TIRANE- Një sasi e madhe parash, 3.4 mln euro, janë sekuestuar disa ditë më parë në Portin e Durrësit, pasi u gjetën të fshehura në dy makina “Toyota Yaris”. Sinjali u dha nga kreu i PD Lulzim Basha të enjten e kaluar në Kuvend, e më pas pasoi me deklarata të ndryshme, derisa u dha edhe deklarata zyrtare e policisë për këtë sasi parash të sekuestruara. Në emisionin “Kjo javë” me Nisida Tufën në “News24”, gazetarja Klodjana Haxhiaj ka dhënë detaje të reja mbi operacionin e policisë.

Referuar hetimeve, gazetarja thotë se eurot u gjetën në dy makina “Toyota Yaris”, dhe konkretisht janë gjetur 106 dengje me shenja përkatëse. Dyshohet se këto para i përkasin tre grupeve kriminale që operojnë jashtë vendit.

“Ne fillimisht na u tha se nga trageti i linjës së Ankonës ka mbërritur një automjet tip ‘Toyota Yaris’, me para kontrabandë. Bëhej fjalë për një shumë 1.5 mln euro fillimisht. Por e gjitha kjo kishte një hile brenda, pasi ishin autoritetet italiane, Interpol Roma, ata që kishin përçuar informacionin të autoritetet shqiptare për mbërritjen e parave kontrabandë, dhe Porti i Durrësit, policia kufitare, ishin vënë në gatishmëri. Pronari i transportieres kishte ndryshuar destinacionin prej nga do silleshin makinat ‘Toyota’, pasi me sa duket kishin marrë informacion. Pra dyshohet se ka patur rrjedhje informacioni. Automjeti ka zbarkuar në Port rreth orës 9 të mëngjesit, dhe pas zbritjes së pasagjerëve kanë zbritur dhe automjetet. Dhe më pas ka ndërhyrë policia.

Në momentin që u dyshua se në automjetin ku ndodheshin 9 makinat, mes tyre dhe Toyotat, kishte para, ka mbërritur në port prokurori dhe ekspertët. Automjetet u dyshuara u dërguan në vijën e dytë, ku ndodhet edhe skaneri i policisë kufitare. Të 9 automjetet që u kontrolluan vinin nga Belgjika, ku shofer ishte Agim Çeka dhe ndihmës Klevis Lika. Në dy prej tyre rezultoi se kishte para në pjesën e pasme. Makinat ishin me tek derë, ndaj pjesa e pasme e tyre ishte mbushur plot me para. U gjetën konkretisht 106 dengje me kartëmonedha euro, të prerjeve të ndryshme, që dyshohet se i përkasin tre grupeve kriminale. Kjo për faktin se dengjet kanë shenja të ndryshme përkatëse, dhe dyshohet se i përkasin tre grupeve kriminale që operojnë jashtë vendit dhe që kryesisht merren me trafikun e drogës”, tha gazetarja.
klodjana haxhiaj
Më tej, ajo shtoi se këto para janë dërguar në laborator për të skanuar gjurmët e gishtave.

Pas arrestimit të shoferëve, janë shpallur në kërkim edhe dy kushërinjtë Vladi, të dyshuar si porositësit e makinave. Gazetarja është ndalur edhe tek dëshmitë e personave të arrestuar.

“Gjatë marrjes në pyetje të 4 personave të arrestuar, Agim Çeka janë dhënë dëshmi kyçe me rëndësi për hetimin. Ai ka thënë se në port e priste Alfred Vladi, i cili do të bënte zhdoganimin e mjeteve. Por ai nuk është gjetur në port dhe është shpallur në kërkim ndërkombëtar së bashku me kushëririn e tij Elvis Vladi. Prokuroria dyshon se ka patur rrjedhje informacioni. Shoferi Çeka ka thënë se ka qenë Elvis Vladi në Belgjikë, ai që ka dorëzuar makinat. Më pas ka patur informacion se Elvisi kishte ardhur në Shqipëri për të pritur makinat”, u shpreh gazetarja Klodjana Haxhiaj më tej.

Sipas Prokurorisë kemi të bëjmë me një organizatë kriminale që operon jashtë vendit, në Belgjikë, Britani, apo Holandë. Tashmë Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur letërporosi në Belgjikë dhe Gjermani për të mësuar rreth së kaluarës të personave të përfshirë në këtë rast. Një letërporosi pritet të dërgohet edhe në Britaninë e Madhe.

Më tej, referuar hetimit gazetarja Haxhiaj tha se:

“Prokuroria ka zbuluar vendin se ku kanë shkuar automjetet dy herë më parë. Kjo kompani ka transportuar edhe dy herë më parë automjete nga Belgjika drejt Shqipërisë. Sipas Prokurorisë, automjetet kanë përfunduar tek zona e “Treshit” në Tiranë. Janë ushtruar disa kontrolle në disa subjekte, por nuk është zbuluar se ku kanë përfunduar automjetet. Sipas Prokurorisë kemi të bëjmë me një grup kriminal nga kushërinjtë Vladi që operojnë në këtë zonë, por që ka edhe persona të tjerë me precedentë të rëndë penale të skeduar nga policia dhe prokuroria”.

Aktualisht paratë e sekuestruara nga Prokuroria e Krimeve të Rënda ndodhen në Bankën e Shqipërisë.

(BalkanWeb)