Numri i të vdekurve nga shirat e rrëmbyeshëm që goditën Emiratet e Bashkuara Arabe në fillim të kësaj jave është rritur në të paktën katër, thanë autoritetet të premten.

Në të njëjtën kohë, rrugët mbeten të përmbytura dhe probleme janë regjistruar në Aeroportin Ndërkombëtar të Dubait.

Stuhia goditi për herë të parë Omanin gjatë fundjavës, duke vrarë të paktën 20 njerëz, përpara se të përfshinte Emiratet të martën, ku regjistroi shirat më të dendur në 75 vjet.

Dy gra nga Filipinet dhe një burrë vdiqën teksa hipnin në automjetet e tyre gjatë përmbytjeve. Gjithashtu, një burrë nga Emiratet e Bashkuara Arabe, i moshës rreth të 70-tave, u vra kur automjeti i tij u rrëmbye nga përrenjtë e vrullshëm në Emiratin verior të Ras Al Khaimah.

Aeroporti Ndërkombëtar i Dubait, një nga më të ngarkuarit dhe një qendër për udhëtime në Lindjen e Mesme, është ende duke luftuar për të kryer fluturimet, tre ditë pas stuhisë.

Në të njëjtën kohë, kufizohet mbërritjet për dy ditë, deri të dielën.

Kompania ajrore Emirates, një nga linjat ajrore ndërkombëtare më të mëdha në botë, njoftoi se check-in-i është pezulluar për pasagjerët që planifikojnë të udhëtojnë përmes Dubait, megjithëse ata për të cilët qyteti është destinacioni përfundimtar do të mund të udhëtojnë normalisht.

Që nga mëngjesi i së premtes (koha lokale), 1,478 fluturime për dhe nga Dubai ishin anuluar që nga e marta, ose rreth 30% e të gjitha fluturimeve, sipas FlightRadar24.

Në Abu Dhabi, kryeqyteti i Emirateve, transportuesi shtetëror Etihad njoftoi se fluturimet tani po funksionojnë normalisht.

Rruga kryesore që lidh Dubain, emiratin më të populluar, me Abu Dhabin mbetet pjesërisht e mbyllur sot.

Në pjesën veriore të Emirateve të Bashkuara Arabe, përfshirë edhe Emiratin Sharjah, mediat lokale raportuan se njerëzit mbetën të bllokuar në shtëpitë e tyre. Banorët thonë se bizneset kanë pësuar dëme të mëdha.

Qendra Kombëtare Meteorologjike e Emirateve të Bashkuara Arabe tha se reshjet pritet të kthehen vonë të hënën, edhe pse parashikohen të dobëta, ndërsa ka mundësi për shi të dendur sërish të martën në disa zona.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb