Është mbyllur me sukses gara për kreun e ri të Forumit Rinor Eurosocialist Shqiptar. Pas mesnate, KQZ-ja në FRESSH ka publikuar edhe rezultatin përfundimtar të votimeve.

Kështu Eljo Hysko është kryetari i ri i FRESSH- it, pas mbylljes me sukses të procesit të votimit, në të cilin morën pjesë plot 24581 anëtarë. Ai fitoi me 10182 vota, me një diferencë prej 2476 votash nga Shpati Kolgega që u rendit i dyti.

Kjo pjesëmarrje shënon dhe numrin më të lartë të votuesve të realizuar ndonjëherë nga një forum rinor.
Sekretarja për Rininë në Partinë Socialiste ka përshëndetur gjithë procesin e votimit dhe numërimit, si dhe ka uruar kryetarin e ri dhe ekipin drejtues.

Pas votimit nga ora 07.00 deri në 19.00, në qendrat e votimit votuan 24581 anëtarë të FRESSH, sipas Spiropalit, numri më i lartë i votuesve realizuar ndonjëherë nga një forum rinor.

Rezultati i nxjerrë nga KQZ-ja vijon si më poshtë:

1- Eljo Hyska 10182
2 – Shpati Kolgega 7706
3 – Elsamed Mukaj 2742
4 – Marinela Rukia 1522
5 – Erjo Mile 1323
6 – Jonida Spaho 527
7- Ana Abdi 462
8 – Ermal Petushi 387

“Urime Eljos, Kryetarit të ri të FRESSH! Urime Shpatit dhe Elsamedit, dy nën-kryetarëve! Urime 5 anëtarëve të rinj të kryesisë!”, u shpreh Spiropali.

Procesi për zgjedhjen e kryetarit të FRESSH-it u zhvillua dje, i qetë dhe pa probleme. Rreth 207 qendra të votimit, të shtrira në të gjithë vendin, kanë qëndruar hapur nga ora 07:00 e mëngjesit e deri në orën 19:00 të mbrëmjes. Pas përfundimit të procesit të votimit, KQZ-ja ka nisur procesin e numërimit dhe rreth mesnatës ka arritur të publikojë rezultatin përfundimtar.

Zgjedhja e kryetarit të ri të FRESSH-it shënoi finalizmin me sukses të një procesi të gjatë, ku 8 kandidatët zhvilluan takime të ndryshme me të rinjtë në të gjithë Shqipërinë, duke shpalosur idetë dhe platformën e tyre.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: