TIRANË- Kreu i PD-së Lulzim Basha i ka kthyer përgjigje sot kryeministrit Edi Rama për faturën e energjisë. Ndërsa Rama tha se Basha paguan më pak për energjinë, kreu i PD-së u shpreh se ai nuk gënjen por se njerëzit e kategorisë së tij paguajnë më pak, ndërsa 75 % e popullsisë paguan më shumë.

“Republika e vjetër është komplot për të vjedhur shqiptarët dhe këtu tash tre ditë po debatojmë në distancë për çmimin e energjisë elektrike. Unë them është rritur, ju thoni është rritur, ai thotë se është ulur. Nxjerr faturën time thotë paguan më pak. Nuk gënjen.
Kjo është e vërtetë, sepse njerëzve të kategorisë sime, që janë 25% e popullsisë paguajnë më pak ndërsa 75% e popullsisë paguan më shumë… Edhe po të jesh piktor i dështuar që nuk ke kaluar aritmetikën e liceut e kupton se si janë rritur shifrat”, tha Basha para protestuesve në çadër.

Kreu i PD-së ka folur edhe për udhëtimin e tij të shkurtër jashtë vendit, por ndërkohë tha se është informuar edhe për zhvillimet në vend.

“Sapo u ktheva nga një udhëtim i shkurtër 6 orësh në funksion të fitores sonë të pashmangshme. Më lejoni të ndaj me ju disa lajme të mira e të gëzueshme mbi fuqizimin e përpjekjes kombëtare për republikën e re por nja dy fjalë për aktualitetin do t’i them se i ndoqa. Ça është republika e vjetër? Është një komplot politik me qëllim mbrojtjen e komplotit ekonomik. Është një teatër me kukulla, me maska e fasada qëllimi i të cilës është të maskojë vjedhjen e shqiptarëve.
Demokracia fasadë është një qeveri kriminelësh që shkel ligjin nga mëngjesi deri në darkë sepse përmes abuzimit vjedh xhepat e shqiptarëve”, u shpreh Basha.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: