Chelsea është kualifikuar në raundin e katërt të Kupës FA pasi eliminoi Norwich Cityn pas ekzekutimit të penalltive. Ndeshja e parë që u zhvillua në Norwich përfundoi pa gola, kështu që takimi u përsërit në Stamford Bridge për të përcaktuar fituesin.

Pjesa e parë nuk prodhoi gola, mirëpo nuk munguan rastet. Rezultati u zhbllokua në pjesën e dytë të takimit nga sulmuesi belg, Michy Batshuayi. Kenedy dhuroi një harkim i ulët nga ana e majtë në zonë, ku e priti 24-vjeçari për ta futur topin në rrjetë (55′).

Në vazhdim, Norwich pati dy raste përmes James Maddison, i cili fillimisht goditi shtyllën, ndërsa në goditjen e dytë u ndal portieri Wilfredo Caballero.

Ndërsa kur pritej që Chelsea ta siguronte kualifikimin, skuadra që bën gara në Championship e barazoi rezultatin. Timm Klose dërgoi një harkim fantastik në zonë, ndërsa Jamal Lewis shënoi me kokë (90′ +4).

Edhe koha shtesë u mbyll pa fitues, kështu që skuadrën që vazhdoi në raundin e tretë e vendosën penalltitë. Më të saktë në ekzekutimin e njëmbëdhjetëmetërshave ishin futbollistët e Chelsea që në fazën tjetër do të luajnë kundër Newcastle.

(i.ç/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb