TIRANE- Në ekranet e televizioneve publike të Ballkanit dhe kanaleve të tjera të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi ka filluar të transmetohet dokumentari televiziv “Me Zotin, për komb dhe flamur”, i realizuar me Unionin e Imamëve Shqiptarë në Zvicër.

Gazetari i mirënjohur, fituesi i “Antenës së Artë”, Ferdinand Samarxhi, pasi ka promovuar disa vite me radhë dokumentarë të gjinive të ndryshme televizive, dhe i mbështetur nga Kryegjyshi Botëror Bektashian, Hirësia e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, programe dinjitoze të muajit të bekuar të Ramazanit, me të gjitha komunitetet fetare të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë e Malit të Zi, këtë radhë përçon dhe tregon vizionin e Islamit në një nga vendet më të bukura të Evropës, në një nga fotot më mahnitëse të saj, në një nga vendet më të zhvilluara të Evropës, në Zvicër.

– Z. Samarxhi, tashmë jeni i vetmi gazetar i mirënjohur i të gjitha besimeve fetare, në Shqipëri, pse jo edhe në Ballkan, që për vite të tëra promovoni vlera. Jeni një përçues për të gjitha realitetet dhe ngjarjet që lidhen me besimet në Shqipëri. Përse këtë radhë ju zgjodhët për të treguar në rrugëtimin tuaj të gazetarit, Unionin e Imamëve Shqiptarë në Zvicër?
I ftuar nga miku im i vjetër, Reis Ulema Efendi Sulejman Rexhepi, u gjenda në një mbledhje ku kryesia e Unionit të Imamëve Shqiptarë, në ato ditë të vështira që po jetonin vëllezërit e tyre shqiptarë, në Kumanovë dhe në Tetovë, po ndanin ndihma për ta.

Mes vëllezërve, mësova se Unioni i Imamëve Shqiptarë, ishte ngritur në mërgim dhe kishte bashkuar të gjithë bashkëkombësit e gjithë trevave shqiptare, të Maqedonisë, të Kosovës, të Luginës së Preshevës, të Shqipërisë etj. Xhaminë, ata nuk e shihnin thjesht si një faltore, por si një vend të bashkimit të të gjithë shqiptarëve, si një vatër atdhetare, kombëtare, e lidhur ngushtë me jetën dhe historinë e kombit, me fatet e tij. Kjo ide mua më ngacmoi që të mendoja për realizimin e një dokumentari televiziv, ku të shpalosja vizionin dhe rolin e tij, sa fetar, aq më shumë edhe patriotik e kombëtar.
Dëshira për një realizim dinjitoz u përkrah. Mendimi vizionar i drejtorit të përgjithshëm të “RTK 1”, z. Mentor Shala, nëndrejtorit të përgjithshëm të “MTV 2”, Arun Ibrahimi, i kolegëve, producentit të mirënjohur të dokumentarit, z. Iljaz Thaçi, operatorit, mjeshtrit të artë, Mumin Jashari, fitues i disa çmimeve ndërkombëtare, gazetares së mirënjohur të radiotelevizionit publik të Maqedonisë, “MTV 2”, Zërijeta Jahjaga, më bëri mua më përgjegjës dhe më shtoi opsionet që ta pasqyronim me sa më ekspresivitet jetën e këtij Unioni.

– Pra, kjo ide ju nxiti ju, aq më tepër që e titulluat “Me Zotin, për komb dhe flamur”?
Është thuajse e pabesueshme kur mendoj që disa djem që unë i quaj me plot kuptimin e fjalës ‘patriotë’, si Nehat Ismaili – president i Unionit, Feim Dragusha dhe Bekim Halimi – zëvendëskryetarë të Unionit, Ferit Zeqiri, Rehan Neziri, sekretari Rasim Hasani e disa djem e burra të tjerë, u bashkuan dhe themeluan Unionin e Imamëve Shqiptarë në Zvicër.

Në bisedë me presidentin e Unionit, Magjistër Nehat Ismailin, patriotin e mirë shqiptar, liderin e devotshëm të Unionit, mëson se duke pasur parasysh nevojat e popullit shqiptar në Zvicër, kërkesat dhe dinamizmin e jetës në këtë vend, përgjegjësia për të marrë përsipër ngritjen e ndërgjegjes së bashkatdhetarëve të tyre, për të qenë pjesë, jo vetëm e konsumit të kësaj jete të zhvilluar, por edhe e kontributit të tyre, bën që këta njerëz të mençur të themelojnë Unionin, që ‘de facto’ është si një qeveri e shqiptarëve në mërgim, që ka marrë përsipër si të organizohet më mirë jeta e këtyre bashkatdhetarëve, që ata të jenë të gjithë njëlloj si të tjerët, dhe të mbajnë lart, me dinjitet emrin e kombit dhe të flamurit shqiptar.

Ky është vizioni i Unionit që ne përcjellim me kamera.

Por ne, për të plotësuar më mirë imazhin e këtij dokumentari prej 90 minutash, tashmë të realizuar, tregojmë pak edhe për Zvicrën, për qytetet, historinë e tyre, që datojnë shumë herët ku lindi Islami tek ky vend i zhvilluar.

-Po, do ishte me vlerë.
Historia moderne zvicerane mendohet se ka filluar rreth vitit 1291, me themelimin e Konfederatës së Parë Zvicerane, nga tre kantonet: Uri, Schwiz dhe Unterwalden.
Pas një fitoreje në Dornah, në vitin 1499, Konfederata e Zvicrës fitoi Pavarësinë nga perandori romak Maksimilian. Humbja në betejën e vitit 1515 në Marignano, u bë nxitje për herë të parë që Zvicra të largohej nga skena ndërkombëtare dhe deklaroi neutralitetin. Pas deklarimit të neutralitetit, mercenarët zviceranë kanë shërbyer në ushtri të huaja, si p.sh. Garda Zvicerane, e cila edhe sot shërben në Vatikan si roje konstitucionale e Papës.

Depërtimi i Islamit në Zvicër ka filluar para 1000 viteve përmes maurëve berberë – myslimanë të Andaluzisë, të cilët zviceranët dhe historianët e tjerë i kanë quajtur “saracenë”. Më pas, në shekullin XVIII, Zvicra njihet me Islamin, me personalitetin e Johann Ludwig Bur Khard-it, i cili rridhte nga një familje e vjetër e njohur dhe fisnike e Bazelit, që në 1809 – 1816 merr emrin Sheh Ibrahim.

Në fillim të viteve 1960 në Zvicër filloi ardhja e mërgimtarëve turq, shqiptarë, boshnjakë, arabë etj. Sot, në Zvicër gjenden afërsisht rreth 400.000 shqiptarë nga Kosova, Maqedonia, Lugina e Preshevës dhe Shqipëria. Në vitin 1990 hapen dhe faltoret e para shqiptare; si faltorja e parë shqiptare është ajo e Zyrihut, që u hap në vitin 1987. Pastaj u hapën faltore të tjera në Will, Kreuzlingen, Romanshorn etj.
Pikërisht në Gjenevë është ndërtuar faltorja e parë islame, me ndihmën e Mbretërisë së Arabisë Saudite, ku falen qindra e qindra besimtarë myslimanë, të shumë vendeve islame, por edhe nga Kosova, Maqedonia, Lugina e Preshevës, Mali i Zi dhe Shqipëria.

Me kamerën tonë ne tregojmë në dokumentar për këtë faltore të parë të Islamit, mes katedraleve, pikërisht në Gjenevë, që flet shumë për prezencën dhe definimin e Islamit.

Në këtë qytet, historia flet edhe për shqiptarët. Këtu gjendet edhe busti i Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut. Këtu u botua dhe gjeti dritën e përhapjes gazeta “Shqipëria – Albanie”, në vitin 1903 – 1906, në Gjenevë.

Në Krojclingen, ku banojnë një numër i madh shqiptarësh, mësohet se faltorja “Hëna e Re” është ndër xhamitë e para shqiptare në Zvicër, që është hapur më 1 janar 1993. Sot ky institucion fetar quhet Bashkësia Islame Shqiptare, që ka statutin e saj, kryesinë e këshillit, imamin Magjistër Rejhan Neziri, si edhe një numër mbi 300 anëtarësh të përhershëm të cilët marrin pjesë. Një rëndësi e veçantë këtu i jepet dialogut ndërfetar, ku imami i saj, Rejhan Neziri është ideator në këtë qytet i themelimit të tryezës së rrumbullakët të feve, në të cilën marrin pjesë Kisha Katolike, Kisha Evangjeliste, Qendra Budiste, Xhamia Turke, Komuna e Shtetit, si edhe autoritetet e shkollave të Kantonit. Lidhja e arsimtarëve dhe prindërve shqiptarë në bashkëpunim me xhaminë, objektiv kryesor të saj ka punën për mësimin e gjuhës amtare, mësimin e historisë së kombit, të ngjarjeve dhe festave kombëtare, si Ditën e Flamurit, 28 Nëntorin, Heroin tonë Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeun, alfabetin e gjuhës shqipe, ditën e Pavarësisë së Kosovës etj.

Ne me kamerën tonë asistuam në klasat e shkollës, ku mësuam nga Laura Sulejmani se xhamia “Hëna e Re”, duke qenë një institucion i rëndësishëm i këtyre njerëzve në mërgim, përkrah fuqishëm edukimin e fëmijëve. Në nivel zviceran, në bashkëpunim me shkollën shqipe “Naim Frashëri.

Edhe drejtori i shkollës, gjermani Hans Jurgen Michael, pohon me plot optimizëm, që krahas mësimit në shtetin e tyre, fëmijët mësojnë në shkollë me dashuri edhe mësimin e gjuhës shqipe, mësojnë historinë e kombit shqiptar, ngjarjet dhe festat e tij.

Regensdorfi, portret i panoramës së zhvillimit industrial të Zvicrës, përjeton edhe ai si gjithë qytetet e tjera, një numër të madh shqiptarësh. Këtu gjendet një nga faltoret më të mëdha shqiptare, ku numërohen mbi 500 anëtarë. Në këtë faltore, njerëzit marrin dhe pajisen me norma dhe çështje të edukatës së Islamit, për t’u bërë njerëz të devotshëm për shoqërinë, për vendin, për kombin që ata përfaqësojnë. Imami i saj, Magjistër Ferid Zeqiri, përçon më së miri marrjen e një Islami të paqes, të tolerancës, të bashkëjetesës, dhe jo të një Islami të dhunës e të terrorizmit, që s’ka asgjë të përbashkët me të. Këtu fëmijët, në këtë faltore, mësohen të bëhen fëmijë të paqmë, siç tregojnë ato në kamerën tonë.
Zelie Sulejmani, teologia e mirënjohur tregon se gruaja shqiptare sot në Zvicër ballafaqohet me të gjitha problemet politike e shoqërore, me shoqëritë e tjera, jashtë Islamit.
Në Rehintal, që gjendet në rajonin e San Galenit, ku jetojnë afërsisht 491.670 banorë, rreth 20 familje janë shqiptare. Në vitin 1990, një grup të rinjsh, me në krye Naim Demollin, Emin Ibrahimin dhe më vonë Enes Koshin, hapën të parën faltore, hapën të parën vatër kombëtare, ngritën për herë të parë në këtë rajon flamurin kombëtar. Në bisedë me ta mëson se xhamia, që kur u hap këtu, siç thonë këta, krahas thirrjes së Zotit – Ezanit, tingëllueshëm kumbon dhe himni i kombit. Po kështu, për këtë vizion tregojnë në kamera edhe imami i xhamisë së Zyrihut, Nebi Rexhepi, kryetari i xhamisë Ismail Ademi, prof. dr. Bashkim Aliu dhe kryetari i xhamisë së Visegol, Idriz Ibishi.
Tregimin tonë për Unionin e Imamëve në Zvicër do ta vazhdojmë me qytetin e San Galenit, që nis me historinë e ardhjes së një murgu irlandez, i quajtur Gallus, i cili kishte jetuar mes viteve 550 – 640. Të huajt këtu përfshijnë rreth 97.461 njerëz, ku një pjesë të madhe e përbëjnë shqiptarë nga Lugina e Preshevës, Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria.

Faltorja e këtij qyteti, xhamia “Xheneti” është e para faltore internacionale e organizuar nga vetë shqiptarët. Imami i xhamisë, Magjistri i devotshëm Feim Dragusha, nënkryetar i Unionit të Imamëve, synon dhe punon me të gjithë gjeografinë shqiptare, me OJQ-të dhe organizmat e tjerë të kantonit. Duke pasur një vizion të qartë të Islamit, si një vizion i paqes, i dashurisë, me dhe për të gjithë, imami i kësaj faltoreje, Magjistër Feimi synon ta përcjellë atë jo vetëm te bashkëkombësit, po edhe te të gjithë besimtarët islamë dhe të besimeve të vendeve të tjera të krishtera, të cilët vijnë këtu si pjesëmarrës në dialogime ndërfetare që organizohen në këtë faltore. Këtë mesazh, kërkon dhe punon ai, për ta përcjellë edhe te besimet e tjera tradicionale të Zvicrës.

Ne me kamerën tonë e vizituam këtë faltore dhe treguam për të. Pamë nga afër dhe filmuam ditën e dyerve të hapura, që organizohet në 320 qendrat islame këtu në Zvicër, të drejtuara nga Unioni i Imamëve Shqiptarë.

Ne na impresionoi fakti që në këto veprimtari të dyerve të hapura, gra nga gjithë vendet e ndryshme të kombeve të tjera, paraqisnin me modesti gatimet e tyre tradicionale. Imami na tregoi se nuk është qëllimi i prezantimit të gatimeve tradicionale, por botëkuptimi që krijohet ndërmjet këtij aktiviteti për bashkëvëllazërim të kombeve të cilat ata përfaqësojnë.

Pjesëmarrja në këtë ditë të dyerve të hapura e priftit Dom Marian Marku, që mbajti ligjëratë para besimtarëve islamë të disa vendeve islame dhe të besimeve të tjera të krishtera, sintetizoi se shqiptarin e ka lidhur gjithmonë besimi te Zoti, besimi te kombi, te flamuri i tij, te bashkëvëllazërimi i të gjithëve, si pjesëtarë të barabartë në galidhenë e madhe të kombeve.
Në kohën romake rruga për në Zvicër kalonte përmes Aarburg-ut. Kështjella, simbol i qytetit, mendohet se është ndërtuar në vitin 1123. Ura e vjetër prej druri, një nga emblemat më historike të Zvicrës, që përmendet që në vitin 1295, ka shërbyer si një vlerë e pakontestueshme dhe thesar i pashlyer i kulturës botërore. Në këtë qytet ku jetojnë më se 60 kombe, gjenden edhe shqiptarë, që përbëjnë 2.1% të popullsisë së kantonit.

Magjistri i nderuar, Nehat Ismaili, preokupimin dhe angazhimin e tij kryesor e ka të ngrejë lart ndërgjegjësimin e tyre si bashkëkombës, për të qenë të barabartë me të gjitha kombet e tjera. Për këtë, praktikimin e jetës fetare dhe pjesëmarrjen në këtë vatër, ata e shohin më gjerë, më me vizion për kohën, më me konture për të ardhmen.

Nakije Ismaili, hafizja e mirënjohur dhe e devotshme, kërkon që në këtë vend ku vijnë të gjithë, edhe fëmijë, të përcjellë mesazhin që i bashkon një ideal, Imani i Zotit, dashuria për kombin, dashuria për flamurin. Këto janë imazhet që përcillen në dokumentar dhe mes emocioneve të tregimeve të njerëzve, të prindërve, të fëmijëve, që janë pjesëmarrës në këtë faltore.

Villi befason kamerën tonë që në impresionet e para. Një kanton nga më të vjetrit e Zvicrës, themeluar në vitin 754, qytet me besim të hershëm tradicional katolik dhe protestant.

Por këtu ne u befasuam, pikërisht në këtë qytet me tradita të hershme të krishtërimit. Imami i saj, nënkryetari i Unionit, Magjistër Bekim Alimi, dialogon me të gjitha këto besime, trumbeton dhe përcjell Islamin vizionar të kohës, historinë e tij, filozofinë e tij se Islami jeton, punon dhe bashkëjeton në bashkëveprim dhe në bashkëvëllazëri me të gjitha besimet, me kombet të cilave ato u përkasin.

Këto pasazhe kamera jonë i fiksoi në dialogun ndërfetar me të gjitha komunitetet fetare, me të gjithë punonjësit shtetërorë të komunës e të kantonit, të shtetit zviceran. Më së miri ai, jo vetëm si një imam aktivist, por edhe integrues, që kryen detyrën për të ngjallur dashuri për besimin, këtë e definon edhe te fëmijët në shkollat e shtetit zviceran, në gjuhë të huaj, që edhe këta fëmijë të vendeve të tjera që jetojnë në Zvicër ta njohin Islamin, të dinë moralin, parimet e tij, që Islami është një fe e paqes, e dashurisë, që të përcjellë në kohëra mesazhin: “Paqe mbi dhP, dhe me të gjithë njerëzit mirëdashje!”.

Në këtë kanton mëson se po hedh shtat një nga faltoret më të bukura, që nesër, e ardhmja do të flasë shumë për të. Kryetari i xhamisë, Abdullah Mustafa është optimist për ndërtimin dhe përfundimin e saj, e cila deri më tani po ndërtohet vetëm me fondet e besimtarëve.

Kryetarja e komunës, Suzana Hatman, në intervistë na tregon se shqiptarët janë shumë të angazhuar dhe dëshirojnë të integrohen sa më shumë në jetën dhe shtetin zviceran. “Unë mendoj, – thotë ajo në intervistën që ne i morëm, – se shqiptarët janë potencial.”

Me mikrofonin dhe kamerën tonë folëm dhe treguam për përhapjen e Islamit këtu në Zvicër, për historinë e ngritjes së faltoreve, që sot janë bërë qendra të dashurisë së kombit, të besimit, të vizionit paqedashës. Folëm për punën e madhe që bëjnë imamët, si drejtues të tyre për ngritjen lart të ndërgjegjes dhe vetëdijes, jo vetëm të besimtarëve, por edhe të bashkëkombësve dhe më gjerë. Paraprirja e tyre për të qenë shtetas të denjë si të gjitha kombet e tjera, të jenë të aftë t’u bëjnë ballë sfidave në rritje të këtij civilizimi evropian, me besimet tradicionale të hershme të krishtërimit.
Ne u ndamë nga këta djem dhe burra, nga Nehati, presidenti i Unionit, nga Feimi dhe Bekimi, nënkryetarë të Unionit, nga Rejhani dhe Feridi dhe sekretari Rahim Hasani, nga këta patriotë që në këtë vend të huaj janë mbledhur dhe janë bashkuar. Me Zotin janë, për kombin dhe flamurin punojnë!

(el.sp/Gazeta Shqipare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb