Nga: ENIDA HIMAJ*
TIRANE – “Together” është produksioni muzikor që Eneda Tarifa ka sjellë për publikun. E veçanta e këtij bashkëpunimi është fakti që Joni dhe Eneda janë kushërinj. Edhe pse ai jeton larg Shqipërisë, ajo shprehet se ka një marrëdhënie të ngushtë me të. Deri më tani kënga ka korrur mjaft sukses, si një baladë e veçantë në llojin e vet. Nga ana tjetër, Eneda i është rikthyer ekranit me “Portokalli”. Moderatorja rrëfen se prezantimi është një pasion për të, por muzika është pjesë e pandarë prej 18 vitesh tanimë. Nuk paragjykon as koleget që e tentojnë suksesin me anë të ekstravagancës, edhe pse vetë nuk ka zgjedhur të eksperimentojë ndonjëherë. “Ka këngë dhe këngëtarë shumë të mirë që zhvishen”, – shprehet Eneda. Edhe pse nënë e Arias së vogël dhe në një marrëdhënie shumë të gjatë me partnerin, Erjon Zaloshnja, këngëtarja rrëfen se nuk ka ndër mend për dasmë, duke e konsideruar fustanin e bardhë një simbolikë.
‘Rikthehet’ Eneda Tarifa; a ju kishte munguar muzika?
Jo, nuk jam shkëputur asnjëherë prej saj, kam kënduar çdo fundjavë ‘live’ në club-in “RockStock” dhe më plotëson kjo gjë. Gjithashtu edhe në “Portokalli” kam kënduar shumë shpesh.
Një bashkëpunim brenda familjes… Si ju erdhi ideja për të kënduar me Jonin, ishte një plan i vjetër?
Ishte një plan i vjetër, e dëshironim që të dy. Tani që Joni ka krijuar eksperiencën e vet si këngëtar e muzikant, menduam ta realizonim si dëshirë. Falënderoj Jonin dhe prapavijën e tij, producentët e këngës që më dhuruan një këngë të bukur. Tarifa & Tarifa vjen në këtë prodhim në anglisht me një baladë R&B. Joni e ka konfirmuar me punën e tij në Holandë profesionalizmin dhe të qenët i futur tashmë në tregun e huaj.
Një videoklip ndryshe nga sa jemi mësuar të shikojmë; a keni marrë pjesë dhe ju në formulimin e klipit, krahas interpretimit?
Jo, nuk kam marrë pjesë, sepse djemtë që e kishin marrë përsipër klipin e kishin menduar vetë gjithçka.
Si është pritur kënga, keni marrë deri më tani komente negative?
Kënga është pritur shumë mirë. Është e këndshme e ëmbël për publikun. Nuk kemi marrë komente negative.
Përse zgjodhët ta këndonit në anglisht këngën tuaj, mendoni se ju ka penalizuar disi kjo?
Sepse ashtu është krijuar, në anglisht. Joni i ka të gjitha këngët në anglisht.
Si janë marrëdhëniet me Jonin jashtë muzikës, a jeni ndër ata familjarë që takoheni shpesh?
Sa herë që vjen, takohemi, flasim, nxjerrim mallin. Jonin e kam si vëlla të vogël. Gjithmonë kemi pasur marrëdhënie të veçantë e plot humor.
Ndërkohë jeni rikthyer edhe me “Portokallinë”; si është sezoni i ri për ju?
Si çdo sezon tjetër: i vrullshëm, me energji, me episode të reja dhe me shumë dashuri për programin.
U bë kohë që ju shihnim vetëm si moderatore, duke lënë pas muzikën, klipet të paktën… E keni menduar seriozisht që këtë herë të largoheni nga prezantimi për këngën?
Këngën e kam bërë gjithmonë, por me prodhime të reja e klipe jam marrë pak. Jo, nuk e kam menduar fare, muzikën gjithmonë e kam bërë paralelisht me shkollën, me punët e ndryshme, me masterin, dhe së fundi me prezantimin në “Portokalli”. Por premtoj që do të kem klipe e këngë të reja shumë shpejt.
Çfarë mendoni se ju ka bërë më të famshme, prezenca në “Portokalli” apo muzika?
Unë kam 18 vjet këngëtare dhe 4 vjet në “Portokalli”. Gjykojeni vetë! Megjithatë, të qenët prezent çdo të diel në ekran, në spektaklin më të mirë të humorit, është sigurisht një plus i madh.
Jeni ndër këngëtaret që nuk keni eksperimentuar me ekstravagancën; si i shikoni artistet që tentojnë suksesin me zhveshjen?
Është një mënyrë që e zgjedh artisti vetë. Ndërkohë nuk duhet t’i paragjykojmë këngëtaret dhe këngët prej zhveshjes. Ka këngë dhe këngëtarë shumë të mirë që zhvishen. Thjesht unë nuk kam zgjedhur këtë mënyrë.
A do ta shikojmë ndonjëherë Enedën me fustan nusërie?
Nuk besoj! Fustani i nusërisë është vetëm simbol për mua, jo përmbajtje… Nuk varet asnjë marrëdhënie nga ceremonia e martesës apo fustanit.
Bëni kompromise në jetën tuaj, qoftë edhe për hir të marrëdhënies?
Sigurisht që kompromise bëhen gjithnjë, sepse nuk mendohet më vetëm individualisht, por edhe për tjetrin.
Mendoni se ka ardhur momenti për një vëlla të vogël për vajzën tuaj?
Akoma jo. Jam në kulmin e punëve dhe Aria është akoma e vogël.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: