Në lajmet e mbrëmjes një nënë, vajzë e re dhe e përlotur, kërkon t’i kthejnë të birin tre vjeçar. Ia kanë rrëmbyer gjyshrit. E morën për fundjavë po ndërkohë gjyshja ka marrë nipin dhe nuk e di kush se ku janë.

Historia është sa e dhimbshme, aq edhe primitive. Para një viti babai i vogëlushit dhe djalë i gjyshërve rrëmbyes ka vdekur aksidentalisht. Tani duket se mes nënës së re dhe gjyshërve ka filluar ndeshja se kujt i takon vogëlushi. Me kanun i takon linjës së gjakut, dmth prindërve të të vdekurit. Me ligj i takon nënës. Me njerzillëk…, hë pra me njerëzillëk kujt i takon?

Ikja e një djali të ri është e dhimbshme për prindërit, por edhe për bashkëshorten. Vogëlushi është i mitur dhe njeriu e ka të vështirë ta dijë sesi e percepton mungesën e të atit. Por një gjë është e sigurt: boshllëku që ka lenë ikja e babait do rëndojë fuqishëm në formimin e vogëlushit. Në çdo shoqëri normale nëna dhe gjyshrit, sado mërira e mospëlqime të kishin, do bashkëpunonin të paktën në segmentin që ka të bëjë me vogëlushin, për t’ia bërë më të lehtë mungesën e babait e për ta ndihmuar të ndihet sa më normal e i përmbushur.

Lufta ‘kujt i takon fëmija, gjyshërve apo nënës’ ngjan sikur bëhet për vogëlushin, duket sikur të dyja palët digjen nga dashuria për të, por në thelb e vret të miturin në kuptimin literal të fjalës: nuk e sheh si njeri po si pronë, si mall që trajtohet pa mall e dashuri.

Para ngjarjesh të tilla edhe një herë i thua vetes se një pjesë e shoqërisë sonë di të dojë e të urrejë, por nuk di të hyjë në galloshet e tjetrit, nuk di ta vejë veten në vendin e tjetrit, të mendojë e të ndjejë si ai. Me një fjalë jemi pjekur hënajashtë me empatinë.
( Nga cikli ‘Katakombet e kombit’ )

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb