TIRANE- Ish­-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi, pranon që familjarët e Alda Canajt i kanë kërkuar institucionit të tij, ku punonte edhe Marjan Rroku, ndërhyrje për të zgjidhur një marrëdhënie konfliktuale mes çiftit.

Klosi thotë se është caktuar një punonjëse e vjetër që të ndërmjetësonte mes palëve për pajtim, ndërsa shprehet i habitur me vrasjen që kreu Marjani, pasi sipas Klosit ai ishte njeri i kultivuar dhe me kulturë, që nuk do ta zgjidhte një konflikt me forcë.

Klosi tregon se letra e familjes së Aldës nuk i ka ardhur atij personalisht, por në institucionin që drejtonte. “Ky shqetësim ka ardhur dhe ne kemi vendosur një punonjësen tonë që të merrej ekskluzivisht me këtë shqetësim. Vrasja që bëri Marjani nuk ishte një shpërthim që erdhi nga hiçi, ishte një histori e trazuar, një marrëdhënie problematike mes dy të rinjve”, thotë ai.

Sipas Klosit, ajo që ai di, por që e dinë të gjithë që e njihnin Marjanin, është se ata kishin kohë që rrinin bashkë.

“Nuk e di a bashkëjetonin apo jo, por ishte një marrëdhënie që kishte zgjatur dhe në një moment ai u çmend, i doli vetja nga kontrolli dhe përfundoi në vrasjen e dy personave”­ thote Klosi.

JA LETRA E NENES SE ALDES PER FATOS KLOSIN

Zbulohet letra që prindërit e Aldës, vajzës së vrarë nga Marjan Rroku, i dërguan 1 muaj para vrasjes, Fatos Klosit, atë kohë kreu i SHISH, institucioni ku ishte punësuar Rroku. Letra tregon ngjarjen sipas prindërve, kërkesën për ndihmë dhe firmoset nga të dy. Një muaj pas kësaj letre, më 29 mars 2001, Mbarime Canaj, gruaja që firmosi mbeti e vrarë, në përpjekje për të mbrojtur të bijën nga plumbat.

Ja çfarë i shkruante ajo, Klosit, më 11 shkurt, 2001, në letrën siguruar nga dritare.net.

“Zoti Fatos!

Ne që po ju shkruajmë jemi dy prindër të tre vajzave nga Greshnica e Mallakastrës, të dy mësues. Unë Faslliu, drejtor shkolle, gruaja mësuese në Greshnicë. Vajzat i kemi të dyja në Tiranë, të madhen në Universitet viti i tretë gjermanisht, të mesmen viti i dytë italisht. Po ju shkruajmë juve, pasi një punonjës i juaji i SHISH-it, Marjan Rroku, vajzën e dytë, Alda Canaj, e ka rrahur, kërcënuar, i ka nxjerrë edhe pistoletën dhe i ka numëruar në sy plumbat, mbasi i ka thënë se do ta marrë në Itali.

Historia ka nisur në Maj 2000 kur ai i ka propozuar dhe vajza ishte 15 vjeçe. Vajza nuk ka pranuar. Në nëntor 2001 e ka kapur vajzën, e ka rrahur, kërcënuar dhe nëse ajo do të thoshte gjë në familje, apo motrës së madhe do të vriste motrën dhe shoqet e saj.

Vajzat kanë denoncuar në polici dhe polici Bim Hoxha (Ibrahim Hoxha), në fillim e ka marrë kërcënimin, pastaj ka mbajtur qëndrim zbutës. Vajzave u është bërë thirrje nga punonjësja juaj, Vera Halili, për të tërhequr denoncimin.”

Letra vazhdon me shpjegimin e situatës dhe thirrjen për ndihmë dhe mbyllet me fjalët:

“Besojmë se edhe si mallakastriot, diçka duhet të bëni për ne”.

Me respekt

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: