TIRANE- Në kuadër të Ditës Evropiane të Mbrojtjes së të Dhënave Personale, Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale prezantoi pullën e emetuar nga Posta Shqiptare. Ceremonia për prezantimin e pullës është aktiviteti kulmor me këtë rast dhe u zhvillua në mjediset e Galerisë Kombëtare të Arteve.

Besnik Dervishi vlerësoi se “28 Janari është një ditë e rëndësishme për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Ndërgjegjësimi i qytetarëve është një nga detyrat kryesore të Autoritetit për të mbikëqyrur me efektivitet zbatimin e legjislacionit në këtë fushë. Shpreh vlerësimin për bashkëpunimin që Zyra e Komisionerit ka patur me Komisionin Shtetëror të Pullës Postare, ish-Ministrin e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike dhe Postën Shqiptare”.

Drejtori i Përgjithshëm i Postës Shqiptare, Laert Duraj, në fjalën e tij tha se “çdo pullë është një histori, dhe jam i lumtur që Posta Shqiptare është sot në këtë aktivitet të rëndësisë kombëtare”, shkruan “ata”.

Pulla postare “28 Janari – Dita Evropiane e Mbrojtjes së të Dhënave Personale” është një iniciativë e Zyrës së Komisionerit dhe përfaqëson në të gjithë elementët e saj konceptin e mbrojtjes së privatësisë dhe sidomos, marrëdhënien që ka sot individi me teknologjinë. Komisioni Shtetëror vlerësoi kërkesat dhe sugjerimet e Zyrës së Komisonerit dhe e përfshiu pullën në tematikat e parashikuara për t’u emetuar gjatë vitit 2017. Dizajni fitues në konkursin e realizuar nga Posta Shqiptare i përket piktorit Artion Baboçi. Pulla “28 Janari – Dita Evropiane e Mbrojtjes së të Dhënave Personale” ka dalë për herë të parë në qarkullim në 28 dhjetor 2017. Ajo ka përmasa 40×30 mm dhe emisioni përbëhet vetëm nga një pullë me vlerë 2500 lekë.

Këshilli i Evropës miratoi në vitin 1981 Konventën 108 “Për mbrojtjen e individëve në lidhje me përpunimin automatik të të dhënave personale”. Ndërsa, në vitin 2006, Këshilli i Ministrave të Këshillit të Evropës vendosi kremtimin e “Ditës së Mbrojtjes së të Dhënave Personale” çdo 28 janar, pasi në këtë datë Konventa 108 e KiE u hap për nënshkrim nga të gjitha vendet anëtare të kësaj organizate. Shqipëria e ratifikoi Konventën 108 dhe Protokollin Shtesë të saj në vitin 2004. 28 Janari kremtohet tashmë në shkallë botërore dhe njihet jashtë Evropës si Dita e Privatësisë.

Në mjediset e Galerisë Kombëtare të Arteve u zhvillua edhe ceremonia e ndarjes së certifikatave për pjesëmarrësit e Shkollës Dimërore “Informim dhe Privatësi”. Ajo u organizua në datat 25-26 janar 2018 në bashkëpunim me Universitetin Mesdhetar dhe ishte pjesë e aktiviteteve që Zyra e Komsionerit organizon në kuadër të Javës së Mbrojtjes së të Dhënave Personale.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: