NGA ARSIM SPAHIU

Në dy shekujt e fundit, historianët grekë dhe disa jogrekë kanë stisur një problem historik për studiuesit e historisë së qytetërimit evropian e botëror: prejardhjen etnike të maqedonasve të vjetër, me fjalë të tjera karakterin e tyre etnik. Ky problem nuk ka ekzistuar në Greqinë e vjetër dhe në mbarë Ballkanin, sepse asokohe helenët i kanë njohur nga afër maqedonasit bashkëkohorë dhe e dinin fare mirë se fqinjët e tyre veriorë të përtej lumit të Peneut nuk ishin helenë, madje për këtë, ata kanë lënë një sërë librash. Ajo që është kryesorja në këtë pikë, autorët e vjetër grekë nuk prireshin të vinin historinë e maqedonasve të vjetër në shërbim të politikës së shekujve XIX-XX.

Përgjithësisht, për periudhën nga rilindja te demokratët e shek. XIX, në rrethet intelektuale të Evropës, Demosteni bëhet i njohur falë eruditëve bizantinë, që imigrojnë në Itali e Renani. Falë atyre eruditëve, Demosteni nganjëherë futet në luftërat politike të momentit. Besarioni psh. i krahason pushtuesit turq në Evropë me maqedonasit në Greqi, Filipin II me pushtuesit barbarë (të huaj), ndërsa Demostenin – mbrojtës të lirive dhe qytetërimit. Shumë nga ngjashmëritë që parashtron A. Adami janë të përpikta: Eskini krahasohet me Quislingun, Antifoni zjarrvënës me kolonën e pestë, ndërsa Franca na del si Greqia e dikurshme sipas Demostenit, e prekur nga një sëmundje që e katandis të pranojë robërinë e huaj. Më vonë revolucioni francez dhe shpallja e Republikës i japin debatit mbi demokracinë një aktualitet të fortë (brûlant).

Me sa duket, shton P. Carlier, një vlerësim si ky është i frymëzuar nga ushtritë e Republikës1. Në shekullin XXI Demosteni njihet si politikan i pushtuar nga pasioni për atdheun e vet, armik i vendosur i “racës” së maqedonasve, që përpiqet me të gjitha mundësitë për mbrojtjen e vendit të vet. Duke zënë fill nga viti 1820, në Gjermani përhapen prirje të reja filozofike dhe politike, të cilat i drejtojnë historianët që të formulojnë kritika të reja ndaj Demostenit. Në këtë kohë, prirja kryesore filozofike është hegelianizmi dhe konceptimi i tij i historisë. Sipas Hegelit, historia e njerëzimit është gjallëruar nga një lëvizje dialektike, sipas së cilës të gjitha qytetërimet që njëri pas tjetrit mishërojnë “shpirtin e botës”, kanë një apogje dhe një rënie, madje kalimi nga njëri në tjetrin bëhet me disa përmbysje të rrëmbyera ose të qeta.

Hegeli2 admiron njëkohësisht qytetin klasik grek dhe Lekën e Madh, që themelon një botë të re, e cila mbledh e tejkalon traditat e Lindjes e Perëndimit dhe njëkohësisht përgatit terrenin për perandorinë romake dhe krishtërimin. Për historinë e lashtë, dishepulli më me emër i Hegelit është J. G. Drojseni. Ai historian i madh zbulon rëndësinë e epokës helenistike – Hellenismus- in në gjermanisht. Ai pranon se Demosteni është oratori më i madh i të gjitha kohëve dhe nuk e vë në dyshim atdhetarinë e tij, por nuk e merr (konsideron) si politikan të madh. Pangjermanizmi frymëzon disa autorë ta kritikojnë Demostenin dhe ta krahasojnë Filipin II me Bismarkun si pushtues. Në shekullin XIX, në përgjithësi historianët njëmendësohen me Isokratin, që kërkon bashkim panhelenik dhe e cilëson Maqedoninë “Prusia e Ballkaneve”.

Demostenit i del zot më shumë se kushdo tjetër jo një historian, por një burrë shteti francez, Clemenceau: Filipi II është një barbar që do të pushtojë dhe të sundojë Greqinë, por ai është gjithashtu një “gjeni sherresh”, me një trimëri të shfrenuar, si njeri që di ç’është lufta politike dhe si burrë që e ka zakon të masë kundërshtarin e vet. Clemenceau e kupton dhe admirimin që Demosteni ka për Filipin II. Ai thotë se përgjegjësia për disfatën e grekëve në Kerone bie plotësisht mbi popullin grek3. Pa adoptuar asnjë qëndrim partizan, Montesquieu, në njërin ndër refleksionet e veta evokon Demostenin “lidhur me virtytin moral në kuptimin që drejtohet për të mirën e përgjithshme”, me fjalë të tjera, mbi “dashurinë për atdheun dhe barazinë”. Montesquieu parashtron se kjo teori e formuluar nga Ed. Schwartz, është pranuar nga filologët dhe historianët e mëdhenj të kohës, Wilamowitz, Ed. Meyer, M. H. Hansen, etj. Në fakt, Athina mposhtet nga Filipi II jo pse kishte më pak qytetarë, por sepse kishte humbur virtytin demokratik.

Më tutje Montesquieu vazhdon: “Athina pati në gjirin e vet të njëjtat forca kur dominoi me aq lavdi, sa në kohën kur u shërbeu maqedonasve me aq turp. Ajo kishte 20 mijë qytetarë kur i mbrojti grekët në luftë me persët… Ajo kishte 20 mijë syresh kur Dhimitër Faleri i numëroi si skllevër në treg. Ai qytet që u kishte bërë ballë gjithë atyre disfatave, të cilin e kemi parë të rilindë pas shkatërrimeve që pëson, mposhtet në Kerone dhe, përgjithmonë…”. Në fakt, beteja e Keronesë mes grekëve dhe maqedonasve e ndryshon gjendjen në Maqedoni dhe në Greqi4. Ajo e bën Filipin II master të Greqisë. Për tërë Greqinë ajo betejë shënon fundin e epërsisë së lavdishme greke dhe të pavarësisë së saj, ajo futet nën hegjemoninë maqedonase5. Në shekullin XX, në periudhën kur nazizmi kërcënon demokracitë perëndimore, disa autorë botojnë studime të historisë mbi Demostenin: P. Treves në Itali, Jaeger në Gjermani e SHBA dhe disa autorë francezë si G. Glotz, P. Cloché, G. Mathieu, etj.

Në vija të përgjithshme, këta historianë bëjnë vlerësime në tri pika: a) Filipi II përbën rrezik për Athinën dhe Greqinë; b) Demosteni ka arsye të mos i nënshtrohet Filipit II dhe të bëjë gjithçka për të ndaluar zgjerimin territorial të Maqedonisë; c) ata grekë si Isokrati, Eubuli, Eskini, ose Fokioni që thonë fjalë të mira për vendosjen e paqes dhe dëshirojnë të ndreqen me mbretin e Maqedonisë me çdo kusht, i gënjen mendja, ose punojnë me vetëdije për interesat e pushtuesve maqedonas. Analogjitë e vetëkuptueshme (implicite) në këto analiza, vijon historiani francez P. Carlier, janë të qarta: Filipi II është Hitleri, ndërsa Eskini i lashtësisë greke u përngjan politikanëve të shumtë francezë e anglezë të para Luftës II Botërore, që tregohen të gatshëm t’i bëjnë Hitlerit çdo lëshim. Prandaj autorët e mësipërm na kujtojnë se në vendet e tyre duhet nga një Demosten. Analogjitë e sipërshënuara (implicite) sqarohen dhe më mirë në artikullin që Adela Adam boton në Angli, në fillim të Luftës II Botërore.

Titulli i artikullit është i qartë: “Filipi alias Hitleri”. Autorja, me sa duket heleniste amatore, e ngarkuar nga i biri, i cili zinte një vend të mirë në administratën britanike, që të kërkonte disa citime të përshtatshme nga Demosteni, çuditet nga ngjashmëritë e shumta mes analizave të Demostenit dhe ngjarjet e kohës së shekullit XX të erës sonë. Nga ato shqyrtime gazetarja nxjerr si përfundim se Franca para Luftës II Botërore është si Greqia sipas Demostenit, e prekur nga një sëmundje e çuditshme, që e bën të pranojë robërinë… ndërsa Curchilli, për fat kishte ndjenja më heleniste se gazetarja britanike6. Të gjithë teoricienët e panhelenizmit grek të kohës së Demostenit shprehen njëlloj për bashkimin kombëtar grek.

A. Momigliano shpjegon qartë qëndrimin e grekëve ndaj maqedonasve: ata përgatitën në mënyrë të pavetëdijshme programet, me të cilat do të shndërroheshin nga Filipi II në vegla të një perandorie. Ata ëndërruan për një solidaritet helenik, por e shndërruan Helladën në provincë maqedonase të Filipit II. Te të gjithë autorët panhelenistë të periudhës helenistike shihen qartë të njëjtat kontradikta të brendshme (intrinseke) qenësore. Historianët interesohen për ata autorë, sepse e duan fort bashkimin e qytetërimit grek. Ata autorë atdhetarë grekë, në pamundësi për të interpretuar atë njësi në njësi politike, nuk heqin dorë kurrë nga epërsia e një qyteti grek ndaj të tjerëve. Për pasojë, ata hapin rrugën për zgjidhjen koherente të Filipit II.

Pas Isokratit, ai që e zbulon këtë tuhafësi është Efori. Të dyja kërkesat themelore të mendimit të Eforit janë ato të Isokratit: kundërshtia instinktive midis grekut dhe barbarit (me kuptimin të huajit) maqedonas për nevojën shumë të madhe të një hegjemoni që do t’i bashkonte grekët, fakt ky që dëshmon se barbari është armik natyror i grekut. Uniteti (bashkimi) i grekëve vlen vetëm si një përpjekje për të shprehur një bashkëpunim politik dhe luftarak kundër barbarit (të huajit). Ndërgjegjja e njësisë (bashkimit) vlen për ndërtimin e një historie unitare por, meqë kjo njësi nuk ndihet më pas, përveç rasteve kur del ndonjë problem i panhelenizmit politik, ajo që mbetet nga historia shkërmoqet në një përmbledhje të dhënash dhe kaq7.

Historia e shkruar helenike dëshmon për karakterin jo grek të maqedonasve dhe të dinastive të tyre maqedonase. Kërkuesit e sotëm grekë mburren me të drejtë për qytetërimin e lartë të grekëve të vjetër, por i hedhin poshtë paraardhësit e tyre etnikë, në rastin tonë historianët dhe letrarët e tyre të shekujve të fundit të lashtësisë, të cilët shprehin qartë karakterin etnik jo grek të padiskutueshëm të maqedonasve dhe dinastive të tyre.
Shënim: Autori i kërkon ndjesë lexuesit të punimeve të veta për gabimet drejtshkrimore dhe çka është më tepër, për përsëritjen fort të padëshiruar të ndonjë paragrafi, sidomos në “Diptik maqedonas, 2016”.

Këto gabime i atribuohen autorit, sigurisht, por ndonjëherë dhe kompjuterit të vjetruar. Në pjesën e dytë të këtij libri ndoshta nuk ka nga këto gabime, por figurat e monedhave, që gjenden në studimin e numismatit amerikan B. V. Head nuk mund t’i nxirrte në libër pa ndonjë ndihmës. Prandaj ka kërkuar ndonjë bashkëpunëtor ose ndihmës, por më kot. Prandaj, s’i mbetet tjetër veçse të vazhdojë ta mbyllë jetën që i ka mbetur, kështu siç ka bërë deri tani, me synimin për t’i marrë në dorë përsëri punimet e veta për korrigjime të mundshme, nëse do të mund t’ia arrijë, si gjithmonë i dëshpëruar për Dheuthin e vet, ku trajtohet ende si ish-i përndjekur politik.

Autori e ka peng që s’po bëhet asgjë që shqiptarët nuk po lëvizin për t’iu përgjigjur Akademisë së Shkencave të Athinës për “4000 vite të qytetërimit grek në Epir”(!), në dy volume, të përkthyer e të botuar në gjuhët kryesore të Evropës dhe të përhapur gjithandej, deri në Amerikë e Australi. Prandaj autori, në sallën kryesore të Akademisë së Shkencave të Tiranës e më gjerë ka bërë thirrje herë pas here që të formohet një grup pune për një studim me titull “5000 vite të qytetërimit iliro-shqiptar në Epir dhe në Maqedoninë e vjetër”, por shqiptarët e sotëm “kanë veshë e nuk dëgjojnë”. Edhe kur janë arkeologë e historianë, nuk pipëtijnë! “Mori Shqypni, e mjera Shqypni”!
(Footnotes)
1 P. Carlier, 20 06, p. 286-289.
2 Hegel G. W . F., 1837, Vorlesungen Ü ber die Philosophie der W eltgeschichte 3 Clemenceau, Dé mosthè ne, p. 293-299.
4 Montesquieu, Mes considérations sur les causes de la grandeur des romains et de leurs consé quences
5 I. Worthington, 2000,
6 P. Carlier, vep. e cit., p. 299-300.
7 A. Momigliano, 1992, Paris, p. 202-212.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: