Lëvizja Socialiste për Integrim ka mbledhur Konventën Kombëtare Zgjedhore, nga e cila do dalin organet drejtuese të saj, që mbërrijnë pas zhvillimit të zgjedhjeve për kryetar.

Punimet e Konventës Kombëtare Zgjedhore të LSI-së i përshëndeti edhe Tobias Zech, deputet i CDU/CSU në Bundestagun Gjerman, njëkohësisht zëvendëspresident i Partisë Popullore Europiane në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Në fjalën e tij përpara delegatëve dhe drejtuesve të LSI-së, Zech vlerësoi bashkëpunimin e frytshëm dhe të ngushtë ndërmjet dy vendeve, duke shprehur mbështetjen e Gjermanisë për zhvillimin dhe integrimin e Shqipërisë.

“Faleminderit për ftesën në Konventën e partisë tuaj dhe në vendin tuaj të bukur. Ne e vlerësojmë shumë bashkëpunimin e ngushtë dhe të frytshëm midis Shqipërisë dhe Gjermanisë. Dhe këtë javë Kancelarja Merkel e theksoi edhe një herë që ne do të rrisim bashkëpunimin me Shqipërinë, jo vetëm bashkëpunimin parlamentar, jo vetëm në bashkëpunimin bilateral, por edhe bashkëpunimin ekonomik dhe do të jemi bashkë gjatë gjithë kohës”, – tha deputeti gjerman.

Në fjalën e tij, Tobias Zech vlerësoi figurën e Kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, si një nga politikanët kyç në stabilitetin e Ballkanit dhe në procesin integrues të Shqipërisë.

“I nderuar Kryetar Meta! Ju dhe partia juaj në shkuarën keni bërë një punë të shkëlqyer në drejtim të integrimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. Kryetari Meta ju jeni një lider kyç në Ballkan për stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e Ballkanit. Kemi njohur punën që ju keni bërë në të shkuarën, gjithashtu jemi të sigurt për punën që do të bëni ju në këtë drejtim në të ardhmen”, – tha përfaqësuesi i CDU/CSU në Bundestagun Gjerman.

Në vijim të fjalës së tij, duke përmendur reformën në drejtësi si një nga arritjet më të mëdha në fushën e drejtësisë dhe të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, Tobias Zech vlerësoi kontributin e z. Meta në arritjen e konsensusit duke nënvizuar se kjo është rruga evropiane e miratimit të reformave duke garantuar mbështetjen e Gjermanisë në zbatimin e saj.

“Ne njohim dhe vlerësojmë punën që ju keni bërë gjithashtu në Shqipëri në drejtim të reformës në drejtësi. Ne e vlerësojmë shumë atë. Faleminderit! Kjo është rruga e duhur drejt Evropës. Gjermania e ka ndihmuar në të shkuarën dhe do ta ndihmojë gjithashtu në të ardhmen Shqipërinë dhe do t’ju mbështesim ju në luftën tuaj kundër korrupsionit dhe në ngritjen e një sistemi të duhur të drejtësisë”, – nënvizoi deputeti gjerman.

Gjithashtu, Zech tha se pas “Brexit”, kontinenti po kalon disa kriza dhe për këtë arsye duhet riprojektuar Evropa e bashkuar. Deputeti gjerman nënvizoi se duhet një qasje e përbashkët në politikën e jashtme në drejtim të stabilitetit politik dhe ekonomik.

“Na duhet një qasje e përbashkët në politikën e jashtme, duhet të kemi të gjithë një qasje të përbashkët në drejtim të qëndrueshmërisë, stabilitetit politik dhe ekonomik. Por gjithashtu ne duhet të punojmë që nga Lisbona në Portugali dhe në të gjithë Evropën të kemi të gjithë të njëjtin kuptim se çfarë do të thotë Evropë. Të njëjtën gjë duhet të bëjmë me Ballkanin. Çfarë do të thotë të jesh pjesë e BE-së? A është BE vetëm një bashkim tregtar?”, – shtoi Zech.

Duke iu drejtuar të pranishmëve në Konventën Kombëtare Zgjedhore të LSI-së, deputeti i CDU/CSU vlerësoi se duhet punuar shumë për të përgatitur sa më mirë brezin e ri sepse ata janë e ardhmja e Shqipërisë dhe e Evropës.

“Në këtë Konventë kam parë shumë pjesëmarrës që janë të rinj në moshë. Unë gjithashtu në Gjermani konsiderohem një politikan i ri, por kur ndodhem këtu mes jush më duket vetja i vjetër. Ne gjithashtu duhet të punojmë në drejtim të së ardhmes, të brezit të ri. Kjo do të thotë që ne gjithashtu duhet të inkurajojmë mbështetjen tonë të vazhdueshme në drejtim të përgatitjes së brezit të ardhshëm. Ne duhet të punojmë në drejtim të kualifikimit të tyre profesional, të përmirësimit të aftësive të tyre këtu në Shqipëri, sepse ata janë e ardhmja e Shqipërisë, janë e ardhmja e Evropës”, – tha z. Tobias Zech, ndërsa shprehu bindjen se e ardhmja e Shqipërisë është në Evropë dhe se Gjermania do të jetë një bashkëpunëtore solide në këtë drejtim.

“Ne duam t’iu ndihmojmë që ju të krijoni këtu në Shqipëri një atmosferë prosperiteti, një të ardhme më të mirë dhe veçanërisht për brezin e ri, sepse e ardhmja e Evropës është rinia. E ardhmja e Gjermanisë është një bashkëpunim solid me të gjithë Ballkanin dhe e ardhmja e Shqipërisë është në Evropë. Ju faleminderit dhe ju uroj suksese në sfidat e ardhshme, që do t’i përballojmë së bashku”, – përfundoi Tobias Zech.

Luan Rama: LSI është forcë politike orientuese

Ndërkohë pas fjalës së eurodeputetit gjerman, ka folur sekretari i përgjithshëm i LSI, Luan Rama, i cili tha se Konventa mbështetet në parimin një anëtar një votë, ndërsa sipas tij, LSI u ka shpëtuar “sëmundjeve kronike” që kanë kapur partitë politike në Shqipëri dhe se është një forcë politike orientuese.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: