TURQI-Presidenti Rexhep Tajip Erdoan deklaroi se autori i shpërthimit që ndodhi në Sheshin Sultanahmet të Stambollit ka qenë me origjinë siriane.

Erdogan uroi shërim të shpejt për 15 të plagosurit në shpërthimin e shkaktuar nga një agresor, që sipas përcaktimeve doli se ka qenë sulm kamikaz.
Në fjalën që mbajti në drekë organizuar në Presidencë për pjesëmarrësit në Konferencën e 8-të të Ambasadorëve, Erdoan tha se sulme të tilla nxjerrin edhe një herë në pah rëndësinë që ka të qenurit një grusht i vetëm si popull përballë terrorit, raporton Trt.

Turqia do ta vazhdojë me vendosmëri përpjekjen e saj kundër çdo lloj terrori, – u shpreh Presidenti Erdoan dhe vijoi: “Objektivi i parë i të gjitha organizatave terroriste që veprojnë në rajon është Turqia. Po pyes hapur: A ka ndonjë vend tjetër në botë që bën një luftë më të vendosur se sa Turqia, që ka paguar një kosto të madhe sa ne? Në të njëjtën mënyrë ne vazhdojmë të luftojmë edhe me organizatën terroriste separatiste.

Por prapëseprapë ka nga ata që e kanë të vështirë ta kuptojnë këtë, ka nga ata që rezistojnë”.

Presidenti Erdoan u bëri një apel edhe akademikëve. –“Si shtet duhet të punojmë më shumë, të jemi më të fuqishëm në vendet ku organizata terroriste është efektive, sidomos në vendet e Evropës. Nuk duhet t’ua lëmë atyre fushën e veprimit. Dua ti jap të gjithë botës mesazhin që Turqia nuk ka asnjë problem me qytetarët e saj kurdë. Nuk ekziston një problem kurd. Po shkelen të drejtat e popullit tonë që jeton në rajonin e terrorit, por nuk është shteti ai që e bën këtë, është organizata terroriste. Akademikët e huaj që mendojnë në këtë mënyrë unë i ftoj të vizitojnë Turqinë”.

Kurse Kryeministri Ahmet Davutollu drejtoi në pallatin e kryeministrisë “Çankaya” një samit për sigurinë me pjesëmarrjen e ministrave përkatës.

Pastaj Kryeministri Davutollu i telefonoi kancelares gjermane Angela Merkel dhe i përcolli homogoles keqardhjen dhe ngushëllimet për qytetarët gjermanë që kishin humbur jetën në sulmin që ndodhi në Stamboll. Shumica e 10 personave të vdekur në shpërthimin që ndodhi sot në sheshin Sultanahmet të Stambollit ishin shtetas gjermanë.

Zv/kryeministri Numan Kurtulmush në deklaratat që bëri pas samitit të sigurisë tha se autori i sulmit në Sulltanahmet ka qenë një sirian i datëlindjes 1988.
Kurtullmush sqaroi se në mesin e 10 personave që kanë humbur jetën në këtë sulm përveç agresorit ka edhe shtetas të huaj, ndërsa shtoi se disa nga 15 të plagosurit janë në gjendje kritike për jetën.

Sulmin që ndodhi të martën në Sheshin Sulltanahamet të Stambollit e dënoi edhe Kryetari i Partisë Republikane të Popullore, Kemal Këllëçdarollu (Kemal Kılıçdaroğlu).
“Ata që kanë vënë në shënjestër vendin tonë nuk do t’ua arrijnë dot qëllimeve me anë të sulmeve të tilla të pabesa”, nënvizoi Këllëçdarollu.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb