Nga Blendi KAJSIU
Në Shqipëri femrat i vrasim dy herë. Hera e parë është vrasja fizike, që denoncohet nga të gjithë. Por ky denoncim zbehet shpejt dhe pothuajse menjëherë zëvendësohet nga një murmurimë shoqërore që thotë se “diçka kish bërë ajo se kot nuk e vrau ai”. Në shoqërinë tonë maskiliste, femrat kanë faj edhe kur vriten prej burrave, të cilët në analizë të fundit mbeten viktima të manipulimit djallëzor femëror. Këtu fillon vrasja e dytë e femrës shqiptare.

Vrasja e karakterit dhe personalitetit të saj. Është vrasja që e bën media jonë e dashur me artikuj apo intervista “që hedhin dritë” mbi karakterin problematik të viktimës, që shpjegon se përse një burrë “u detyrua” ta vrasë. Është një vrasje makabre, sepse bëhet për së vdekuri. E vdekura nuk mund të mbrohet, ndërkohë që familjarët e vrasësit, në vend që të heshtin, japin argumente dhe arsyetime se përse vrasja, në fund të fundit, u nxit nga viktima.

Ky skenar po zhvillohet sot me gjyqtaren Fildes. Menjëherë pas vrasjes fizike, filloi vrasja e saj morale. Në gazetat kryesore u shfaq një intervistë e vëllait të agresorit, që na shpjegonte se si vrasësi ishte një burrë i mirë që gruaja e kish çuar drejt krimit, sepse tallej me të. Ende pa u kallur viktima në dhè, fillon vrasja e dytë e saj, sipas refrenit universal të shoqërive maskiliste: ajo ishte një femër djallë- zore që manipuloi një burrë naiv.

Ndërsa i shoqi e vrau fizikisht, vëllai i të shoqit e vret moralisht. Është e trishtë që media thjesht i vë mikrofonin përpara vëllait të vrasësit për të justifikuar aktin e këtij të fundit, pa bërë asnjë verifikim nëse ato që ai thotë janë të vërteta apo jo. Është tronditëse që mediat na ofrojnë versionin e vrasësit përpara se të marrim vesh versionin e viktimës. Sepse ne nuk e dimë historinë e jetës së Fildesit, ne dimë vetëm historinë e vdekjes së saj. Ne nuk dimë se çfarë e detyroi atë të kërkonte divorcin, se në çfarë rrethanash u martua me të shoqin, se çfarë vuajtjesh kalonte ajo në martesën e saj. Dhe nuk ka përse t’i dimë të gjitha këto detaje.

Nuk na duhet të dhunojmë intimitetin e jetës së Fildesit për t’u revoltuar me vrasjen e saj. Aq më pak duhet të lejojmë që mbi viktimën të hidhet baltë nga justifikuesit e vrasësit të saj. Fakti që media shqiptare vrapon për të bërë pikërisht këtë gjë, tregon se sa të thella janë rrënjët e mendësisë maskiliste te ne. Përbaltja e viktimës shërben për të zhvendosur debatin nga problemi i dhunës ndaj grave te ndarja e fajit mes vrasësit dhe viktimës.

Ndaj, në vend që të pyesim “Përse burrat shqiptarë po i vrasin dhe i dhunojnë në masë gratë dhe vajzat e tyre?”, shtrojmë pyetjen “Si e nxisin gratë dhunën ndaj vetes duke i ngritur nervat burrave?”. Mesazhi është i qartë, gratë duhet të ulin kokën dhe mbyllin gojën, përndryshe ne i vrasim jo një, por dy herë. Fatkeqësisht jemi ende larg ndaj zhdukjes së vrasjes fizike të femrave. Hapi i parë është eliminimi i vrasjes morale që shërben si justifikim i vrasjes fizike. Për këtë mjafton të kemi pak respekt për të vdekurit, veçanërisht kur janë viktima të krimeve për të cilat ne si shoqëri maskiliste kemi përgjegjësi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb