Ushtria izraelite ka paralajmëruar palestinezët që të mos kthehen në veri të Gazës, pasi dëshmitarët dhe zyrtarët shëndetësorë thanë se ushtarët izraelitë hapën zjarr dhe vranë pesë persona, në mesin e tyre edhe banorë të zhvendosur të cilët po tentonin të ktheheshin në shtëpitë e tyre.

Qindra mijëra palestinezë u larguan nga veriu i enklavës pasi forcat izraelite nisën ofensivën e tyre, pak kohë pasi Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – sulmoi jugun e Izraelit më 7 tetor.

Gjatë luftimeve, pjesë të mëdha të veriut janë shkatërruar, përfshirë shumicën e Qytetit të Gazës. Pas muajsh kufizime të vendosura nga Izraeli për hyrjen e ndihmës në veri, afër 300.000 persona që gjenden ende në atë zonë, sipas Kombeve të Bashkuara, janë buzë urisë.

Megjithatë, shumë palestinezë duan që të kthehen në veri, përderisa për muaj të tëra ata janë strehuar në kampe me tenda, në shkolla të shndërruara në strehimore apo në shtëpitë e të afërmve të tyre në jug të Rripit të Gazës. Disa të tjerë janë në Rafah – qytetin më jugor të Gazës – përderisa Izraeli ka deklaruar se ka në plan që ta sulmojë këtë vendbanim me qëllim që të shkatërrojë Hamasin.

Në orët e vona të së hënës, ministri i Mbrojtjes, Yoav Gallant, u takua me zyrtarët kryesorë që po punojnë në përgatitjet për pushtimin në Rafah, tha zyra e tij. Komuniteti ndërkombëtar, përfshirë SHBA-në, ka kundërshtuar ofensivën e planifikuar, duke thënë se do të rrezikonte 1.4 milion palestinezët që vlerësohet se janë strehuar në Rafah.

Zyra e Gallantit tha se në takim është diskutuar edhe për planet për evakuimin e civilëve dhe zgjerimin e dërgesave ushqimore dhe pajisjeve mjekësore në Gazë.

Izraeli, që ka reduktuar numrin e ushtarëve në mbarë Gazën, vazhdimisht ka kundërshtuar thirrjet që të lejojë palestinezët të kthehen në veri të territorit, duke argumentuar se luftëtarët e Hamasit po vazhdojnë të operojnë në atë zonë.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Avichay Adraee, shkroi në X, që më herët njihej si Twitter, se palestinezët duhet të qëndrojnë në jug të Gazës, pasi tha se veriu “është zonë luftuese e rrezikshme”.

Si pasojë e luftës Izrael-Hamas, në Gazë janë vrarë afër 34.000 persona dhe janë plagosur më shumë se 76.000 të tjerë, sipas shifrave të prezantuara nga Ministria e Shëndetësisë në këtë enklavë. Izraeli ka thënë se ka vrarë më shumë se 12.000 luftëtarë të Hamasit gjatë luftimeve, por nuk ka paraqitur prova për të mbështetur këtë pretendim. Ndërkaq, në sulmin e 7 tetorit, Hamasi vrau 1.200 persona në Izrael dhe rrëmbeu afër 250 të tjerë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: