Pas fakteve që dolën publikisht një ditë më parë, gjatë seancës dëgjimore ne Komisionin e Pavarur të Kualifikimit për gjyqtarin e gjykatës së lartë Admir Thanza, Prokuroria pritet  të vihet në lëvizje, si fillim duke mbledhur material kryesisht; ose me fjalë të tjera, të dhëna që vijnë nga burime të ndryshme si mediat etj. Burimet i thanë Neës24 se Prokuroria e Përgjithshme deri më tani nuk ka regjistruar procedim për rastin “Thanza”.

Burimet sqaruan se duhet të pritet vendimi i KPK që të vendoset  nëse bëhet fjalë vetëm për falsifikim të formularit të vetëdeklarimit, apo edhe vepra të tjera penale, si korrupsion etj. Kjo do të vlerësohet pasi të administrohen të dhënat nga KPK dhe ILDKPI dhe me pas do të vendoset se cila prokurori do të hetojë dhe për çfarë vepre penale.

Dje në seancën dëgjimore në KPK u deklarua se Admir Thanza është dënuar në Itali për vjedhje në vitin 1999, fakt që vetë gjyqtari e pranoi, por mohoi ta kishte kryer ai krimin në fjalë. Gjithashtu Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, kishte konkluduar se Thanza ka fshehur një procedim penal për korrupsion dhe ka kontakte të papërshtatshme me krimin e organizuar.

Ndërkaq në konkluzionet e ILDKP për gjyqtarin Admir Thanza rezultonte se deklarimi nuk është i saktë në përputhje me ligjin, nuk ka burime financiare të ligjshme për të justifikuar pasuritë, ka kryer fshehje të pasurisë dhe deklarim të rremë. Me këto përfundime Thanza nuk ka gjasa ta kalojë testin e vettingut.

(BalkanWeb)