Vajza e shkrimtarit të ndjerë, Dritëro Agolli, Elona nëpërmjet një statusi në Facebook ka përshkruar gjestet e fundit të tij pak para se t’i dorëzohej vdekjes në pavijon.

Ajo thotë se Dritëroi kur u përmend, ndoshta për herë të fundit, kërkoi një letër dhe stilolaps për të shkruar diçka.

Këtë letër ajo e ka shpërndarë në “Facebook” së bashku me momentet e fundit me të atin.
Hieroglifet

STATUSI I PLOTE I VAJZES SE AGOLLIT
Atë ditë që shpresat e mjekëve për të hequr ato tuba që drejtonin frymëmarrjen e babit u bënë të mëdhaja , pasi ai po përpiqej vetë të frymëmerrte edhe gëzimi ynë ishte i madh. Pas orëve të zgjatura në gjendje gjumi, babi hapi sytë e po na vështronte. Edhe ai po e ndjente që po dilte nga një gjumë i rëndë e rraskapitës; rraskapitës pasi tubat e tërë ato pajisje dukej që e bezdisnin fort. Shihte sytë e Sadijes dhe kokat tona e kërkonte të fliste, të komunikonte. Ne i thonim e bënim me shenja që të mos lëvizte shumë e të kishte pak durim, pasi për pak do i hiqte ato tuba e do fliste si të donte.
Atëherë ai bëri me shenjë që donte stilolaps e letër që të shkruante. I sollën një fletë letre e një dosje të kuqe ku të mbështeste letrën. Me dorën që i dridhej nisi të shkruante, por ah sa dhimbje: Koka e mbështetur në atë krevat reanimacioni, dhimbjet e trupit dhe te shpirtit, tërë ato tubacione të formave e dimensioneve të ndryshme, gypa në fyt, anash qafës disa si fije të holla që nuk kuptoheshin çfarë funksioni kishin, një mishmash pajisjesh.
E jo vetëm aq; në një sallë gjigande, pranë e pranë të ngjashmish, vuajtës e bashkëvuajtës, me shpresa e të pashpresë, me fytyra të zbehta e ngjyrë hiri, në mosha të reja por edhe në mosha të thyera (paçka se mosha pak rëndësi ka në atë pavion që për mua trishtueshëm thënë ishte pavioni i vdekjes, pasi aty qava kujshëm të shenjtin e të shtrenjtin tim, aty ndjeva duart e ftohta akull, aty pashë ngjyrën e të mosqënit në jetë, atë ngjyrë që askurrherë nuk e kisha çuar nëpër mend për të bukurin Atin tim), në atë sallë pra, ishte e pamundur që dora të shkiste e të formonte shkronja, fjalë, fraza.
E megjithatë disa iniciale, E,A, një grupim inicialesh, vështirë të kuptueshme, babushi im arriti t’i bënte. Gjithsecili nga ne ëndërronte që ato të ishin shkruar për çdonjërin: Mami thoshte që ja, Dritëroi nuk më pa që isha aty e donte të shkruante: Ku është Sadija ?
E ndoshta kishte të drejtë. Edhe infermieret shpreheshin që Dritëroi thërret veçse Sadijen kur zgjohet.
Tani, sigurisht mendonte që Dritëroi donte të shkruante për Tanin, amanetet e tij .
Dhe unë po ashtu mendoja vetmevete: Ja, babushin e ka marrë malli për mua, donte të shkruante diçka për vajzën e tij dhe bijën e çmuar të tij.
Ende dhe sot ditën që shkruaj nuk e kam zbërthyer dot atë tog hieroglifesh, të fundmet kompozime gërmash të shkruara nga dora e bukur e atit tim (duart e babit janë vërtet të pakrahasueshme në bukurinë e tyre, të holla e elegante, gishtërinj të gjatë e të drejtë, lekurëlëmuar derisa mbylli sytë, pëllëmbë e bukur e në dimensione çuditërisht shumë harmonike në tërësinë e dorës).
E megjithatë ai shkroi; një dëshirë ndoshta e pashprehur dot me fjalë, një amanet a testament qoftë.
Ai la përsëri gjurmën e bojës në letër si amaneti më fisnik i vazhdimit të mbajtjes gjallë të veprës së tij, botimit të dorëshkrimeve, botimit e ribotimit të veprave të tij botimit të pathënave që sa ishte në jetë hezitoi t’i përshfaqte e të shihnin dritën e botimit.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb