FIER- Ashtu siç ka theksuar gjatë ditës së djeshme edhe ministri i Bujqësisë, më rëndë situata nga përmbytjet shfaqet në qarkun e Fierit. Nga reshjet e shumta të shiut që ranë ditët e fundit e për pasojë nga fryrja e lumit Vjosë e Gjanicë janë përmbytur toka, shtëpi e biznese. Ndërkohë më rëndë gjendja në këtë qark shfaqet në fshatin ‘Oxharë e Re’, ku si pasojë e përmbytjeve janë bllokuar 10 barinj dhe disa familjarë. Në një telefonatë për News24 pronari i kompleksit blegtoral në ‘Oxharë e Re’ Myferet Hoxhaj bëri të ditur lajmin për bllokimin e barinjve dhe disa familjarëve të tij. Sipas tij ‘Barinjtë janë në ujë, ndaj kërkojmë ndërhyrjen e strukturave shtetërore. Janë 10 barinj dhe dy familje të bllokuara, të cilët janë në pritje të ndihmës. Kërkohet ndërhyrja e strukturave, pasi dy urat në këtë zonë janë rrëzuar. Mbi të gjitha niveli i ujit ka arritur në 1 metër e 30 cm. Po kështu në News24 kanë telefonuar edhe barinjtë në ‘Oxharë e Re’ të cilët thanë ‘Po mbytemi. Kërkojmë ndihmë, uji po vërshon. Të ndërhyjnë menjëherë strukturat shtetërore ’-u shprehen ata. Ndërkohë, një tjetër bari dyshohet të jetë bllokuar në një stan në afërsi të Qarrit. Nga të dhënat paraprake mësohet se personi quhet N. Resulaj. Siç raportojnë të afërmit mësohet se N. Resulaj, ishte me të birin në stan, ku vetëm ky i fundit ka arritur të largohet pasi ka ditur më mirë notin.

(os.de/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: