Nga Aleksandros MALLIAS

Ministri i Jashtëm, Nikola Dimitrov, diplomati më i suksesshëm i FYROM-it, vizitoi Athinën para pak ditësh, me qëllim që të na bindë se një frymë e re mbizotëron tashmë në Shkup. Si ambasador në Uashington, isha aktivizuar në mënyrë metodike dhe të hapur mbi çështjen. Z.Dimitrov ka qenë nismëtari i njohjes së emrit kushtetues nga qeveria Bush në nëntor të vitit 2004, me argumentin se “konsolidohet bashkekzistenca ndëretnike dhe votimi referendues i dekreteve të Kushtetutës”, të cilat u sanksionuan në marrëveshjen e gushtit të vitit 2001, pas përfundimit të ndeshjeve të armatosura midis sllavomaqedonasve dhe shqiptarëve. Me njohuri dhe punë kolektive, udhëhoqi vendin e tij në fitore diplomatike kundër Greqisë në Gjyqin Ndërkombëtar të Hagës.

Njohja e shtetit prej qeverisë amerikane shndërroi në mënyrë vendimtare rrethanat negociatore për emrin kushtetues. Për herë të parë, pas shumë dekadash, dokumenti që dorëzoi te ambasadori (amerikan) Tom Miler, ministri i Jashtëm i Greqisë, Petros Moliviatis, më 4 nëntor 2004, përmbante nocionin “protest”. Vendimi i Hagës lëkundi besimin tonë ndaj institucionit në fjalë, i cili përbënte bazën tonë dogmatike të marrëdhënieve ndërkombëtare pas rehabilitimit të demokracisë (në vitin 1974). Argumentoi në disfavorin tonë Marrëveshjen e Ndërmjetme dhe vendimin 817 (më 7 prill 1993) të Këshillit të Sigurimit. Vendimi 817, rezultat i një përpjekjeje epike diplomatike e Kostandinos Mitsotakis, Mihalis Papakostandinos, Georgios Papoulias, si edhe e shumë diplomatëve dhe specialistëve të tjerë të çështjeve ndërkombëtare, përbën bazën ligjore për dimensionet botërore të çështjes së emrit.

Vendimi unanim i Seancës së Nivelit të Lartë të NATO-s në Bukuresht, në prill të vitit 2008, përcakton se “zgjidhja e mëparshme e çështjes së emrit” përbën kusht paraprak për ftesën e anëtarësimit. Vendimi i Bukureshtit pati pasoja. Nuk ishte pa dëme. Ashtu siç ndodh, tek e fundit, me të gjitha vendimet kritike që janë shënuar në histori. Pa pikë dyshimi, kemi bërë edhe ne gabime.

Më kujtohen reagimet e Kondoliza Rais me kritikat intensive ndaj pozicioneve të Greqisë të shprehura prej Dora Bakogianit. Bën disa referime në librin e saj (Rais), por harron më thelbësoret. “Paralajmërimet” e saj të shtunën më 31 mars 2008 në “bisedën telefonike të Lublianës”. Pala amerikane publikoi se ministrja greke komunikoi me Raisin, duke folur me tone të larta.

Kreu i PASOK-ut e kishte karakterizuar me të drejtë në Parlamentin e Grekëve vendimin e Bukureshtit si “akt mbrojtës”. Ishte një strategji rifitimi të peshës së veçantë të Greqisë, si kundrejt Shkupit, ashtu edhe brenda Aleancës, duke pasur dijeni të plotë ndaj rreziqeve dhe pasojave për politikanët protagonistë të çështjes (Kostas Karamanlis, Dora Bakogiani) dhe diplomatët.

Çfarë kishte ndodhur pak më parë? Në shtator të vitit 2007, qeveria e Karamanlisit, me guxim politik, risolli në skenë pozicionin e vjetër të krerëve politikë të vitit 1992. “Emër i përbërë me përcaktor gjeografik kundrejt të gjithëve”, përbën sot konsensusin historik të Greqisë. FYROM-i e refuzoi konsensusin. Zgodhën rrugën e provokacioneve dhe të Aleksandrit të Madh. Këto përpara, jo pas Bukureshtit.

Si kryeministër, Giorgos Papandreou nga tetori i vitit 2009 u takua mbi 10 herë me Nikolas Gruevskin, duke hulumtuar zgjidhje. SHBA e karakterizuan administratën e re si një “mundësi rasti”, duke e konsideruar qeverinë e Karamanlisit si të rreptë dhe jo konstruktive. Megjithatë, politika e “delirit të lashtësisë” u shkallëzua më tej, në vend që të braktisej.

Nikos Kotzias, duke njohur mirë ekuilibrat e brendshëm të koalicionit qeveritar të SYRIZA-ANEL, ndërmori iniciativën para dy vjetësh mbi avancimin e Masave për Ndërtimin e Besimit (MNB). Shkupi, fillimisht u pozicionuan negativisht, në vazhdim me dyshim, derisa ra dakort, përfundimisht.
Sot, qeveria e re e FYROM-it pretendon se gjithçka ndryshon në vendin fqinj. Por, në të vërtetë, të gjitha ngjajnë shumë me të kaluarën: këmbëngulja në Kushtetutën e keqe të vitit 1991 (burimi i ndeshjeve të brendshme etnike dhe i problemeve me fqinjët), propaganda armiqësore dhe i rivendikimeve territoriale, tentativa e anashkalimit të Greqisë në NATO dhe në BE dhe këmbëngulja në pozicionet e mëparshme për emrin.
*Shënim: Z. Aleksandros Mallias ishte përfaqësuesi i parë diplomatik i Greqisë në Shkup (1995-1999) dhe ambasador në Uashington (2005-2009)

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb