Policia italiane ka arrestuar tre shqiptarë të përfshirë në një përplasje me armë. Bëhet fjalë për shtetasit Joland Muliu, 28 vjeç; Gjergji Piku, 21 vjeç dhe Aurel Xhili, 22 vjeç.

Pasditen e djeshme, pas një përplasje mes një grupi shqiptarësh që përfundoi me të shtëna me armë zjarri në sheshin “San Pietro” policia italiane  gjeti dhe sekuestroi disa gëzhoja.

Në të njëjtën kohë, në një klinikë lokale, mbërritën për të marrë mjekim pas plagëve me armë zjarri, 28-vjeçari Muliu dhe 21-vjeçari Piku.

Agjentët filluan hetimet për të rindërtuar të gjithë historinë, që kishte nisur nga një makinë e parkuar në zonën e jashtme të klinikës, e cila kishte në pjesën e jashtme shtëna shenja të shtënash me armë dhe brenda, sedilja e mbushur me gjak. Po kështu brenda u gjendën edhe dy shkopa bejsbolli, të cilat u sekuestruan nga policia. Në parkim ishte prezent edhe 22-vjeçari Xhili, i cili u arrestua gjithashtu.

NGJARJA
Sherri ka ndodhur në Acerra, Napoli. Sipas hetimeve të para për ngjarjen shkëmbimi i zjarrit ka ardhur pas një sherri mes emigrantësh, nisur me disa shkopa bejsbolli dhe më pas degjeneruar në goditje me armë.

Dëshmitë e para kanë qenë konfuze dhe deri tani nuk është sqaruar se cila ishte arsyeja që shkaktoi aq shumë dhunë. Nuk është sqaruar ende nëse ka pasur vendas të përfshirë në ngjarje.

Ajo që është e sigurt është se për pak ngjarja mund të kishte përfunduar në masakër. Një nga të shtënat me armë ka thyer derën e dyqanit të një luleshitësi, në rrugën “Pennino”, disa hapa nga sheshi “San Pietro”.

Në atë moment dyqani ishte i hapur. Kishte njerëz jashtë dhe brenda. Bizneset e ndryshme të Acerra kanë filluar të qëndrojnë hapur edhe të dielave për shkak të  afrimit të Krishtlindjeve.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: