Hetimet për kreun e tatimeve të Republikës së Shqipërisë, Ceno Klosi kanë marrë disa drejtime, ndërkohë që akuzat ndaj tij po thellohen. Pas deklarimit zyrtar për vendosjen nën hetim nga SPAK, nën akuzën për “korrupsion”, “abuzim me detyrën” dhe “falsifikim të dhënash” dhe “mashtrim”, për Ceno Klosin mësohet se janë hapur edhe hetime të reja lidhur jo vetëm me funksionin aktual, por edhe me detyrat e tij të mëparshme si dhe për pasurinë e tij.

“Vetting” zbulon se në dosjen në proces, gjenden pista hetimi për emërimet e inspektorëve në shkelje të ligjit në Administratën Tatimore, kontratat e inceneratorëve, si dhe për hotelin në Londër. Nga hetimet, bëhet e ditur se ka qenë i pa hetuar roli i tij në Agjencinë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve dhe Mbetjeve të Ngurta, që ka patur lidhje me dokumentacionin dhe pagesat për inceneratorët. Emri i tij u përmend në Komisionin Hetimor për inceneratorët.

Kryetarja e Komisionit Hetimor për çështjen e Inceneratorëve, Jorida Tabaku është shprehur se: “Janë nisur disa shkresa, më datën 4.02.2022, zonjës Belinda Balluku, Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Zotit Ceno Klosi, Drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve, ne nuk kemi përgjigje. Do t’i kërkojë ekspertëve të komisionit dhe specialistëve të komisionit, të ngrenë një padi për këdo që nuk ka kthyer përgjigje brenda ditës. Është shumë e rëndësishme përgjigjja e Drejtorisë së Tatimeve, e theksoj!”.

Por Ceno Klosi, ashtu si dhe disa zyrtarë të tjerë, nuk dorëzoi dokumentacionin e kërkuar nga kreu i Komisionit, deputetja Tabaku. Kryetatimori është akuzuar nga kryetarja e Komisionit Hetimor, si një nga zyrtarët e lartë, i cili nuk ka bashkëpunuar me Komisionin për dorëzimin e dokumenteve publikë që lidhen me inceneratorët.

Eksperti i ekonomisë, Pano Soko thekson se shifra e abuzimit deri më sot ka arritur vlerën e 150 milionë eurove. “Aktualisht për shifrat që po flasim është rreth diku 150 milionë euro deri më sot. Kjo është shifra, e cila pretendohet që është abuzuar në të gjithë iniciativën e incenatorëve në Shqipëri, duke përfshirë inceneratorët e Elbasanit, Fierit dhe Tiranës. Tani 150 milionë euro për ta sjellë, sa më afër pranë jush është e barabartë sa me një rritje vjetore që ju bëhen pensioneve.”- shprehet Pano Soko për Vetting.

Por a ka përgjegjësi Ceno Klosi për inceneratorët? Në tetor 2021, do të niste punën Komisioni Hetimor për Inceneratorët, me kërkesën e opozitës, nën drejtimin e deputetes së Partisë Demokratike, Jorida Tabaku. Të vërtetat e lidhjes së Drejtorit të Tatimeve me kontratat e inceneratorëve të Tiranës, Fierit dhe Elbasanit, nuk burojnë vetëm nga ligji dhe detyrat që ai ngarkon për titullarët, por edhe nga dëshmitë e ministrave të thirrur në Komision.

Përgjegjësinë mbi drejtorinë që drejtonte Ceno Klosi do ta deklaronte edhe zv.kryeministrja aktuale Belinda Balluku, në cilësinë e ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, e cila në dëshminë e saj në 21 shkurt 2022 para Komisionit ngarkonte më përgjegjësi Agjencinë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve dhe Mbetjeve të Ngurta, drejtorinë e kryesuar edhe nga Alqi Bllako edhe nga Ceno Klosi. “E para punës thatë që paguhen nga ju, nuk paguhen nga unë, paguhen nga Fieri, Elbasani nga AKUM-i.”- është shprehur asokohe, Belinda Balluku në rolin e ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Por nëse ish-deputeti i Partisë Socialiste dhe ish-drejtori i Përgjithshëm i AKUM, Alqi Bllako gjendet në burg, Klosi vazhdon detyrën te Tatimet, duke mos i shkëputur marrëdhëniet e ngushta me zv.kryeministren Belinda Balluku edhe pse nuk është më në varësi të saj. Madje, Ceno Klosi nuk u thirr asnjëherë për të dhënë llogari te Komisioni Hetimor, në dallim nga pasardhësi i tij në AKUM, Alqi Bllako. Eksperti i Mjedisit, Ahmet Ahmeti thekson se inceneratorët në vend të që ecnin përpara, kanë ecur së prapthi. “Inceneratorët ishte marrëzia më e madhe. U nis së prapthi! Në vend të ecësh përpara, u ec së prapthi! Grumbulloheshin materiale, tani ne i grumbullojmë, harxhojmë edhe para, ka kosto shteti, njerëzit, qytetarët, njerëzit e thjeshtë, taksapaguesit paguajnë”, shprehet Ahmet Ahmeti. Ministria e Infrastrukturës e drejtuar nga Balluku ka përgjegjësi për punimet dhe ndërtimin e impianteve, por deklarata e saj ekspozon një nga bashkëpunëtorët e saj më të afërt. Ceno Klosi do të emërohej Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Ujësjellës Kanalizimeve dhe Mbetjeve të Ngurta në 16 qershor 2021.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb