NGA: Anxhela Devole
TIRANE– Pasioni për kuajt i Alan Strang, është më i fortë se sa marrëdhënia e tij me një femër. Ky pasion arrin deri në çmenduri, kur në mendjen e djaloshit të ri krijohen konfuzione lidhur me prezencën e kuajve. Regjisori Dino Mustafiç sjell “Equus” në Teatrin Kombëtar, ku ndërthurjet loja teatrale me muzikën dhe baletin, një shfaqje që do të mbajë spektatorin të mbërthyer për të zbuluar arsyet që e shtynë 17-vjeçarin të kryejë krimin.

“Tema e lirisë është diçka që mua më intrigon dhe më intereson gjithmonë. Këtu kemi ngritur një pyetje se sa e kemi shuar atë liri brenda vetes, në atë çfarë jemi konshientë, por edhe në subkonshiencën tonë, dhe se sa shoqëria, familja dhe shkenca e ka fajin për këtë. Prandaj mendoj që “Equus” është një pjesë shumë e rëndësishme edhe për Ballkanin, sepse ne jetojmë në iluzionin e lirisë.”, tha Dino Mustafiç, regjisor.

“Alan Strang, interpretuar nga Igli Zarga, vjen guximshëm dhe i lirë në skenë, veshur me kostumin më të bukur të historisë së artit, trupin e tij. Equus është hyjnorja, pasioni dhe dashuria. Është një metaforë e udhëtimit të aventurës personale. Këtë aventurë e cila sjell kuriozitet dhe marrëdhënie të reja, do të mund ta shijoni premierë më datë 17, 18, 19 nën interpretimin e aktorëve Timo Flloko, Igli Zarka, Arben Derhemi, Ema Andrea etj.”, theksoi Gjergj Prevazi, koreograf.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: