Presidenti i Turbinës, Gentian Gjoka, ven dos të flasë hapur në lidhje me dyshimet që janë hedhur për ndeshjen e djeshme mes Apolonisë dhe Turbinës, që përfundoi 5-1 dhe fierakët shënuan katër gola në 10 minutat e fundit.

Ai i konsideron thashetheme ato çfarë diskutohen në lidhje me këtë takim, ndërsa deklaron se nuk ke ku t’i luash bastet për ndeshjet e kampionatit shqiptar. “Nëse vendoset që të lihet një ndeshje për përfitime bastesh, vjen menjëherë raporti dhe dosja dhe në këtë mënyrë është shumë e thjeshtë për t’u zbuluar”, thotë ndër të tjera Gjoka.

Koeficientët e basteve janë ulur ndjeshëm që në ndeshjen mes Apolonisë dhe Turbinës do të shënoheshin më shumë se pesë gola. Ka dyshime për këtë takim, ndërsa fierakët kanë shënuar katër gola për 10 minuta. Çfarë ndodhi në fushë?
Po, si ju duk juve kur Shënkolli pësoi katër gola në dhjetë minuta një javë më parë ndaj Naftëtarit? Nuk kemi se çfarë të bëjmë, janë pleq lojtarët, kaq fuqi kanë. Ju mendoni se unë nuk dua që të fitojë Turbina?! Lojtarët janë të mbaruar, nga 33 apo 35 vjeç. Tani, çfarë nuk dëgjon, e shesin ndeshjen edhe për pak lekë. Por, nuk di çfarë të them.

A ishit në stadium dhe çfarë iu thatë futbollistëve kur mbaroi ndeshja?
Në pushim të ndeshjes kam shkuar në dhomat e zhveshjes dhe kam folur me ekipin. I kam shkundur, pasi nuk po luanin mirë. Pësuam një gol për faj të portierit, ndërsa Apolonia na rrezikoi edhe në 2-3 momente të tjera. Nëse do të ishin kaq të kollajta këto punët e basteve siç mendoni ju, ne do ishim bërë miliarderë. Nëse do kishim kaq shumë para, skuadra do kishte udhëtuar një ditë para drejt Fierit si gjithë ekipet e tjera dhe jo në të njëjtën ditë që është ndeshja. Ku janë këto kuota dhe baste, na i tregoni edhe ne të shkojmë të luajmë?!

Bëhet fjalë për jashtë Shqipërisë…
Po për jashtë e kam fjalën edhe unë, na gjeni ku janë këto kompani?! Këto janë dashakeqësi, pasi njerëzit nuk kanë se me çfarë të merren. Të them të drejtën, unë kam parë vetëm pjesën e parë dhe më pas jam larguar. U mërzita shumë me ekipin, pasi nuk funksiononte fare dhe ika nga stadiumi pas pjesës së parë. Nuk i kam parë golat e tjerë të Apolonisë dhe nuk di të them sesi janë shënuar. Por, për një gjë ju garantoj. Nëse vendoset që të lihet një ndeshje për përfitime bastesh, vjen menjëherë raporti dhe dosja dhe në këtë mënyrë është shumë e thjeshtë për t’u zbuluar. Nuk vendosen ndeshjet e Superiores, jo më të Kategorisë së Parë. Në momentin e parë që do vendosësh 100 euro bast, do ulen menjëherë koeficientët dhe nuk të lejojnë më shumë. Të gjitha çfarë diskutohet dhe flitet janë thashetheme.

Por, katër gola në 10 minuta, në mënyrë aq të kollajshme për t’u shënuar nga Apolonia, duket se diçka nuk shkon. Pse ka gjithmonë dyshime në ndeshjet e kampionatit shqiptar?
Po ju flas sinqerisht. Unë personalisht luaj ndonjëherë skedina për qejf. Unë vendos Çelsin dhe nuk mund të luaj dot për ekipin tim. E kuptoni se çfarë “nonsensi” ka. Kjo është ajo që dua t’iu shpjegoj sesi funksionon kjo histori për të cilën flitet shumë në Shqipëri. Nuk e vendos dot bastin për ekipet në Shqipëri, pasi nuk ke ku ta luash. Është e pamundur që të luash. As 100 euro nuk vendos dot për një ndeshje të Kategorisë së Parë në Shqipëri. Nuk janë kaq të thjeshta gjërat sa i bëjnë njerëzit këtu në Shqipëri.

Po a folët me trajnerin se si ka mundësi që u shthur në atë mënyrë skuadra në 10 minutat e fundit duke pësuar 4 gola?
Pësuam një gol që ishte për turp dhe më pas ika. Me trajnerin nuk kam folur, por nesër(sot) do bëjmë analizën. Kaq janë fuqitë e lojtarëve që kemi. Është faji ynë që kemi mbledhur ‘pleqtë e Krujës’ aty dhe në një moment që nuk iu çon rrogat, shkrehet i gjithë ekipi. /PanoramaSport – http://www.panorama.com.al/sport/estrada-ne-fier-reagon-presidenti-i-turbines-golat-i-pesuam-se-kemi-ekip-pleqsh-ketu-me-100-euro/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: