Nga: VASIL KURETA*

Që nga shpërthimi i krizës ekonomike e financiare botërore të vitit 2008 e deri te rezultati i referendumit britanik, në favor të daljes nga BE, Europa ka evidentuar një problematikë komplekse e të mprehtë për të ardhmen e projektit europian, shoqëruar me një qetësi e apati tronditëse të klasës politike europiane, që realisht ka parë dhe vështruar, por nuk ka bërë atë që duhej. Duket se Europa po ecën në rënie të lirë. Në situatën aktuale kanë marrë udhë supozime edhe optimiste, por më shumë pesimiste, të vërteta e të pavërteta, apo dëshira subjektive. Vendimi i britanikëve për të dalë nga BE, vërtet është çështje e tyre dhe realisht një vetëdëmtim i Britanisë, por është dhe çështje e Europës dhe të ardhmes së projektit europian.
Brexit, si rasti i parë vendimmarrje referendare, për largim nga projekti europian, foli qartë dhe shumë, duke shërbyer si një dëshmi problematike komplekse të mprehtë dhe nevojë për një shkundje të thellë të klasës politike europiane. Është fakt që Europa ndodhet në krizë dhe shumë probleme janë acaruar, që kanë vënë në pikëpyetje të madhe fatin e projektit europian. Nëse vërtet ndodh që euroskeptikët, ekstremistët e nacionalistët e djathtë kanë të drejtë, atëherë një dështim i madh historik është përpara, që do të trazojë shumë ujëra, do të prishë shumë ekuilibra e balanca gjeopolitike në Europë e përtej saj. Nëse përpiqesh të evidentosh disa nga këto probleme, atëherë mund të flasim edhe për shqetësime konceptuale e vizionare, por dhe probleme që bashkëshoqërojnë këtë projekt të madh europian, tashmë 40-vjeçar në rrugëtimin e tij. Këtu duhet llogaritur dhe efekti i zgjatur i krizës ekonomike e financiare botërore, që ka ashpërsuar mjaft problemet sociale e perspektive, që kështu, frenojnë ecjen përpara, nxisin pesimizmin e ushqejnë skepticizmin e nacionalizmin e krisin arritjet themelore të ecurisë së projektit europian.
Që në ngjizjen e tij projekti europian ka avancuar përmes përballjes mes optimistëve e realistëve nga njëra anë dhe skeptikëve, ekstremistëve e nacionalistëve në anën tjetër. Ka ndodhur që në momente të ngecjes së ecurisë së projektit apo kur krizat ciklike kanë goditur, euroskeptikët e pjesa natyrale e tyre kanë ngritur krye, janë gjallëruar, kanë kërcënuar ardhmërinë e projektit. Kanë kërkuar kthimin prapa. Kjo ka shërbyer si shtysë për të shpënë përpara projektin europian që ka mbërritur deri në stadin e sotëm. Edhe tani ndodhemi në një situatë të ngjashme, ku forcat kundërvënëse ndaj projektit europian, duke shfrytëzuar problemet ekonomike e sociale, rritjen e pasigurisë dhe pikëpyetjeve për të ardhmen, po përdorin demokracinë e referendumeve në favor të filozofisë së tyre dhe po bëjnë presion të shtuar ndaj ardhmërisë së integrimit europian. Kjo kategori ka rritur presionin në vendimmarrjet e vendeve europiane, por edhe në nivel europian, që realisht kanë pjellë një stepje të vendosmërisë për ndryshim e hap vendimtar cilësor përpara. Shqetësues është fakti se janë evidentuar edhe opsione si ato të ish-kryebashkiakut të Londrës, që deformon thelbin e përmbajtjen e bashkimit europian, që ushqen frikrat e mbartura nga historia, që burojnë nga ngushtësitë ideore. Projekti europian nuk është dhe nuk mund të jetë një rezultante që sjell si pasojë, që shtetet e bashkësisë europiane, vihen nën sundimin apo autoritetin shtetëror të një shteti konkret, më të zhvilluar e më të fuqishëm europian.
Edhe në funksion të referendumit rreth Brexit, ish- kryebashkiaku u përpoq të trembë britanikët, duke pohuar se përmes integrimit interesat e shtetit komb e individualitetet zhduken, apo më saktë i nënshtrohen figurave diktatoriale, duke iu referuar figurave të tilla si Bonoparti e Hitleri. Kuptohet se, që nga ata që e iniciuan dhe ata që e shpunë përpara idenë e procesin e integrimit europian dhe ata që e kanë mbështetur nuk e kishin konceptin e ish-kryebashkiakut, por dhe shqetësimi i përmbylljes së projektit, në kushtet kur s’ka ide të reja është i kuptueshëm, por spekulimi është i papranueshëm. Nëse i referohemi historisë atëherë bëhet më e qartë se fati i diktaturave dhunuese të demokracisë e lirisë apo i perandorive, që nga ato të vjetra e deri te ato më të rejat, siç ishte perandoria sovjetike, apo federata jugosllave e stisur dhe e qepur me pe të bardhë d.m.th si krijesa të panatyrshme e të dhunshme, të ndihmon të bësh atë që duhet e të shmangësh përsëritjen e gabimeve të bëra më parë.
BE u konceptua, u ngjiz dhe ka avancuar si bashkim vlerash të mëdha, popujsh, kombesh e kulturash, që kanë të përbashkët thelbin, cilësinë, karakterin, natyrën, botëkuptimin e synimet e përbashkëta, si në një familje, shikimin drejt të ardhmes së përbashkët të zhvilluar e harmonizuar në standarde. Deri më sot kjo është provuar, prandaj ngjau, që ish-vendet e kampit socialist, pas rrëzimit të komunizmit, u orientuan nga integrimi europian dhe u bënë pjesë e projektit europian. Brenda bashkësisë europiane funksionon harmonizimi i interesave drejt zhvillimit, por dhe garancia e sigurisë e mbrojtjes nga faktorë e aktorë që duan të kafshojnë civilizimin. Ka disa vite që BE ka qenë e shqetësuar dhe e angazhuar ndaj presioneve e goditjeve që i vinin integrimit europian nga interesat e shteteve kombe. Kriza e refugjatëve e evidentoi dhe më qartë dhe fuqishëm peshën dhe rolin e interesave të shtetit komb e nacionalizmit, sa i përket raportit me standardet e vlerat e integrimit europian. Në fakt këto interesa kanë qenë aty gjithnjë e kanë ushtruar ndikimin e tyre në vendimmarrjet europiane, por pesha e këtyre interesave nuk ka qenë e njëjtë.
Ashtu si çdo qenie e gjallë edhe BE ka dimension integral vetëruajtjen dinamike, e cila shfaqet konkretisht ndaj çdo rrezikimi të qenies së tyre. Kjo nxit vetëmbrojtjen apo përqendrimin brenda vetes të shteteve anëtare, që shfaqet në mënyrë të ndryshme e në vartësi të nivelit të zhvillimeve ekonomike, politike e sociale. Brenda këtij koncepti mund të kuptohen edhe ekzistenca dhe zhvillimet e nacionalizmit, orientimit më shumë nga interesat e shtetit komb, por edhe ekstremizmat e njëanshmëritë konkrete. Aktualisht dallga e skepticizmit dhe nacionalizmit është ngritur lart ndaj integrimit. Ato janë në avantazh në Britani, por shfaqen entuziastë edhe në vende të tjera europiane, ku tërheq vëmendjen Franca, Holanda etj.
Mund të përhapet epidemia e referendumeve për të dalë nga BE, që ndihmohet edhe nga një lloj hutimi e shqetësimi e strukturave të BE, por sidomos nga njëlloj ngecje e ecurisë së projektit europian. BE sot ndodhet në një moment, ku duket se rend të mbyllë njëra pas tjetrës krizat apo problemet që krijojnë shqetësime si kriza greke, kriza e refugjatëve, tani rezultati i referendumit në Britani, etj, por nuk duket se është duke menduar apo vepruar për të bërë një hap përpara. Duket në stanjacion, lëvizje lineare, sikur ka tendencë të kryejë hapa prapa më shumë se hapa domethënës ndryshimi përpara. Klasa politike europiane sot po merret me veten më shumë duke u mbrojtur, se sa duke synuar përpara. Duket e shqetësuar, e lodhur, pa një vizion të qartë dhe sikur nuk di se ç’të bëjë realisht me fatin e saj dhe të projektit europian. Është shqetësuese, por e vërtetë. Dihet që kontradiktat përbëjnë thelbin e së gjallës. Kjo është e vërtetë dhe sa i përket integrimit europian, që ka pasur brenda vetes edhe kundërshtarët e vet, por klasa politike europiane e ka parë këtë kontradiktë si një bashkëjetesë paqësore kontradiktën mes integrimit dhe lëvizjes kundër tij, ka mbivlerësuar integrimin dhe nënvlerësuar skajshëm kundërvënësit ndaj tij, nuk ka parë se kundërvënësit do të shfaqeshin gjithnjë e më armiqësorë ndaj avancimit të integrimit dhe nuk kanë pritur ndonjë dëmtim të procesit. Kjo ka ndodhur edhe kur tregues të ndryshëm, si rritja e mbështetjes për ta në zgjedhjet elektorale është shfaqur dukshëm, kur trysnia ndaj vendimmarrjeve europiane është rritur ndjeshëm. Kjo neglizhencë ka ndihmuar ndjeshëm rritjen e influencës së euroskeptikëve e nacionalistëve, që kanë shfrytëzuar maksimalisht problematikën e mprehtë ekonomike e sociale, që ka ardhur duke u bërë më e mprehtë në hapësirën europiane. Pas tërmetit të rëndë të krizës botërore ekonomike e financiare, që nuk është kapërcyer akoma, tërmete të tjerë kanë tronditur BE si kriza greke, e refugjatëve dhe i fundit Brexit-i.
Nëse kriza ekonomike e financiare ka lidhje organike me modelin e ekonomisë së tregut, tërmetet e tjerë e kanë burimin te stanjacioni i procesit të integrimit, ku situata ekonomike ka rolin e padiskutueshëm, shoqëruar me mungesën e ideve të reja, frikërat e pasiguritë në vendimmarrje, një vullnet i dobësuar për të lëvizur përpara, për të bërë ndryshimin e pritur, që buron nga logjika e brendshme e procesit të integrimit. Procesi objektiv i integrimit ka bërë presion për të ecur përpara, por që ka ndeshur në ngurrimin e pasiguritë e klasës politike europiane. Ky është një problem tepër i mprehtë, që nëse nuk reagohet, do të krijojë situata edhe më të vështira se Brexit.
Këtu duhet mbajtur parasysh një fakt domethënës se, aktualisht, optimistët rreth integrimit shfaqen jo shumë të besueshëm, kur sheh strukturat e BE, thjesht evidentues të problemeve, të pafuqishëm në zgjidhjen e problemeve e në mbrojtje, ndërsa skeptikët, populistët e nacionalistët, shfaqen pasionantë e tërheqës, se u referohen shqetësimeve reale të qytetarëve edhe pse mund të spekulojnë me to. Kjo lidhet sidomos edhe me faktin se strukturat e BE janë shfaqur si të papushtueshme në vendimmarrje përballë qeverive të shteteve anëtare. Sipas një sondazhi të kryer në prag të referendumit britanik nga Pew Research Center, rezultoi se 48% e qytetarëve britanikë ishin për dalje nga BE, ndërsa 89% e suedezëve dhe 74% e gjermanëve e konsiderojnë me pasoja daljen nga BE dhe se vetëm 38% e francezëve kanë opinion pozitiv për BE. Sondazhi tregonte se mbështetja për BE ka pësuar rrënje në vendet e BE, madje dhe në Gjermani, Spanjë etj. Sa i përket vendeve themeluese të BE vlerësimi për bllokun ishte në nivelin e 50%. Është domethënës se mbështetje më të madhe për BE japin qytetarët e vendeve të reja në BE si Polonia me 72%, Hungaria me 61%, pa përmendur mbështetjen tepër të lartë të vendeve që duan të bëhen pjesë e BE, ku Shqipëria shfaqet me mbi 90%. Është domethënës fakti i sondazhit, se sa i përket përplasjes mes integrimit dhe interesave të shtetit komb, konstatohet prirja e mbështetjes së interesave të shtetit komb e kjo jo vetëm në Britani, Greqi, etj, por edhe në vende të tjera. Po kështu tërheq vëmendjen se 92% e të anketuarve nuk e miratojnë politikën ekonomike të institucioneve të BE dhe se 68% e italianëve, 65% e spanjollëve, apo 92% e grekëve janë kundër menaxhimit ekonomik të bllokut nga Brukseli. Pra, siç shihet, nga të dhënat e këtij sondazhi, ka një problem të vërtetë besimi të qytetarëve europianë, ndaj institucioneve e strukturave të BE. Është shumë domethënës fakti që drejtuesit e strukturave të BE, nuk u shprehën në mbrojtje të integrimit europian, se mos bënin ndikimin e kundërt, nga një opinion negativ i qytetarëve për strukturat e BE e drejtuesit e tyre.
Kjo tregon se po ravijëzohet një kontradiktë mes idesë e vizionit të Europës së bashkuar dhe mënyrës së veprimtarisë së strukturave të BE e besimit ndaj tyre. Po evidentohet çështja më pak apo më shumë Europë, të rimë e të vështrojmë seç na pret, të rimë e të shohim fundin, apo të ecim përpara, të shkundim paragjykimet e vjetra e të reja e të ecim vendosmërisht përpara, me vendimmarrje të rëndësishme, që ka prirje të bëhet më e mprehtë. Koncepti më i fundit i rikthyer për një Europë me dy nivele apo shkallë, edhe pse ka ndaj tij kritikë, tregon se ka lëvizje, por nevoja për vendimmarrje ndryshuese e konsoliduese, që shtyjnë drejt një përmbyllje të konsoliduar të projektit europian, do bëhet më e mprehtë. Madje, mund të shtrohet edhe pyetja tjetër nëse ky eksperiment europian ka mundësi zhvillimi apo do të shpallet i dështuar.
Pas rezultatit të referendumit britanik, Europa apo BE nuk është më si më parë. Madje dhe vetë Britania e Madhe, do të përballet brenda saj, me një problematikë konkrete, nga fakti se Skocia dhe Irlanda janë shprehur për qëndrimin në BE. Deklarata e kreut të UKIP Nigel Farage se “fituam pa shkrepur asnjë plumb” është brenda vizionit të tij politik, por tregon se kanë arritur një fitore më të thjeshtë seç e kanë pritur, duke kërkuar daljen nga BE. Kjo dëshmon se parti të këtij lloji, nuk kanë shfaqur thjesht një kundërvënie, por një armiqësi të pastër ndaj integrimit, se kanë luftuar me ashpërsi, por dhe nuk kanë hasur rezistencë të fortë nga mbrojtësit e integrimit europian. Realisht janë nënvlerësuar nga klasa politike e BE, nga partitë prointegrimit e struktura të tjera europiane, që kanë mbivlerësuar arritjet e integrimit, por kanë nënvlerësuar problemet sociale e ekonomike e gabimet e bëra në proces e sidomos, nuk kanë pasur një strategji konkrete për ta mbajtur gjallë, ushqyer e bërë të dashur për brezin e ri, përmbajtjen e vlerat e projektit europian. Ky qëndrim ka ndihmuar populistët të shfaqen si streha apo zëdhënës të zemërimit, të revoltimit ndaj problemeve të pazgjidhura ekonomike e sociale, që realisht kanë kërcënuar të ardhmen e njerëzve.
Populizmi ushqehet nga kënetizimi politik e mungesa e ideve të reja e strategjive bindëse zhvilluese e ndryshuese. Populistët kanë guximin e kritikës dhe kërkesës së ndryshimit edhe pse nuk paraqesin ide të reja e strategji konkrete. Pasiguria për të nesërmen është njerëzore, është instinkt që nxit kërkesën për ndryshim, ndërsa idetë janë nevojë e mjet i ndryshimit. Historia ka vërtetuar fuqinë e padiskutueshme të ideve e mendjes mbi instinktin, por kur mëndja fle e nuk prodhon ide, atëherë dëmi është bërë, se ka goditur besimin te e ardhmja dhe kostoja e ndryshimit bëhet më e rëndë.
Zyrtari i lartë europian Tusk, duke iu referuar rezultatit të referendumit në Britani, deklaroi se dalja e Britanisë nga BE, është fillim i shkatërrimit të qytetërimit perëndimor politik në tërësi. Kjo deklaratë shpreh shqetësimin e kuptuar për daljen e Britanisë nga BE, por kjo nuk mund të jetë tregues i shkatërrimit të qytetërimit perëndimor politik. Në themel të BE qëndron demokracia dhe nëse populli i një vendi vendos të mos jetë pjesë e projektit, është e drejtë legjitime e tij. Dihet që fatin e dështimit e kanë eksperimentet, pra, që dhe ky eksperiment i integrimit mund të dështojë, por ai deri sot ka dëshmuar vitalitet dhe ka nevojë të ushqehet me ide të reja.
Është koha për të dhënë një përgjigje të argumentuar rreth pyetjes se, a është i mundshëm krijimi i shteteve të bashkuara të Europës, mbështetur në doktrinën mbi shtetin e së drejtës, në formën e federatës ose të konfederatës. Është pyetje reale, sepse se si po funksionon BE, nuk është efektive, por dhe të rish pa lëvizur, kjo nuk është zgjidhje. Koha ka evidentuar kontradiktën mes integrimit dhe interesave të shteteve kombe. Kjo kontradiktë duhet zgjidhur, ndryshe nuk ka projekt europian të suksesshëm. Brexit, si shembulli më i fundit, dëshmon kërkesën për një shkundje të madhe e reale të klasës politike europiane, për nevojën e domosdoshme të bashkëpunimit me studiuesit e ekonomisë, sociologjisë, shkencave politike e filozofisë etj, për të mundësuar ide të reja e të domosdoshme, që do të përcaktojnë fatin e projektit europian.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: