*Policia evakuon 60 familje
*Nga shpërthimi, nëntoka nxjerr ujë, bllokohen rrugët, rrezikohen banesat
*Prefekti i Fierit: Situata emergjente, ka rrezik të plasë dhe zjarri

*Policia e Fierit ka deklaruar se do të ketë procedime penale ndaj kompanisë “Bankers”

TIRANE- Dy puse nafte kanë shpërthyer sot, në fushën naftëmbajtëse Patos-Marinzë, në Fier, shumë pranë zonave të banuara, ndërsa pas tyre janë krijuar dhjetra vatra që çlirojnë gaz. Pas shpërthimit në ajër janë shpërndarë re të mëdha tymi dhe erë gazi johelmues, ndërsa nga nëntoka ka shpërthyer nafta e uji. Nafta e uji kanë përmbytur rrugët.

Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit ka pezulluar menjëherë aktivitetin e kompanisë “Bankers Petroleum”, ndërsa Policia e Fierit ka deklaruar se do të ketë procedime penale ndaj saj, pasi punimet në këto puse ishin pezulluar që më 27 shkurt 2015.

Shpërthimet kanë shkaktuar panik dhe pasiguri tek banorët, pasi rrezikohen banesat e fshatit, të cilat ndodhen pranë shumë pranë vendeve të shpërthimit. Fatmirësisht nuk ka pasur njerëz të lënduar nga shpërthimi, ndërkohë që po punohet për evakuimin e banorëve. Sipas të dhënave të para mësohet se pusi që ka shpërthyer ështe pjesë e fondit të ndalur i kompanisë Bankers. Shpërthimi ka ndodhur gjatë një
tentative për ta vënë atë në punë.

Banorët e alarmuar rrëfyen edhe momentet e shpërthimit, ndërsa nuk e fshehin frikën. “Ndihemi të rrezikuar”,- thonë ata. Banorët ankohen se në gjithë zonën ka shpërthyer tymi dhe era e keqe e
gazit. Ata thonë se kanalet janë mbushur me ujra të pista si pasojë e shpërthimit dhe kanë frikën edhe të ndotjes së banesave.

Si pasojë e shpërthimit është bllokuar rruga Fier-Marinzë, ndërsa është mbyllur edhe shkolla, e cila ndodhet shumë pranë vendit të ngjarjes.

POLICIA:DO TE KETE PROCEDIME PENALE NDAJ “BANKERS”

Ora 16:20 Policia e Fierit ka deklaruar se do të ketë procedime penale ndaj kompanisë “Bankers Petroleum” për thellësinë e shpimeve dhe distancën nga banesat. Sëbashku me Prokurorinë e Fierit, ajo ka nisur hetimet për shpërthimin e puseve të naftës në Marinëz, pasi punimet janë vijuar nga firma edhe pse ishin pezulluar.

MM NIS 10 SPECIALISTË PËR TË MONITORUAR SITUATËN
Ora 13:30-Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i FA-së kanë nisur 10 specialistë për të monitoruar situatën e krijuar në zonën naftëmbajtëse të Patos-Marinzës dhe për t’iu ardhur në ndihmë banorëve të kësaj zone. Nga këto 8 janë specialist kimie dhe dy janë specialist të Laboratorit të Forcave të Armatosura.

ISHM VENDOS PEZULLIMIN E AKTIVITETIT TË “BANKERS PETROLEUM”
Ora 13:02- Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit ka reaguar pas shpërthimeve të puseve të naftës në zonën e marinzës duke i pezulluar aktivitetin kompanisë “Bankers Petroleum”.

“ISHM ka vendosur pezullimin e aktivitetit të kompanisë deri në paraqitjen e planit të menaxhimit të mbetjeve, rivlerësim të raporteve të ndikimit në mjedis dhe rishikimin e kushteve të lejes mjedisore”, thuhet në deklaratë.

Më tej ISHM i kërkon kompanisë hartimin e një plani monitorimi të detajuar si pjesë e lejes mjedisore.

“Kompania duhet të fillojë hartimin e planeve të masave, menaxhimi i mbetjeve të bëhet me planin e ri ligjor të mbetjeve. Heqja e masës së pezullimit të aktivitetit të kompanisë do të bëhet pas vlerësimit të realizimit të masave dhe detyrave të lëna për zbatim”.

DREJT ZONËS SË MARINZËS NISEN TRE EKSPERTË TË AVOKATIT TË POPULLIT
Ora 12:27- Tre ekspertë të Avokatit të Popullit janë nisur drejt zonës së Marinzës për të takuar banorët. Ndërsa ministri Gjiknuri ka zhvilluar një takim në zyrat e ALBPETROL me administratorin, prefektin e Fierit dhe përfaqësues të kompanisë “Bankers”. Në takim pritet të diskutohet për masat që do të merren për situatën.

EVAKUOHEN 60 FAMILJE
Ora 12:22- Nga zona e dëmtuar janë evakuuar 60 familje, që ishin pranë puseve të naftës, ndërsa vërehet rezistencë e banorëve për të lënë shtëpitë e tyre, ndaj patrullat e policisë janë në terren për të shmangur ndonjë grabitje në banesa.

GJIKNURI: SITUATA NEN KONTROLL
Ora 12:20- Ministri i Energjetikës Damian Gjiknuri vizitoi sot fshatin Marinzë pas shpërthimit të një sasie gazi në pusin e naftës në zonën ku punon kompania kanadeze “Bankers Petroleum” dhe tha se situata është nën kontroll, ndërsa u shpreh se, do të kërkohet llogari ndaj kompanisë “Bankers Petroleum” për shpërthimet që rrezikuan banorët.

Ministri pa nga afër situatën dhe u interesua në lidhje me shqetësimet e banorëve mbi dëmtimet nga shpërthimi i gazit.

MINISTRI GJIKNURI DREJT MARINZES
Ora 11:00- Ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri është nisur drejt Marinzës, pas dy shpërthimeve në dy puse nafte.

PREFEKTI I FIERIT: TE LARGOHEN BANORET, SITUATA EMERGJENTE
Ora 09:37- Prefekti i Fierit, zoti Xhevit Bushi e cilësoi problematike situatën e krijuar nga shpërthim ii fontanës së një pusi nafte, që sipas tij i përkiste kompanisë “Bankers Petrolium”.

Si pasojë e shpërthimit janë krijuar dhe 40 apo 50 fontana të vogla të cilat çlirojnë gaz, ndërsa prej tyre rrjedh edhe ujë. Bushi apeloi që të gjithë banorët të lënë banesat e tyre, pasi situata është problematike dhe mund të shpërthejë edhe zjarri. Ai shtoi se të gjitha strukturat janë në gatishmëri ndërsa emergjencat civile kanë marrë masat për të akomoduar banorët që lënë banesat.

“Ka shpërthyer fontana e një pusi, nuk dihet në çfarë thellësie, më e keqja është se ka marrë damarë të tokës e ujërave të zeza. Eshtë situatë problematike dhe emergjente për rrezikshmërinë që ka. Iu bëj thirrje banorëve të largohen, të mos kemi viktima, mund të shpërthejë edhe në zjarr. Kemi marrë masa për sistemimin e tyre, bëmë mbledhjen e emergjencave. Të gjitha strukturat janë në gatishmëri”, tha Bushi.

“BANKERS PETROLEUM”: PO PUNOJMË TË MBYLLIM PUSIN KU PATI RRJEDHJE TË PAKONTROLLUAR GAZI NË MARINZË
Ora 08:30- Kompania Bankers Petroleum, të cilës i përkasin puset, bëri të ditur se, “aktivizoi planin e ndërhyrjes për emergjencat në përgjigje të një rrjedhjeje të pakontrolluar gazi natyror në një pus kur po kryheshin operacione shpimi”.

Gjithashtu kompania bëri të ditur se nuk raportohen të lënduar, ndërsa gazi që ka rrjedhur është gaz i ëmbël dhe i padëmshëm.
“Stafi operacional dhe i sigurisë i kompanisë në bashkëpunim me qeverinë lokale, kompaninë pulbike “Albpetrol” dhe policinë e shtetit ka marrë të gjitha masat paraprake duke përfshirë edhe evakuimin e menjëhershëm të banorëve në zonën e prekur”, njoftoi “Bankers Petroleum”.

Operacionet po vazhdojnë për ta ndalur pusin, për të kthyer banorët në shtëpitë e tyre dhe më pas për të filluar operacionet për pastrimin e zonës së prekur.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb