TIRANE- Partia Demokratike akuzon qeverinë Rama se po “përgatit” largimin nga shkollat të mësuesve në varësi të bindjeve politike. Në një deklaratë për mediat, deputeti demokrat Luciano Boçi tha se “nga Drejtoria Rajonale të Tiranës, u është dërguar një email drejtuesve të shkollave, ku u kërkohet të bëjnë raport të plotë për punonjësit e tyre dhe për bindjet e tyre politike”.

Sipas Boçit kjo bëhet me qëllim për të larguar nga puna ata mësues që kanë bindje të ndryshme politike.

JA DEKLARATA E PLOTE
Politikat e vërteta të Edi Ramës në Arsim nuk janë ato që deklarohen me fjalë e propagandë.
Shihni se si menaxhohet në fakt arsimi, në Drejtorinë Rajonale të Tiranës.

Ky email që po ju tregojmë në ekran u ka shkuar të paktën 76 shkollave të kryeqytetit, ku shefat e arsimit u kërkojnë drejtuesve të shkollave, të bëjnë raport të plotë për punonjësit e tyre dhe për bindjet e tyre politike.

Më 27 korrrik, ka mbërritur në shkollat e Tiranës një porosi urgjente, ku i kërkohet drejtorëve që deri të nesërmen në orën 11, duhet të dërgojnë listën e stafit dhe përbri, thotë urdhri, bindjen politike për secilin.

Ky skandal paralajmëron fshesën e re që ka ndërmend të bëjë qeveria me mësuesit përpara fillimit të vitit të ri arsimor.

Edi Rama kërkon të kapë kështu çdo segment të arsimit në vend, për ta mbushur me militantë. Ai i sheh shkollat si organizata të partisë ku meritojnë të jenë në punë vetëm militantët e tij.
Kjo është një goditje fatale që i jepet shkollave dhe mësimdhënies në vend, duke larguar mësues me përvojë e profesionistë dhe duke i zëvendësuar ata me vëzhgues, komisionerë e numërues të Partisë Socialiste.

Edi Rama dhe mercenarët e tij në arsim, do të mbajnë përgjegjësi për këtë dëm që po i sjellin shkollës dhe edukimit të fëmijëve tanë.

dokumentio baltosni punën tne

DAR TIRANË: BALTOSJE E PUNËS SONË 2 VJECARE
Pas akuzave që vijnë nga selia blu, vjen edhe reagimi i drejtoreshës së Drejtorisë Arsimore Rajonale të Qarkut Tiranë, Eglantina Metani, e cila thotë se nuk ka asnjë kërkesë nga ajo për tu informuar mbi bindjet politike të mësuesve në shkollat e Qarkut të Tiranës.

“Dëshpërimi i atyre që nuk duan të shohin reformat e ndërmarra në arsimin parauniversitar ka arritur kulmin. Në përpjekje për të baltosur punën e bërë në këto dy vjet nga Drejtoria Arsimore Rajonale e Qarkut Tiranë, ditët e fundit në adresën time të email-it janë ndërmarrë disa sulme që tentonin të thyenin fjalëkalimin për të përdorur me pas atë llogari. Fatkeqësisht, edhe pse dështuan me adresën time të postës elektronike, viktimë e këtij sulmi ka rënë asistentja ime, të cilës me sa duket jo vetëm i është thyer fjalëkalimi, por llogaria i është përdorur edhe për qëllime të ulëta politike. Nuk ka asnjë kërkesë nga institucioni që unë drejtoj për tu informuar mbi bindjet politike të mësuesve në shkollat e Qarkut të Tiranës. Për ne, shkolla është e depolitizuar dhe siç treguam në zgjedhjet e fundit të qershorit, koha kur mësuesit përfshiheshin në fushata elektorale ka marrë fund”,- tha Metani.

“Dëshiroj t’i kërkoje ndjesë çdo mësuesi që mund të jetë ofenduar profesionalisht nga akuzat e përcjella në media nga përfaqësues të partive politike. Koha kur mësuesit përdoreshin politikisht nga eprorët ka mbaruar, pasi kjo administratë është e vendosur për t’i mbajtur plotësisht të depolitizuara institucionet arsimore”,- përfundon ajo.

(b.e/ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: