TIRANE- Gazetarja dhe drejtuesja e emisionit ‘Studio e Hapur’ ka folur në News24 për protestën e opozitës si dhe për modelin qe ndjek ajo. Eni Vasili tha se modeli i protestës në Shqipëri është modeli Berisha, ndërsa Lulzim Basha po flet për revolucion demokratik, pikërisht duke ndjekur modelin e Berishës. Gjithashtu gazetarja Eni Vasili njoftoi se të martën në studion e emisionit ‘Studio e Hapur’ do jetë i ftuar ish- kryeministri Sali Berisha ku do të flasë për protestën e opozitës dhe modelin e ndjekur.

Modeli i protestës në Shqipëri është modeli Berisha. Mund të them se edhe kjo protestë nuk i shpëton modelit të tij. Berisha flet për revolucion demokratik dhe Basha për këtë po flet. Edhe kur thotë 500 mijë qytetarë në shesh, këto terma janë edhe simpatike dhe të bëjnë të vendosësh buzën në gaz, por mendoj se kjo protestë nuk i shpëton modelit të tij”- tha Eni Vasili.

Ndërkohë e pyetur nëse opozita do jetë në seancën plenare dhe nëse do ketë zgjedhje në 18 qershor, Vasili tha se është e rëndë për imazhin e Shqipërisë nëse nuk do ketë zgjedhje. Gjithashtu gazetarja tha se me këtë protestë Basha e ka arritur një fitore.

“Nuk do bënte sens rikthimi në parlament përderisa vazhdon protesta. Mund të kemi edhe surpriza, si përshembull se mund te mbarojë protesta. Por modeli do jetë i njëjtë. Do vazhdojë kështu deri në javën e ardhshme. Mendoj se një fitore Basha e ka arritur. Është ndërkombëtarizuar si problem. Presim të shohim çfarë do thonë ndërkombëtarët. Mendoj se do ketë zgjedhje në 18 qershor, pasi do ishte e rëndë edhe për imazhin e Shqipërisë”- tha Vasili.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: