TIRANE- Një nga djemtë më të lakmuar kosovarë, Elvis Gjini i “Big Brother 5”, do të bëhet baba në shkurt të vitit 2015. Modeli nga Prishtina flet për martesën me pediatren 22-vjeçare dhe jetën e re që kanë nisur bashkë në Suedi. Ai tregon arsyen pse vendosi t’u thoshte “jo” ofertave që iu bënë nga televizionet shqiptare dhe ndjesitë e kryefamiljarit 26-vjeçar.
Jeni në pritje të fëmijës suaj të pare me Mërgimen, bashkëshorten tuaj. E kishit planifikuar një fëmijë në fillim të martesës?
Unë me gruan time Mërgimen jemi të martuar që prej një viti e gjysmë. Kishim shumë dëshirë që të kishim një fëmijë së bashku, dhe desh Zoti që tani të presim engjëllin tonë. Engjëlli ynë që mezi po presim ta kemi në krah, vjen në jetë diku nga gjysma e muajit shkurt. Nëse do të jetë vajzë apo djalë, këtë do e mësojmë ditën e lindjes, pasi ka qenë dëshira jonë që gjinia e fëmijës të mbetet surprizë.
Cila është jeta që bëni si të martuar, pasi duket se kaloni shumë kohë bashkë me gruan?
Nusja ime Mërgimja ka studiuar për Pediatri, profesion që do e ushtrojë më vonë, ndërsa unë për momentin punoj si menaxher në një restorant këtu në Suedi, qytet në të cilin jemi vendosur që prej tre muajsh. Bëjmë një jetë shumë të lumtur së bashku dhe mendojmë të vazhdojmë të jetojmë këtu.
Çfarë ju shtyu të krijonit familje në moshë kaq të re, krahasuar me moshatarët tuaj?
E vërtetë që jemi shumë të rinj. Unë jam 26 vjeç, ndërsa nusja ime është vetëm 22 vjeçe. Por në dashuri nuk bëhen plane dhe, nëse e gjen njeriun e duhur, ia vlen ta hedhësh këtë hap të rëndësishëm në jetë. Ne jemi shumë të dashuruar dhe kjo ka qenë arsyeja, që kemi nisur dhe një fëmijë së bashku. Dashuria për mua është një gjë shumë e madhe për t’u përshkruar me fjalë. E vetmja fjalë që mund të them dhe që besoj në të, është se ne kemi lindur për njeri-tjetrin dhe me të vërtetë jemi shpirtra binjakë.
Publiku shqiptar të njohu në “Big Brother 5”, ndërkohë që në Kosovë njihesh si model. Pas famës t’u afruan më shumë femrat apo bizneset për projekte?
Pasi dola nga “BB” unë njoha gruan time dhe sigurisht që më ndryshoi jeta, ndaj jam shumë i lumtur për këtë hap që kam ndërmarrë. E, të them të drejtën, nuk kam qenë i interesuar për ndonjë ofertë tjetër, thjesht kam dashur t’i përkushtohem partneres sime.
Po thua që ke pasur oferta në modë dhe televizion?
Po, kam pasur oferta të ndryshme dhe këtë e dinë të gjithë, por i kam refuzuar, pasi nuk kam dashur të merrem me televizion. Arsyeja: pasi për t’u marrë me televizion në trojet shqiptare, mua më është dukur një punë e pavlerësueshme dhe vetëm humbje kohe.
Kjo pritje e ëmbël e fëmijës së parë në familjen tuaj përkon me festat e fundvitit. Si keni menduar t’i ndërroni vitet?
Krishtlindjet do i kalojmë së bashku në shtëpinë tonë, ndërsa Vitin e Ri do e festojmë me të gjithë të afërmit, të cilët jetojnë në Suedi dhe Norvegji. Dhe, meqë jemi në këtë atmosferë festash, do doja të jepja një mesazh për të gjithë djemtë e rinj, të cilët ngurrojnë të krijojnë familje në moshë të re. U them atyre se nëse vërtet ndihen të dashuruar, s’kanë pse të ngurrojnë, pasi të krijosh familje me një grua që e dashuron është maksimumi i një jete. S’besoj se ka jetë më të lumtur se kjo.
(ma.ar/Panorama Plus/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: