TIRANË- Kërkesa e Prokurorisë së Përgjithshme për heqjen e imunitetit të deputetit të Partisë Socialiste, Saimir Tahirit, me qëllim që të arrestohet, pasi emri i tij u përmend në dosjen e përgjimit të bisedës mes trafikantëve Habilaj e Celaj, nga autoritetet italiane, duket se ka vënë në lëvizje edhe Kuvendin.

Gazetarja Marsela Karapanço konfirmon për “BalkanWeb” se pritet të mblidhet sot Këshilli për Mandatet dhe Rregulloren që të marrë në shqyrtim kërkesën e kryeprokurorit Llalla sot në orën 19:00.

Po sot, kërkesa zyrtare e prokurorisë për arrestimin e Tahirit është dorëzuar në Kryesinë e Kuvendit.

KERKESA
Prokuroria për Krime të Rënda kërkoi sot nga Kuvendi i Shqipërisë autorizimin për heqjen e imunitetit të deputetit Saimir Tahiri, në vijim të një hetimi të nisur për veprat penale të “Trafikut të narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal dhe “Korrupsionit pasiv të zyrtarë të lartë shtetërore dhe të zgjedhurve vendorë”, parashikuara nga nenet 283/a/2 dhe 260 të Kodit Penal.

Prokuroria për Krime të Rënda po zhvillon hetime, në bashkëpunim me autoritetet italiane, për një grup kriminal, i cili ka trafikuar sasi të mëdha lënde narkotike kanabis sattiva nga Shqipëria në drejtim të Italisë.

Në bazë të të dhënave të përftuara në kuadër të këtij hetimi, Prokuroria për Krime të Rënda kërkon nga Komisioni i Mandateve në Kuvendin e Shqipërisë dhënien e autorizimit për “arrestimin, heqjen e lirisë dhe kontrollin personal e të banesës” për deputetin Saimir Tahiri.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb