Një familjeje tjetër shqiptare i është refuzuar aplikimi për azil, kësaj herë bëhet fjalë për Norvegjinë. Por nuk qëndron problemi thjesht tek refuzimi, por mes kësaj familjeje jeton edhe një djalë i vogël 8-vjeçar Aleko Kastrioti i cili vuan nga tumori në kokë. Edhe pse autoritetet e emigracionit janë në dijeni të kësaj çështjeje, ata sërish kanë vendosur kthimin e familjes në Shqipëri.

Doktori që ka ndjekur djalin që prej dy vitesh, është shprehur se sëmundja e tij është kërcënuese për jetën. Ai shpreh dyshimin nëse Aleko do të mund të kurohet në Shqipëri. Autoritetet norvegjeze i kanë dhënë familjes Kastrioti një shumë prej 11 mijë dollarësh për të kuruar Alekon në Shqipëri por sipas avokatit të familjes kjo shumë është e pamjaftueshme.

“Si pasojë e kësaj sëmundjeje, Aleko i vogël, nuk mund të zhvillohet si të gjithë bashkëmoshatarët e tij. Ka nevojë për mjekim që të mund të arrijë në përmasat e duhura trupore të një 8-vjeçari”, shprehet më tej doktori i tij. Sakaq, shpresa e vetme e familjes Kastrioti ka mbetur Gjykata e Oslos e cila do të vendosë nëse familja do të qëndrojë apo jo në Norvegji. Shumë organizata e kanë cilësuar si johumane vendimin për kthyer këtë familje në Shqipëri, duke marrë parasysh kushtet në të cilat ndodhet.

(m.k/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb