Janë 31 ide të shndërruara në projekte inovative që kanë fituar të drejtën të përfitojnë financim nga qeveria shqiptare në kuadër të projektit “Ëndrra ime 2016”. Projektet ka përfshirë fushat e Inovacionit, Turizmit dhe Bujqësisë.

Nga platforma web për publikimin dhe shitjen e librave dixhital në gjuhën shqipe, tek një kanal You Tube me Video-Harta të xhiruara me dron nga lart të qyteteve dhe zonave turistike, nga aplikacioni për të informuar qytetarët mbi oraret dhe itineraret e transportit publik në kryeqytet, te projekti për vendosjen e një sistemi ujitjeje me pika apo një tjetër sistemi antibreshër në një pemëtore.
Këto janë disa nga 31 projektet që u prezantuan gjatë ceremonisë së zhvilluar në përfundim të edicionit të tretë të projektit “Ëndrra ime”, i cili këtë vit është mbështetur financiarisht nga programi IADSA. Në ceremoni merrnin pjesë Zv.Kryeministri Niko Peleshi, ministrja e Inovacionit dhe Administratës Publike, Milena Harito, zv.ministrat e Financave dhe Ekonomisë, si dhe ambasadori Italian në Tiranë, Alberto Cutillo.

Duke çelur takimin, Zv.kryeministri Niko Peleshi ka falenderuar pjesëmarrësit për përfshirjen e tyre në në këtë projekt. “Projekti ëndrra ime është një dritare e vogël, thjesht edhe vetëm për të dhënë shenjën se ka dritare mundësish gjithandej, sapo ju të keni me vete ëndrrën e kthyer në project. Inkurajoj të rinjtë e tjerë, ata që kanë hezituar të aplikojnë, që mund të kenë ëndrra dhe ide, ti kthejnë ato në propozime, në kuadrin e thirjeve të tjera të cilat do të vijojnë projektin e filluar nga Kryeministri “Endra Ime””, ka thënë Peleshi.

Nga ana e saj ministrja Harito është shprehur e kënaqur me nivelin e lartë cilësor të aplikimeve të paraqitur, megjithëse kjo sipas saj e ka bërë edhe më të vështirë përzgjedhjen e fituesve. “Jemi shumë të kënaqur që ka pasur shumë aplikime, jemi shumë të kënaqur që këto aplikime kanë qenë mjaft të mira dhe që në fund kemi 16 fitues shumë cilësorë”, është shprehur Harito. Sipas saj Qeveria ka rolin e saj të rëndësishëm në ngritjen dhe përforcimin e mekanizmave që ndihmojnë gjithë secilin të ecë në drejtim të inovacionit.

Aplikimet për projektin “Ëndrra ime” kanë nisur në muajin dhjetor 2015 dhe janë mbyllur në shkurt 2016. Janë regjistruar gjithsej 176 aplikime, me projekte inovative. Në përfundim të projektit janë përzgjedhur 31 projekte fituese, 16 prej të cilave në fushën e inovacionit, 10 në fushën e bujqësisë dhe 6 në fushën e turizmit.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb