Nga MIKE GONZALEZ

Maqedonia ka një popullsi më të vogël se zona e Kuins (në Nju Jork) dhe ka sipërfaqe afërsisht sa shteti Vermont (në SHBA), dhe ndodhet midis Greqisë, Shqipërisë dhe Bullgarisë. Nuk është në qendër të gjithësisë.

Pra, pse disa prej anëtarëve të Kongresit po u duhet t’i kërkojnë ambasadorit tonë, Jess Baily, të shpjegojë raporte sipas të cilave ai është sjellë si një sundimtar ngacmues i vendit, duke ngushtuar partitë politike të formojnë një koalicion midis të majtëve dhe partive me bazë islamike?

Dhe a është e vërtetë, ata gjithashtu duan të dinë, se ambasadori është duke çuar fonde qeverie tek grupe të financuara nga miliarderi i majtë George Soros?

Anëtarë si nga Shtëpia e Përfaqësuesve ashtu edhe nga Senati i dërguan letra ambasadorit tonë në Shkup, kryeqyteti i Maqedonisë, më 17 janar dhe i dhanë 2 javë kohë për t’u përgjigjur. I emëruari i Presidentit Barack Obama nuk është përgjigjur ende, ndonëse pasi i kërkova Departamentit Shtetit dhe ambasadës për të ditur se çfarë po bëhej, Departamenti i Shtetit kontaktoi të paktën një kongresmen për t’i treguar se një përgjigje ishte duke u hartuar.

Por gjërat janë përkeqësuar kaq shumë sa po mendohet për seanca dëgjimore në Kongres si edhe të dërgohet një delegacion nga Kongresi në Maqedoni. Anëtarë të Kongresit janë lidhur me administratën e re të Trump për të hetuar më tej çështjen.

Tony Perkins, presidenti i organizatës “Family Research Council”, e cila është pro vlerave tradicionale të familjes, ka shfaqur një interes të veçantë mbi këtë çështje. Ai shkroi (javën e kaluar):

“Ndërsa qëllimet e SHBA-ve për Maqedoninë përfshijnë deklarata dashamirëse për investim në demokraci, Departamenti i Shtetit filloi të favorizonte partneritete me një sërë organizatash të Soros në vitin 2012. Këto organizata vetëm demokratike që nuk janë. Në të kundërt, ato janë duke çuar përpara ideale progresiste, të dhunshme dhe radikale kudo në Evropë”.

Nën trysni, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Mark Toner lëshoi të enjten (02 shkurt) një deklaratë që e mbështeste ambasadorin.

“Ambasadori Baily dhe ekipi i tij kanë punuar në partneritet me autoritetet maqedonase si edhe me shoqërinë civile për të çuar përpara politika dhe objektiva të SHBA-ve. Departamenti i Shtetit ka besim të plotë tek ambasada jonë dhe ambasadorin në Maqedoni”, tha Toner.

Pyetjet nga Përfaqësuesit Chris Smith, Robert Adernholt, Robert Pittenger, Randy Hultgren, Louie Gohmert dhe Jeff Fontenberry të Komisionit të Punëve të Jashtme të Shtëpisë së Përfaqësuesve, dhe Senatorit Mike Lee i Komisionit të Punëve të Jashtme të Senatit, ishin shumë të ngjashme.

Ato ishin gjithashtu edhe të vështira, kështu që nuk është e lehtë të shikosh se përse Departamenti i Shtetit dhe ambasada janë duke i zvarritur gjërat.

“Fatkeqësisht, kemi dëgjuar raportime të besueshme se, gjatë viteve të fundit, misioni i SHBA-ve në Maqedoni ka ndërhyrë në mënyrë aktive në politikën e partive të Maqedonisë, si edhe në formësimin e mjedisit të saj mediatik dhe shoqërisë civile, në një mënyrë që favorizon vazhdueshisht partitë, mediat dhe grupet e shoqërisë civile të së majtës së qendrës ndaj atyre të së djathtës së qendrës”, nis letra e Dhomës së Përfaqësuesve.

Ata gjithashtu kërkojnë të dinë nëse ambasada nën drejtimin e Baily u ka dhënë parapëlqim mediave të majta ndaj atyre të djathta për t’u dhënë ndihmë financiare të SHBA-ve.

Tek të dyja letrat gjithashtu kërkohet të dihet nëse është e vërtetë se ambasada jonë “zgjodhi Fondacionin Shoqëri e Hapur si zbatuesin madhor të projekteve të USAID (Agjencia për Zhvillim Ndërkombëtar e Shteteve të Bashkuara) në Maqedoni?”

Fondacioni Shoqëri e Hapur është një krijim i Soros që promovon ideologjinë progresiste të miliarderit në të gjithë botën. Analistë maqedonas akuzojnë se që nga viti 2012, apo 2 vjet para emërimit të ambasadorit Baily, USAID ka përcaktuar pjesën më të madhe të ndihmës për Institutin Shoqëri e Hapur dhe organizata jo-qeveritare të drejtuara ose të kontrolluara nga Soros. Sipas tyre shifra shkon deri në 5 milionë dollarë.

Analisti konservator maqedonas Cvetin Çilimanov më tha me telefon nga Shkupi të premten (3 shkurt) se qëllimi i ambasadorit Baily ishte të formonte në koalicion qeverisës midis Bashkimit Social-Demokrat ish-komunist dhe dy partive të komunitetit shqiptar, njëra prej të cilave, Besa, ka një komponent të fortë islamik dhe merr mbështetje nga Arabia Saudite dhe Turqia.

Me fjalë të tjera, ambasadori është duke u përpjekur t’i mbyllë rrugën koalicionit VMRAO-DPMNE që është fuqimisht pro amerikan dhe pro kapitalist, i cili mori numrin më të madh të votave në zgjedhjet e 11 dhjetorit 2016

Kjo është një përqasje që shumë në Shkup shpresojnë të ndryshojë tashmë që një skuadër tjetër është në krye të Uashingtonit.

*Ka shërbyer në administratën e George W. Bush, fillimisht në Komisionin e Sigurisë dhe Shkëmbimeve dhe më pas në Departamentin e Shtetit

(The Daily Signal/ Përgatiti për BalkanWeb: Ilir Sinanaj)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb