TIRANE– I ftuar në emisionin ‘Të Paekspozuarit’ të gazetarit Ylli Rakipi në ‘News24’, analisti dhe shkrimtari Fatos Lubonja ka rrëfyer arrestimin dhe peripecitë që ka kaluar në kohën e regjimit komunist. Fatos Lubonja tha se në vitin 1970, kur ishte rreth 23 vjeç është dënuar për agjitacion propagandë me 7 vite dhe ridënuar me 16 vite të tjera. Gjithashtu ai rrëfen se gjatë kësaj kohe i kanë dënuar edhe babain dhe xhaxhain. Lubonja rrëfen se në burgun e Spaçit punonte me 3 turne dhe disa herë ka përfunduar edhe në birucë.

“Unë jam dënuar 7 vjet për agjitacion propagandë. Babai u arrestua 2 ditë pas meje, kurse xhaxhai u arrestua 7 ditë para meje. Në Spac kam qëndruar 5 vjet në minierë. Puna ime ishte me 3 turne më minierë dhe hapnim galeri. Unë punoja si nivelist dhe vagonist, jo si materlist. Nëse nuk bëje normën përfundoje në birucën ndëshkimore. Nëse mësoje gjuhë të huaja futeshe sërish në birucë. Jam futur disa herë atje”- tha Lubonja, raporton ‘BalkanWeb’.

Kur more vesh që ishte arrestuar dhe babai dhe vinte njeri në burg?
Aty nuk lejohej të vinte njeri. Me rregullore ishte 2 takime në muaj me nga 10 minuta. Në raste të veçanta mund të lejonin 30 minuta në dhomë Familjet vini sipas mundësive. Familja ime ishte e internuar. Babi ishte ne Burrel.

Ti ishe i martuar?
Po kisha dy fëmijë të vegjël. Familja iku në internim. Fëmijët ishin 1 vjeç e gjysmë vajza e madhe dhe 1 muaj e vogla. I kam gjetur 18 vjeç.

Po letra ju lejoheshin të shkruanit?
Lejoheshin vetëm dy letra në muaj dhe ato ishin të censuruara. Unë i dërgoja një letër babait dhe një familjes time.

Nga Spaçi ju bëtë grup armiqësor dhe ju ridënuan?
Në vitet 1970 filloi lufta e klasave dhe arrestimet u shtuan, midis të tjerave u praktikua edhe ridënimi në burg. Disa njerëz që nuk i donin dhe i ridënonin. Kryesisht ridënimet ishin për agjitacion propagandë. Është absurde. Historia ime është pak më tragjike. Shokët e mi bënë një letër kundër Enver Hoxhës dhe u ridënuan. Me këtë letër regjimi thoshte se këta kanë krijuar një grup për të përmbysur regjimin. Pjesë e grupit isha dhe unë që mora 16 vite të tjera burg dhe u bënë 22 vite në total. Për mua burgu i Spaçit ishte më i keq se burgjet e tjerë, pasi unë kam qene edhe në burgje të tjerë.

Keni menduar për vetëvrasje në atë kohë?
Kur isha i lirë mora vesh që njerëzit thoshin se Sherif Merdani kishte vrarë veten se ishte dënuar me 12 vite. Si duket këta e hapën vetë lajmin për të terrorizuar njerëzit. Por kur rashë në burg sërish kuptova se jeta është e shtrenjtë. Ka pasur vetëvrasje në burg, por jo të shumta. Njerëzit i përshtaten rrethanave.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: