Nga: ZONJA VJOLLCA
320 gr suxhuk ose llukanik
1 kokërr qepë
2 thelpinj hudhër
100 ml verë të bardhë
400-500 gr speca miks me ngjyra
Kripë, piper i zi
400 gr domate, ½ lç sheqer
Pak tabasko
150 gr djath
Vaj ulliri

Fillimisht pastrojmë specat dhe i presim në feta vertikalisht. Më pak vaj në një tigan i skuqim në temperaturë mesatare pa i dhënë ngjyrë sa të zbuten pak. I largojmë më pas specat nga tigani dhe i lemë mënjëanë. Në një tigan tjetër vendosim pak vaj ulliri dhe skuqim pak nga të dy anët suxhukun të prerë në copa rrethore me trashësi 0.7 cm. Shtojmë më pas qepën dhe hudhrën dhe i kaurdisim së bashku derisa qepa të zbutet por dhe të fillojë të zverdhet pak. Shuajmë me verë qepën dhe suxhukun dhe sapo të avullojë alkooli i verës shtojmë specat. I trazojmë pak që të gjithë përbërësit të marrin aromën e njëri-tjetrit, shtojmë më pas kripë, piper të zi, domatet dhe pak sheqer. E trazojmë mirë fërgesën, ulim temperaturën, vendosim kapakun dhe e lemë fërgesën të ziejë avash për 10 minuta. Në fund thërrmojmë pak djath dhe nëse dëshironi mund të shtoni dhe pak majdanoz dhe e servirni të ngrohtë.
(er.cu/vila24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb