Facebook ofroi të hënën detaje në lidhje me mesazhet misterioze të paguara nga interesa ruse, që mund të kenë shërbyer për të manipuluar opinionin amerikan në momentin e zgjedhjeve presidenciale të 2016.

Në qendër të vëmendjes së Kongresit, që po heton për ndërhyrje të mundshme ruse në fushatën zgjedhore, rrjeti social me dy miliardë përdorues njoftoi se rreth 10 milionë persona në SHBA kanë parë këto mesazhe. Nën akuzë fillimisht për vonesën e shfaqur për të reaguar, Facebook ka rritur ndjeshëm tashmë komunikimet në lidhje me këtë çështje.

Përmes një hapësire për qëllime promocionale, rrjetet sociale apo motorët e kërkimit mund të dërgojnë me anë të mesazheve drejtuar audiencave të sigurta në sajë të përllogaritjeve që kanë të bëjnë me profilin e përdoruesve, këto përmbajtje të sponsorizuara që mund të marrin trajta të ndryshme, mundet atëherë të shfaqen në formën e një faqe interneti që paraqet përditësime në kohë reale disa përdoruesve.

Facebook bëri të ditur gjithsesi se i ofroi të hënën Kongresit përmbajtjen e këtyre rreth 3.000 «ads» të postuara mes viteve 2015 dhe 2017 dhe të financuara nga një entitet ruse i quajtur “Internet Research Agency”.

Kremlini ka mohuar në mënyrë të vazhdueshme se është përpjekur të influencojë fushatën zgjedhore, që u mbyll me fitoren e Donald Trump.

“Ne do t’i ofrojmë këto përmbajtje Kongresit pasi duam të japin kontributin tonë për të ndihmuar hetuesit për të kuptuar më qartë ndërhyrjen ruse në sistemin politik amerikan dhe për t’i sqaruar këto veprimtari në publik”, u shpreh grupi, që refuzon gjithsesi për momentin t’i bëjë publike këto mesazhe të sponsorizuara.

Facebook njoftoi ndër të tjera se pjesa më e madhe e këtyre «ads » janë kryesisht të përqëndruara në çështje sociale dhe politike që përqafojnë të gjithë horizontet ideologjike, dhe që kanë lidhje me çështje si komuniteti LGBT, për çështje racore, imigracionin apo legjislacionin për armët e zjarrit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb