Ndodhet në arrati, por duket se luksi përbën rrethanat e reperit Stresi, Arkimed Lushaj.

Pasi foli live në emisionin “Zonë e Lirë” me anë të lidhjes me Skype, Stresi po bën namin dhe në rrjete sociale, Facebook, Instragram ku paraqitet mjaft aktiv. Në shumë raste ironizon dhe policinë. Më të fundit ku Stresi u bën karshillëk të gjithëve janë këto foto. Në sfond ai dhe një modele e zhveshur, ku duken vecanërisht të pasmet. Por nuk mungojnë as fotot me shoqërinë.

Duket se reperit po i shijon tepër fakti që është i shpallur në kërkim nga policia dhe kjo arratisje i ka dhënë mundësinë të bëjë të ditur botërisht se cfarë i pëlqen të bëjë në kohën e lirë.

NDALIMI I STRESIT
Referuar dosjes së Policisë së Tiranës, këngëtari Arkimed Lushaj është ndaluar nga policia rreth orës 05:00 të mëngjesit të datës 30 janar 2015. Stresi ka qenë duke udhëtuar me makinë nga zona e Laprakës në drejtim të qendrës së Tiranës, kur një patrullë policie i ka kërkuar të ndalojë për kontroll. Policia pretendon se këngëtari nuk ka ndaluar mjetin, duke mos iu bindur kërkesës së forcave të rendit për verifikim. Për këtë arsye, targa e makinës tip “Benz” që po drejtonte këngëtari, u është përcjellë patrullave që ndodheshin me shërbim në rrugët e Tiranës. Jo shumë larg vendit të parë të përballjes me policinë, disa minuta më vonë, një patrullë tjetër policie ka arritur ta ndalojë makinën e drejtuar nga Arkimed Lushaj. Ai është shoqëruar në komisariatin e policisë për t’i bërë testin e alkoolit ndërsa i janë kërkuar edhe dokumentet, si patenta, leja e qarkullimit etj. Nga testi i bërë për alkoolin në komisariatin e policisë, këngëtari ka rezultuar se nuk kishte konsumuar pije alkoolike. Duke qenë se ai nuk ka dorëzuar patentën, 27­ vjeçari është mbajtur në Komisariatin e Policisë deri të nesërmen.

ARRATISJA NGA KOMISARIATI
Të nesërmen e ndalimit të Stresit, më datë 31 janar 2015, rreth orës 08:00, këngëtari është nxjerrë nga qelia e Komisariatit Nr.3. Ai është shoqëruar në katin e dytë, ku do të merrej në pyetje nga oficeri i Policisë Rrugore në lidhje me akuzat e ngritura ndaj të riut. Këngëtari pa pranga në duar është marrë në pyetje dhe në një moment ka kërkuar të dalë në korridor për të pirë cigare. Pasi ka dalë në korridorin e komisariatit dhe ka hapur xhamin e dritares që ndodhet aty, Stresi ka dalë në pjesën e jashtme dhe është zvarritur në mur, duke dalë kështu në trotuarin e rrugës “Mine Peza”, pranë burgut 302 në kryeqytet. Ai më pas është larguar nga vendi i ngjarjes duke humbur gjurmët, kurse policia, e cila konstatoi arratisjen, bëri kërkime për disa orë pa arritur të kapte të larguarin nga komisariati. Disa orë më vonë, Arkimed Lusha, i njohur me emrin e artit Stresi, është shpallur në kërkim.

HETIMET
Arratisja e këngëtarit nga Komisariati Nr.3 u hetua nga Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit. Një ditë pas arratisjes, Ministria e Brendshme njoftoi arrestimin e tre efektivave të Policisë, ndërsa u pezulluan nga detyra nëntë efektiva të tjerë të rendit.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb