NGA MARIGLEN MËRTIRI*

TIRANË- Kishte 8 vite që priste për një banesë sociale që jetën ta rifillonte nga e para. I rritur jetim, 35-vjeçari Pëllumb Dungaj, fatin që i rezervoi jeta nuk do donte ta trashëgonte te fëmijët. Sot ai do mund të marrë një apartament së bashku me 3 fëmijët e tij të cilët prej kohësh nuk jetonin bashkë për shkak të pamundësisë ekonomike.

“Nënshkruam kontratën e qirasë, më 21 shtator bëj 35 vjeç dhe unë marr banesën që prisja”, tha Pëllumb Dungaj

Banesa që ishte caktuar nga bashkia për familjen Dungaj ishte në katin e 5-të ku familja prej 5 anëtarësh do të ketë në dispozicion 3 dhoma dhe një kuzhinë. 5 kate për këtë familje u ngjitën aq shpejt saqë nga padurimi dhe emocionet nuk hapnin dot derën megjithëse me çelësin e duhur.

Pasi panë çdo dhomë dhe u siguruan se kjo shtëpi do t’i bëjë të lumtur, kryefamiljari Pëllumb Dungaj pret një tjetër jetë me një familje të bashkuar.

“Për këtë banesë kam 8 vjet që pres dhe më në fund erdhi dita, që sot fillon ndryshimi i familjes dhe fëmijët do të integrohen. Pres një jetë më të këndshme, kjo shtëpi më bashkoi fëmijët dhe kam një lumturi të veçantë”, tha Pëllumbi.

“Më duket bukur dhe rehat, jam i kënaqur dhe prindërit e mi janë të kënaqur, jam i gëzuar dhe më rreh zemra fort”, deklaroi fëmija i familjes Dungaj që jetonte i vetëm.

Për apartamentin 3+1 kjo familje do të duhet të paguajë 11 mijë e 900 lekë në muaj qira dhe pas një viti kontrata do të rinovohet ose nëse shkelen kushtet bashkia ka të drejtë edhe të mos e rinënshkruajë. 385 apartamentet e ndërtuara nga Banka e Këshillit të Europës do fillojnë të shlyejnë vetveten nga qiratë por nëse kjo sipërmarrje do të funksionojë Bashkia e Tiranës do të ndërtojë edhe një tjetër kompleks banesash sociale në ndihtë të këtyre familjeve.

Pritja e gjatë mori fund dhe sot familja Dungaj gëzon një banesë sociale në Shkozë. Kjo banesë e cila prej 8 vitesh pritej me padurim sot bashkoi familjen e cila në pamundësi ekonomike, një prej djemve e kishte strehuar në Lezhë pasi nuk mundte t’i siguronte ushqim. Prej kohësh jetonin në banesa të rrënuara dhe në të shumtën e rasteve të lëna edhe pa qira pasi në këtë familje vihej në diskutim ushqimi i përditshëm.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb