Nga: EPISKOPI I APOLLONISË, NIKOLLA *TIRANE-U çuditëm me faktin se si një deputet, i njohur për bind jet e tij ateiste, zgjodhi të kremten e madhe të Pashkës për të sulmuar në mënyrë të pazakontë Kryepiskopin Anastas. Konkretisht, ai thotë: “S’më bind kokëfortësia e tij për të folur në greqisht…”, si dhe komente të tjera shtesë. Mesazhi i Pashkës i Kryepiskopit nuk u lexua vetëm në greqisht, por njëkohësisht edhe në shqip nga Episkopi i Bylisit, Asti. Nëse z. Blushi nuk do të kishte kaq shumë paragjykim ndaj Kryepiskopit dhe besimit Orthodhoks dhe do të ndiqte të plotë transmetimin televiziv të shërbesës, pas mesazhit do të dëgjonte Kryepiskopin teksa shqiptonte bukur në gjuhën shqipe vargjet biblike për këtë të kremte dhe të kryente të gjithë Liturgjinë Hyjnore në gjuhën shqipe, siç bën gjithnjë, deri në orën 2:30. Por, për fatin e mirë, këtë gjë e panë me mijëra besimtarë të pranishëm, si dhe teleshikuesit. Janë këta që gjykojnë mungesën e objektivitetit dhe të gjykimit të drejtë të zotit deputet. Gjithashtu, mesazhi paskal i Kryepiskopit Anastas, me porosi të Fortlumturisë së Tij, u lexua në të gjitha qytetet dhe fshatrat e Kryepiskopatës; Durrës, Kavajë, Shkodër, Elbasan, Shpat, vetëm në shqip.

Të gjithë të pranishmit në Kishën Katedrale të Tiranës gjatë Liturgjisë së Ngjalljes patën rastin të ndjekin Shërbesën e Shenjtë në shqip. Mesazhi paskal i Kryepiskopit për rrjetet televizive u lexua prej tij në shqip, siç bëhet për vit. Në Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, përveç gjuhës zyrtare shqipe përdoretedhe gjuha greke, në të cilën janë shkruar Ungjijtë dhe tërë tradita e Kishës Orthodhokse. Këtë gjuhë e përdorin gjithmonë si traditë pjesëtarët e minoritetit grek, të cilët janë anëtarë me të drejta të barabarta të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Sa i takon çështjes që do të nxjerrë në pah tani z. Blushi – duke ndjekur një vijë të re sulmi, të cilën e kanë inauguruar të tjerë, kufizohemi të ribotojmë atë që deklaruan dy profesorë universiteti dhe dy priftërinj. (Gazeta ‘Dita’ 16.03.2015): “Në lidhje me dashurinë e Kryepiskopit për gjuhën shqipe, Fortlumturia e Tij studion vazhdimisht, lexon, kupton dhe flet saktë shqip. Ai mbërriti në Shqipëri në moshë të madhe (62 vjeç) dhe nuk ka mundësi të bëjë referate ose predikime.

Por dihet nga të gjithë se meshon dhe mban mesazhe televizive në gjuhën shqipe. Respektin dhe dashurinë e tij për gjuhën shqipe e tregon gjithashtu fakti se që në vitin 1994 ngriti shtypshkronjën për botimin e periodikëve, gazetave, librave në gjuhën shqipe, përkujdeset për botimin e dhjetëra librave në shqip. Madje, ka ngritur dhe financuar shkolla të të gjitha niveleve, ka dhënë bursa për mijëra nxënës për arsimimin e tyre në gjuhën shqipe. Ai i nxit vazhdimisht klerikët dhe bashkëpunëtorët e tij për një njohje sa më të mirë të saj. Për herë të parë në histori nga goja e tij u dëgjuan thënie liturgjike në shqip, në Kostandinopojë, Athinë, Bukuresht, Moskë, në Nish të Serbisë, në Sofie, Damask, Bejrut, Aleksandri etj., gjatë bashkëmeshimeve me primatë të tjerë orthodhoksë”. Kushdo që është i interesuar për më shumë mund të shikojë dhe të lexojë përkthimet në shqip të disa veprave të Kryepiskopit, si p.sh.: “Globalizmi dhe Orthodhoksia”, Tiranë 2004, 304 f./”Gjurmë nga Kërkimi i Transhendentes. Përmbledhje hulumtimesh fetarologjike”.

(Feja • Induizmi • Budizmi • Fetë Afrikane • Misticizmi etj.), botim i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Tiranë 2010, 376 f./ “Perëndia u shfaq në mish…”, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, Tiranë 2012, 216 f./ “Tani të gjitha u mbushën me dritë”, botim i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Tiranë 2007, bot. i dytë i plotësuar 2012, 202 f./ “Mesazhe Hyjnore”, botim i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Tiranë 2009, 269 f./ “Udhëtim Shpirtëror”, botim i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, botim i tretë, Tiranë 2011, 441 f./ “Ringritja e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë (1991- 2012)”, botim i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Tiranë. bot. i dytë, 2013, 176 f. Dhjetëra artikuj të tij janë botuar në revistën periodike “Kërkim” (Teologji, shkencë, kulturë, aktualitet) dhe në gazetën “Ngjallja”, të cilat i ka themeluar. Botimet orthodhokse në gjuhën shqipe janë realizuar gjithmonë me kujdesin e Kryepiskopit. Së fundi, të gjithë ne që jetojmë pranë tij e dimë mirë se edhe sot, në moshë të madhe, vazhdon studimin e gjuhës shqipe me shumë interesim dhe dashuri.

Episkopi i Apollonisë Nikolla (Hyka)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: