TIRANE– Analisti Fatos Lubonja ka komentuar përplasjet dhe sulmet e ndërsjella me shkrimtarin Ismail Kadare. I ftuar në emisionin ‘Të Paekspozuarit’ të gazetarit Ylli Rakipi në ‘News24’, Lubonja tregoi 3 çështjet kryesore që sipas tij e kanë kthyer Ismail Kadarenë në ‘armik’.

“Unë e kam kritikuar Kadarenë për 3 gjëra kryesore. E para është vepra e tij, që është si propagandë dhe ideologji e Enver Hoxhës. E dyta, ai ka bërë transformimin e historisë së tij. Ne prisnim që të kishim një shkrimtar të drejtë, ndërsa ai manipulon historinë. E treta është se unë e kam kritikuar edhe për modelin e intelektualit që përfaqëson. Ai përdor pushtetin dhe nuk e kundërshton. E kam konsideruar si oborrtar të qeverisë si në atë kohë dhe tani”- tha Lubonja, raporton ‘BalkanWeb’.

Kujtojmë se Ismail Kadare e cilësoi Fatos Lubonjës si një shkrimtar të rëndomtë dhe pa peshë.

“Unë nuk e njoh këtë njeri, e kam njohur shumë pak, më shumë kam njohur babain e tij (Todi Lubonjën). Ai thotë se është shkrimtar, unë e besoj, por është një shkrimtar i rëndomtë, nuk po them mediokër, por është i zakontë i rëndomtë. Është absurd, ai vendosi të godasë babanë, por me mua nuk e kuptova se çfarë pati”, u shpreh Ismail Kadare një javë më parë në emisionin ‘Studio e Hapur’.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: