janë bllokuar të gjitha pikat hyrëse e dalëse me Elbasanin. “Paraprakisht dyshohet se ngjarja ka ndodhur për hakmarrje për ngjarje të ndodhura me pare”, shkruan Policia.

DEKLARATA
Ne lidhje me ngjarjen e ndodhur ne Kraste ne Elbasan ku dyshohet se nga disa persona eshte qelluar me arme ne drejtim te një lokali dhe per pasoje dyshohet se kane humbur jeten dy shtetas dhe jane plagosur 4 persona te tjere, nga te cilet dy jane ne gjendje shume te rende ne spital. Menjehere ne ndihme te policise se Elbasanit jane nisur forcat speciale

RENEA, FNSH e Tiranes, FNSH e Fierit. Jane angazhuar forcat policore te komisariateve Lushnje, Fier, Berat, Durres. Eshte krijuar perimetri rrethues ku jane bllokuar te gjitha pikat hyrese e dalese me Elbasanin. Paraprakisht dyshohet se ngjarja ka ndodhur per hakmarrje per ngjarje te ndodhura me pare.

MASAKRA, ZBRAZEN RRUGË DHE LOKALET, NJERËZIT MBYLLEN NËPËR SHTËPI
Forcat e Policisë kanë rrethuar qytetin e Elbasanit pas ngjarjes së rëndë. Policia ka bllokuar qarkullimin në të gjithë aksin rrugor Elbasan-Librazhd, si dhe ka ngritur shumë postblloqe për të kapur autorët e masakrës.
policia Elbasan
Ndërkohë, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka urdhëruar dërgimin e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, të cilat kanë rrethuar qytetin e Elbasanit. Pas kësaj ngjarjeje, rrugët dhe lokalet e qytetit janë zbrazur që të gjitha dhe njerëzit janë mbyllur nëpër shtëpitë e tyre.

(ed.me/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: