NGA WOLFGAN MUNCHAU*
Deflacioni në eurozonë nuk ka të bëjë aspak me çmimin e naftës. Shkaku i tij gjendet realisht në një seri gabimesh të politikës ekonomike përgjatë disa viteve më rradhë, ku mund të përmendim rritjen e normave të interesit në vitin 2011, dështimin për të vepruar në kohë, kur norma e inflacionit ra në mënyrë drastike në vitin 2013, apo edhe marrjen e masave shtrënguese në një periudhë reçesioni.
Në rast se Banka Qëndrore Evropiane, do të kishte përmbushur objektivin e saj për një inflacion”afro por nën 2 për qind”, rënia e çmimit të naftës do të ishte e padëmshme. Inflacioni do të kishte rënë e shumta nga 2 në 1 për qind dhe bankierët qëndrorë, do të kishin luksin ta injoronin një dukuri të tillë.

Por kur kjo rënie fillon që t’i afrohet zero përqindëshit, ekonomia hyn në deflacion.
Një vit më parë, u tha se eurozona ishte vetëm një hap larg nga deflacioni. Prej atëhere, ne kemi patur dy ngjarje tronditëse: agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës dhe rënien e çmimit të naftës. Tronditjet në ekonomi edhe mund të ndodhin. Rënia e çmimit të naftës së papërpunuar, zakonisht është në të mirë të një importuesi neto naftës, sikurse edhe është eurozona.

Por duhet të kihet mjaft kujdes mbi efektet e raundit të dytë, që zakonisht vijnë me vonesë. Ka që tani shenja të qarta që negociatorët gjermanë të pagesave, në formulat e tyre të pagave, po e ulin nivelin e inflacionit nën që është objektivi zyrtar i BQE-së.

Ata kërkojnë të llogarisin rritjet, duke mbledhur së bashku objektivin e BQE-së për inflacionin prej 2 përqind dhe disa pjesë të rritjes së produktivitetit gjerman. Por, me inflacionin e mbërthyer në nivelin zero, një formulë e tillë lejon vetëm produktivitetin që gjithashtu nuk është rritur dhe aq shumë. Nëse pritshmëritë për inflacionin bien, kështu do të ndodhë edhe me rrijen e pagave.
Elison Mandra nga “Brygel”, një think-tank me qendër të Bruksel, llogarit se pagat nominale në Gjermani u rritën me 2.4 për qind në vitin 2014. Fatkeqësisht, kjo është aq e mirë vetëm përsa kohë që e merrni. Sinjalet e para në fillim të këtij viti, tregojnë se rritja e pagave po pasohet sërish nga një ulje e tyre.

Kompanitë gjermane po sillen në mënyrë racionale. Inflacioni në zonën euro kohët e fundit u kthye në terma negativë. Vlera negative për dy vite me rradhë e bonove gjermane – zero për 5 vite – dëshmon se investitorët parashikojnë që inflacioni të jetë afër zeros për një kohë shumë të gjatë. Atëherë përse negociatorët e pagave të kompanive, duhet të presin diçka ndryshe?
Inflacioni i ulët çon drejt pagave më të moderuara, që nga ana e tyre bien në rastin e rritjes së inflacionit në të ardhmen. Nga momenti kur çmimi i naftës bie poshtë indeksit të inflacionit për rreth 12 muaj rresht, pagat mesatare në vitin 2015 do të kenë tendencën që të “zvarriten” poshtë normës së inflacionit.

Po çfarë ndikimi do të ketë ky skenar tek politikat ekonomike ? Më shumë gjasa, kur krerët e BQE-së të mblidhen në datën 22 janar, do të aprovojë një program të lehtësimit sasior, që me fjalë të tjera do të thotë blerja e borxheve publike të shteteve anëtare të BE-së.

Shpresa ime është që lehtësitë sasiore do të zgjasin pak dhe kjo për një numër arsyesh. Mbi të gjitha, për shkak se shkalla e blerjeve nuk mund të jetë shumë e madhe. Thjesht mund të mos fuksionojë aq mirë, sa edhe në një ekonomi me një treg të vogël kapitalesh apo një sistem i ndryshëm i financimin të ndërtimit të shtëpive të banimit në krahasim me SHBA-në apo Britaninë e Madhe, ku lehtësimi sasior ishte efektiv, për shkak se zgjidhi çështjen e mprehtë sociale të strehimit.

Varianti absolutisht më i keq i QE-së, aktualisht në diskutim, është ai ku çdo bankë qendrore kombëtare blen borxhin e qeverive të veta, çka do të shënonte fundin e një politike të vetme monetare. Nëse kjo ndodh, ju do të dëshironit që të mos kishit vendosur kurrë QE-në si mjet parësor veprimi.
Çfarë mbetet tjetër? Mjeti më i skajshëm që politika monetare ka në dispozicion do të jetë skena klasike e një helikopteri që hedh nga lart shuma të mëdha parash, nje teori kjo që mbrohet nga ekonomistët Xhon Mjuelbauer dhe Uilliam Buiter. Profesor Mjuelbauer propozon konkretisht një pagesë modeste prej 500 eurosh nga BQE, për çdo qytetar apo banor të eurozonës. Megjithatë unë them se nuk ka asnjë arsye për të mos shkuar në shifra më të larta, nëse ju me të vërtetë kërkoni të krijoni inflacion.

Një pagesë prej 10 mijë eurosh për çdo qytetar do të përkthehet në 3 trilionë euro, shumë që do të ishte e një madhësie të njëjtë me programin e ‘lehtësimit sasior’ në Britaninë e Madhe.
Një “ulje e tillë” helikopteri mund të funksiononte, por druaj se në mënyrë të trishtueshme dhe për më tepër do të ishte shumë e pazakontë për mendësinë kontinentale evropiane. Një mundësi pak më realiste do të ishte një kombinim i QE, një stimuli të jashtëm nga nafta dhe një nxitjeje fiskale. Rregullat fiskale në eurozonë, lënë në fakt pak hapësirë për një rritje të jashtëzakonshme të shpenzimeve, ose një ulje në taksa.

Por nga ana tjetër, rregullat fiskale janë mjaftueshëm fleksibël për t’i lejuar vendet që të merren me emergjencat. Pas sulmeve terroriste të javës së shkuar në Paris, do të ishte e përshtatshme dhe e realizueshme si për presidentin francez Fransua Holond, ashtu edhe udhëheqës të tjerë evropianë, që në këto rrethana të jashtëzakonshme të miratojmë progame për nxitje fiskale, e lidhur ngushtësisht me shpenzimet për sigurinë kombëtare, pa kompensuar kursimet apo rritur taksat.

Por nëse terrorizmi nuk është arsye e mjaftueshme, çfarë ka tjetër? Hëpërhë, shpresa më e mirë për eurozonën mbetet një program ambicioz QE, një efekt pozitiv mbi konsumin dhe investimet nga çmimi i naftës, si dhe një rritje e shpenzimeve.

Kjo mund të funksionojë. Ndonëse, duke patur parasysh përvojat e mëparshme, me nivelin e koordinimit të politikave dhe mungesën e urgjencës në mesin e politikëbërësve, shanset e suksesit nuk janë shumë të mëdha. Skenari im kryesor, vazhdon të jetë një stanjacion shekullor. Mjerisht, ne kemi përsëritur çdo gabim që Japonia bëri në vitet ‘90 dhe pastaj i kemi shtuar edhe disa nga gabimet tona. Është vërtet tragjike, që historia ekonomike nuk ka ndikimin e pritur tek hartuesit e politikave evropiane. Kjo është arsyeja e vërtetë, se përse deflacioni është rikthyer.
/FT/bota.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb