TIRANE – Kuksi nuk gabon, duke kaluar në raundin e dytë të Europa League. Verilindorët arrijnë një barazim me shumë peshe në transfertën Bjelloruse, duke mbajtur në fuqi fitoren e pastër në shifrat 2-0 të arritur në “Qemal Stafa”. Kuksianët ruajnë në këtë mënyrë traditën e krijuar vetëm një sezon më parë.
Tashmë nuk është një risi kalimi i një turni, por të gjithë shpresojnë të arrijnë pse jo në fazën e grupeve. Përballë vendasve të Torpedos, Kuksi nuk lë asnjë hapësirë në pjesën e parë, ku jo vetëm u mbrojt por shpesh u shfaq e rrezikshme në kundërsulme.
Pjesa e dytë ishte më interesante, ku të dy skuadrat krijuan disa raste për shënim. Pero Pejiç shpërdoron një rast fatal, teksa humbi një 11-metërsh në minutën e 74-ët. Në minutat e fundit Torpedo ushtroi presion në portën e Stazhilles i cili u shfaq në një formë të shkëlqyer duke mbajtur portën e paprekur.
Tashme Kuksi pret i qetë kundërshtarin e radhës në raundin e dytë, ku do të përballet me fituesin e çiftit, Mlade-Neftçi Baku. Përballë një skuadre me shumë probleme, Laçi nuk arrin të gjej golin e kualifikimit, duke u ndalur në një barazim 0-0 kundër Inter Baku. Laçianët qajnë në këtë mënyre rastet e shpërdoruara në ndeshjen e parë e përfunduar në barazim 1-1. Armando Cungo nuk arrin të përsëriti vetveten edhe me Laçin, duke u ndalur që në raundin e parë.

(er.shk/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: