TIRANË- Në emisionin e sotëm “Studio e Hapur”, në News24 nuk kanë munguar edhe pyetjet për aleatin e kryeministrit Edi Rama, Ilir Meta. Madje Eni Vasili e ka pyetur kreun e PD, Lulzim Basha se përse në instalacionet dhe karikaturat e opozitës mungojnë ministrat e Ilir Metës. Basha tha se nuk ka zyrë censure në PD dhe instalacionet bëhen me iniciativë të lirë, duke ruajtur një pozicion neutral ndaj kreut të LSI-së. Megjithatë më vonë ai e quajti Metën “patericë’ të kryeministrit Rama.

Eni Vasili: Në hyrje të emisionit ne përdorëm një nga instilacionet e opozitës për të ilustruar disi momentin ku jetojmë, atë të Ali Babës e hajdutëve të tij. Ajo që vihet re në fakt në inskenimin dhe instilacionin tuaj është pikërisht ajo që aty nuk ka ndonjë ministër të Ilir Metës. Si shpjegohet kjo?

Lulzim Basha: A mos më pyet mua për instilacionin sepse e para e punës nuk e di që të mos jetë gjithë kabineti aty, me sa di unë është gjithë kabineti.

Eni Vasili: Jo nuk është i gjithë kabineti.
Lulzim Basha: Edhe po s’qe gjithë kabineti duhet të mbaj përgjegjës për këtë ata që bënë instilacionin. Instalacionet vijnë me iniciativë të lirë, nuk ka zyrë censure të PD-së të kontrollojë instalacionet dhe ky instalacion në mos gabohem është vepër e degës numër 5 të PD-së në Tiranë.

Eni Vasili: Pra, nuk ka të bëjë me Ilir Metën?
Lulzim Basha: Fare!

Eni Vasili; Nga njëshi tek dhjeta, dhjetë tha Edi Rama për koalicionin e nesërm. Ju shqetëson ky fakt, nëse do të kemi zgjedhje dhe do të rreshtohen koalicionet, pasi dihet roli i LSI-së?
Lulzim Basha: Zero shqetësim se çfarë bënë Edi Rama dhe paterica e tij Ilir Meta është puna e tyre. Të dy kanë në dorë të vendosin për pushtetin e tyre apo fatet e qytetarëve.

Eni Vasili: Ju keni mohuar bojkotin e zgjedhjeve por çfarë do të bëni nëse Rama nuk pranon qeverinë teknike, do i prishni zgjedhjet, nuk do votoni?

Lulzim Basha: Konkretisht do bëjmë atë që po bëjmë do qëndrojmë në një lëvizje të madhe popullore kundër zgjedhjeve fasadë. E vetmja gjë që garanton stabilitetin janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Është jashtë çdo imagjinate që Rama të bëjë zgjedhje pa opozitën.

Eni Vasili: A do të rikthehet Lulzim Basha në krye të fushatës së PD-së në Elbasan apo ka plane të tjera?
Lulzim Basha: Mora sot kërkesa nga Elbasani siç kam marrë edhe në qarqe të tjera që të kryesoj listën. Këto janë vendime që nuk më takojnë vetëm mua. Në Elbasan kemi pasur një fushatë frymëzuese. Jam subjektiv ndaj Elbasanit, por vendimi do të merret mbi baza racionale.

Eni Vasili: Pse nuk e pamë Vlahutin në takimin me ambsadorët?
Lulzim Basha: S’është e vërtetë, zonja Vlahutin ishte në takimin me zonjën Mogherini para një jave. Takimet e mia do të vazhdojnë me përfaqësues të trupit diplomatik. Ju them mos harxhoni shumë kohë me këtë.

Eni Vasili: A ka një negociatë të fshehtë mes jush dhe Ramës për një pakt për mbylljen e protestës?
Lulzim Basha: Nuk ka dhe nuk do ketë negociatë për mbylljen e protestës. E vetmja negociatë që do pranoj është ajo për krijimin e kabinetit teknik.
Eni Vasili: Rama ju akuzoi dje për fabrikimin e lajmeve të rreme siç është i mbetjeve toksike?

Lulzim Basha: Unë “Fake News”? Kur kam prodhuar unë “Fake News”? Qytetar i dashur “Fake News” vijnë matanë kësaj çadre. Lulzim Basha nuk ka ndërhyrë asnjëherë me mediat. Nëse kjo vërtetohet është gjenocid ndaj shqiptarëve. Është fakt që potencohet nga agjenci dhe portale përtej kufijve. Nëse kjo ka ndodhur është një Hiroshimë e dimensioneve të jashtëzakonshme sepse plehrat do helmojnë shqiptarët për dekada me radhë. Ne presim faktimin e plotë të këtyre akuzave para se të mbajmë qëndrimin tonë përfundimtar.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb