Nga: ILIR KALEMAJ*
Lëvizja e lirë listohej e para në listën e arsyeve me të cilën të rinjtë europianë identifi konin BE-në me më pak se 60 për qind. Më pas vinin euro, paqja, demokracia, çuditërisht shpërdorimi i parave, prosperiteti ekonomik, burokracia dhe në fund mbrojtja sociale. Kjo e fundit duket disi paradoksale po të mendosh se vetë fryma e Bashkimit Europian është e përshkruar nga ideja e solidaritetit dhe shtetit të mirëqenies sociale apo kapitalizmit me “fytyrë humane”, nëse do të perifrazonim Dubçek-un në ditët e sotme. Nëse lëvizja e lirë e mallrave, shërbimeve dhe kapitaleve është arritur dhe madje duke tejkaluar PBB-të kombëtare apo në nivel europian, ajo e njerëzve po vjen gjithmonë e më e kufizuar.
Një Europë e mureve, nga Hungaria në Estoni, e bllokimit të lëvizjes së emigrantëve ekonomikë dhe azilantëve politikë nga Irlanda në Danimarkë, e keqtrajtimit të tyre dhe mbylljes nëpër kampe edhe në vende që pretendojnë të anëtarësohen në një të ardhme të afërt si Maqedonia fqinjë, nuk lë vend për shumë optimizëm. Ashtu sikundër kjo “perde e hekurt” bllokon ëndrrat dhe aspiratat për siguri, punësim, jetë të dinjitetshme për qindra mijë refugjatët që po i arratisen një realiteti mizor, po aq edhe vetë-dëmton shtetet europiane të cilat deri në 2060-ën do u duhen mbi 250 milionë punonjës të rinj për të balancuar librat e sigurimeve shoqërore dhe deficitet buxhetore të një Europe që po plaket dhe rrudhet me shpejtësi si demografi krahasuar me trendet globale.
Natyrisht është e vërtetë që pjesa më e madhe e shteteve europiane sot kërkojnë punonjës të mirëkualifikuar, ata që disponojnë zeje, dinë gjuhët lokale, kanë aftësi përshtatje të lartë dhe përshtatje kulturore optimale. Ndërsa një pjesë e madhe e karvanit të refugjatëve janë pleq, fëmijë apo të pamundur për arsye kulturore, religjioze etj, të hynë në tregun e punës në mënyrë të menjëhershme. Çka do të thotë që në periudhë afatshkurtër ata do të jenë barrë për këto shtete që i mirëpresin dhe jo zgjidhje. Por cila është alternativa? Europa dështoi me të ashtuquajturën “kartën blu” (blue card), e cila nuk mundi të bëhej një realitet i prekshëm si rezultat i kombinimit të politikave nacionale me burokracinë e Brukselit dhe të rivalizonte skema të ngjashme emigrimi si ajo kanadaze apo australiane apo amerikanët që tërheqin diku te 50 mijë emigrantë çdo vit.
Perceptimi i të rinjve europianë në lidhje me atë çka do të thotë Europa për ta është i rëndësishëm për këtë projekt eksperimentues, logoja e të cilit është jo rastësisht një “bashkim në progres” (ever closer union). Të rinjtë janë pjesa që janë goditur më fort si rezultat i krizës financiare globale, ku shifrat e papunësisë ndër ta shkojnë deri te nivelet alarmante të 50 përqindëshit në vendet e Europës Jugore, si Greqia, Italia, Spanja dhe Portugalia. Pra një në dy europianë në grupmoshën 16-35 -vjeçare është praktikisht i papunë. Kjo ka bërë që një pjesë e madhe e tyre të banojnë në të njëjtën shtëpi me prindërit deri pas të tridhjetave, të martohen më vonë, të bëjnë më pak fëmijë ose ta evitojnë këtë të fundit si të vetmen racionale në kushte të pasigurisë për të ardhmen. Njëkohësisht dhe paralelisht me këtë është zhvilluar një kulturë e gerontokracisë, ose “pushtetit të të vjetërve” ku në punë-marrje vlerësohet më tepër pjekuria profesionale dhe CV sesa entuziazmi dhe energjia e të rinjve. Edhe në vendet me premisat më të mira për shkak të normave të larta të emigrimit dhe hapjes së tregut të punës dhe fleksibilitetit që ai afron për një shoqëri shumë-kulturore si Britania e Madhe, grupmosha 50-64 është rritur me mbi 60% në 8 milionë vetëm përgjatë 20 viteve të fundit, siç raporton “The Economist”.
Por ka ende shpresë për të mbajtur një Europë të hapur, demokratike dhe konkurruese në nivel global. Prurjet masive të refugjatëve dhe azilantëve duhen parë si mundësi dhe çdo krizë në vetvete mban edhe premisën për të korrigjuar diçka dhe tejkaluar një realitet. Thirrjeve të fundit të kryekomisionerit Juncker për ta shtuar në 160 mijë numrin e refugjatëve që do të rialokohen në vendet e BE-së sipas kuotave që bazohen në numrin e popullsisë i janë përgjigjur pozitivisht shumica e vendeve europiane. Vetëm disa vende të ish-Europës Lindore, si Hungaria, Çekia, Polonia janë shprehur refraktare dhe që me shumë mundësi do të paguajnë koston financiare modeste prej 0.002 për qind të PBB-së si një lloj takse ndaj Brukselit në rast të mosmarrjes së emigrantëve shtesë. Sinjale shprese u dhanë veçanërisht nga Papa Françesku kur deklaroi javën që shkoi se “do të doja që çdo famulli, çdo pjesëtar i këtij komuniteti fetar, çdo manastir, çdo kishë të strehojë nga një familje, duke filluar nga dioqeza ime e Romës”, përkundër sjelljes refraktare të dioqezave dhe kishave në Hungari, apo thirrjeve që Sllovakia do të pranonte vetëm refugjatë të krishterë në Sllovaki. Ndërsa kryeministri i Islandës ofron shtëpinë e tij për refugjatët dhe islandezët, një popull prej vetëm disa qindra mijëra frymësh, ofruan të marrin në shtëpitë e tyre 30 mijë emigrantë. Kryeministri Britanik në një lëvizje befasuese pranon të marrë 15 mijë refugjatë shtesë direkt nga kampet në Siri dhe Turqi. Në Gjermani azilantët e luftës pas sagës hungareze dhe marshimit sifizian, u pritën ngrohtësisht nga popullsia vendase, ndërsa kancelarja Merkel është kthyer së fundmi në kampione të iniciativës për sistemimin e refugjatëve të luftës, madje me kosto të brendshme politike. Sinjale shpresëdhënëse të një bote më humane dhe solidare që të rinjtë europianë të vazhdojnë ta identifikojnë Europën me lëvizjen e lirë para çdo gjëje tjetër.

(g.b/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: