Për dekada, Mark Landis dhuroi vepra arti te muzetë dhe galeritë kudo nëpër SHBA. Ai shitej si një koleksionues i pasur, por pikturat ishin false, pasi i kishte krijuar vetë. Megjithatë, ai nuk u ndoq kurrë penalisht, pasi nuk mori pagesë e kështu nuk e shkeli ligjin
“Është e qartë se nuk është krim t’i japësh një pikturë një muzeu dhe për më tepër ata më trajtuan si mos më mirë. Një gjë çoi te një tjetër dhe unë vazhdova ta bëj këtë për 30 vjet”, – thotë Mark Landis, një prej falsifikatorëve më bujarë të artit në historinë amerikane.
“A ju kanë trajtuar ndonjëherë si të kishit gjak blu? Më lejoni t’ju them, ju vjen mirë”.
Karriera e Landis si një falsifikator arti filloi në mesin e viteve 1980, kur ai i dha disa piktura një muzeu në Kaliforni, duke thënë se ishin të një artisti amerikan të shekullit 20, Maynard Dixon.
“Ishte një shtysë për të impresionuar nënën time. Gjithnjë i kisha admiruar koleksionistët e pasur që jepnin në TV piktura te muzetë.
“I vura emrin e Maynard Dixon, sepse kjo është ajo që muzetë donin”,- thotë ai. “Ai ishte një artist lopçar, ndaj unë shkova në librari dhe kontrollova disa libra me foto të indianëve amerikanë dhe kopjova disa prej tyre. E dija që muzetë donin piktura lopçarësh, ndaj kështu veprova”.
Si adoleshent, Landis kishte vuajtur një krizë nervore pas vdekjes së të atit dhe u diagnostikua me skizofreni. Terapia e artit zbuloi talentin e tij për të kopjuar dhe ai qe në gjendje t’i mbaronte ato shumë shpejt.
“E di që kushdo ka dëgjuar se falsifikatorët bëjnë gjëra të komplikuara me kimikate, – thotë ai. Unë nuk e kam atë lloj durimi. I blej furnizimet në supermarkete të thjeshta dhe me çmime të ulëta dhe e bëj pikturën brenda një ose dy orësh”.
“Nëse nuk mund të mbaroj diçka pa mbaruar një film në televizion, atëherë heq dorë”.
Duke u shtirur si një mirëbërës i pasur, Landis dhuroi dhjetëra vepra arti të falsifikuara tek institucione të respektuara kudo nëpër SHBA derisa në 2008-n, ai hyri në Muzeun e Qytetit të Oklahomës. Matt Leininger ishte nëpunësi përgjegjës për veprat e reja.
“Ne menduam se Landis ishte një koleksionues arti shumë ekscentrik”, – thotë Leininger. “Vepra e parë që na dha ishte një pikturë me bojëra uji nga Louis Valtat”.
“I vumë një kornizë Valtat dhe e vumë ngjitur me një Renoir në galerinë tonë, pa e ditur se ajo që varëm ishte një false”.
Landis vazhdoi t’i çonte falsifikime muzeve dhe mund të mos ishte kapur kurrë nëse nuk do t’i kishte ofruar kopje e së njëjtës punë galerive të ndryshme.
“Ne morëm një zarf me postë në të cilin gjendeshin pesë punë të tjera”, thotë Leininger. Ata u paraqitën si piktura nga artistë francezë të shekullit të 19, Paul Signac dhe Stanislas Lepine.
“Bëra disa kërkime mbi Signac dhe u shfaq një lajm për dhurim të së njëjtës vepër nga i njëjti person në Kolegjin e Artit në Savanë. Nuk e mendova shumë derisa kontrollova piktorin tjetër dhe rezultoi se ishte dhuruar në një tjetër universitet me të njëjtin dhurues. Kjo më futi në dyshime.
“Çova një mesazh dhe brenda një ore, më morën në telefon e më çuan email-e 20 institucione, duke më pyetur se kush ishte ky tipi dhe çfarë po ndodhte”.
Leininger thotë se Landis bëri një punë të mirë me falsifikimet e tij, por ato nuk e kalonin testin e këqyrjes nga afër. Një vepër e paraqitur si pikturë 300-vjeçare me shkumësa rezultoi të ishte bërë me kafe për t’u dukur si e vjetër.
Nga një inspektim i thjeshtë rezultoi se shumë institucione ishin mashtruar lehtësisht.
“Landis e kishte bërë detyrën e tij të shtëpisë. Ai e dinte se çfarë koleksiononin muzetë. A ishte shumë i sigurt se veprat do të pranoheshin pasi i përshtateshin koleksionit që ata mblidhnin”.
Për më tepër, edhe historia pas dhurimeve të tij ishte diçka që muzetë donin ta dëgjonin. Ai përdori pasurinë e familjes për të justifikuar dhurimet dhe zemrën e gjerë.
Leininger kërkoi këshillë nga një ish-agjent i FBI-së që ishte specializuar në krimin e artit. Por për shkak se nuk ishin paguar para për falsifikimet, Landis nuk kishte shkelur asnjë ligj.
Barra morale ra mbi institucionet që pranonin dhurimet e tij pa i kontrolluar siç duhet. Landis kishte turpëruar dhjetëra galeri me mashtrimin e tij dhe Leininger beson se disa muze e dinin se Landis ishte një mashtrim, por nuk folën për të mos nxirë faqen e tyre.
Landis, nga ana e tij, pranon se mashtroi, por thotë se nuk ndihet keq për këtë. “Unë jam si Pinoku, – thotë ai. E lashë ndërgjegjen të më drejtojë si në drejtimin e duhur, ashtu edhe në atë të gabuar”.
Surpriza e vërtetë i erdhi më 1 prill të 2010-s, kur personi që i kishte zbuluar mashtrimin hapi një ekspozitë me ‘dhurimet e tij’ dhe e ftoi falsifikatorin të ishte personi i nderit. Landis kërkoi falje publikisht, por tha se ideja e ekspozitës nuk ishte e keqe.

(a.n/Shqip/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb